Skip to main content

“Pesë shenjat e çrregullimeve hormonale” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

“Pesë shenjat e çrregullimeve hormonale” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Pesë shenjat e çrregullimeve hormonale

Posted: 12 Sep 2016 06:31 AM PDT

Problemet hormonale janë të zakonshme. Statistikat tregojnë se 80% e grave vuajnë nga çrregullimet hormonale për shkak të niveleve të ulëta të estrogjenit dhe progresteronit (hormone seksuale femërore). Meshkujt preken gjithashtu nga ky problem për shkak të niveleve të ulëta të testosteronit, ose niveleve të larta të estrogjenit. Më poshtë janë 5 shenjat e çrregullimit hormonal që nuk duhet t’i injoroni.
Probleme me gjumin
Mungesa e gjumit, ose insomnia, është një efekt anësor i çrregullimit hormonal. Te meshkujt ajo mund të jetë shenjë e niveleve të ulëta të testosteronit. Nivelet e testosteronit janë më të larta gjatë gjumit dhe kërkojnë të paktën tri orë gjumë në ditë për të arritur kulmin. Por, mungesa e gjumit, mosha dhe problemet fizike mund të çojnë në ulje të niveleve të këtyre hormoneve. Te femrat, nivelet e ulëta të progresteronit mund të shkaktojnë probleme me gjumin. Ato shkaktohen sidomos para se të vijnë menstruacionet, prandaj femrat kanë probleme me gjumin gjatë ciklit menstrual.

Djersitje gjatë natës
Çrregullimi hormonal mund të çojë në mungesë të gjumit dhe djersitje gjatë natës. Nivelet e ulëta të progresteronit te femrat bëjnë që trupi të përjetojë dominancë të estrogjenit, si vapë, djersitje gjatë natës dhe shtim në peshë. Djersitjet gjatë natës te meshkujt, nga ana tjetër, lidhen me nivelet e ulëta të testosteronit. Me kalimin e viteve, meshkujt fillojnë të humbasin 1% të testosteronit në vit pas 40 vitesh.
Lodhje
Gjumi i keq dhe djersitja gjatë natës mund të na çojnë në lodhje. Nëse ndiheni të lodhur edhe pasi keni bërë gjashtë orë gjumë, mund të jetë shenjë e çrregullimit hormonal.
Nuk keni dëshirë për të kryer marrëdhënie seksuale
Mungesa e dëshirës për të kryer marrëdhënie seksuale mund të jetë një shenjë e niveleve të ulëta të estrogjenit te femrat dhe të testosteronit te meshkujt. Nivelet e estrogjenit fillojnë të bien kur femrat hyjnë në fazën e menopauzës.
Shfaqje të akneve në fytyrë
Para ciklit menstrual dalin gjithmonë akne në fytyrë dhe kjo është diçka normale, por nëse aknet nuk hiqen për shumë kohë, atëherë mund të jetë ndonjë shenjë e problemeve hormonale.

Ermal Mamaqi u kërkon falje fansave: Ja pse nuk filloi “Xing me Ermalin”

Posted: 12 Sep 2016 06:30 AM PDT

Xing me Ermalin” është emisioni më i ri që do të startojë në shtator dhe do të moderohet nga Ermal Mamaqi. Megjithëse nuk është thënë një datë e saktë e fillimit të emisionit, të gjithë prisnin të shtunën në mbrëmje që Ermali të shfaqej në ekran, gjë që në fakt nuk ndodhi. Aktori i humorit, përmes një statusi në “Facebook” ka kërkuar ndjesë që emisioni nuk filloi ditën e shtunë. Si gjithmonë edhe kjo “ndjesë” ishte me sensin e humorit që atë e karakterizon. “Miq, ju kërkoj ndjesë juve që prisnit ‘Xing me Ermalin’ sot. Nuk shkova në punë se përtoja të dal. Plus që binte dhe shi. Nejse… Ju lajmëroj unë kur do jetë fillimi i sezonit. Dhe bëni ndonjë punë, se ngelët gjithë ditën duke parë televizor”, shkruan Ermali në profilet e tij zyrtare në rrjetet sociale.

Kristjana Saxobeat ‘kërcënon’ reperin

Posted: 12 Sep 2016 06:29 AM PDT

Fjalët ofenduese që reperi shqiptar Noizy tha te “Zonë e Lirë” për Kristjana Saxobeat, kanë shkaktuar reagime të ashpra. Balerina, e cila më herët ka pasur një lidhje me reperin, është acaruar aq shumë me të, saqë nuk ka ngurruar edhe ta kërcënojë, duke i thënë se di shumë për të dhe mund të flasë. “Me këtë postim të shkurtër dua t’i them Zinjos që duhet t’i vijë turp që del e shan një femër, mbi të gjitha në televizion, me etiketime të cilat nuk i shkon t’i përdorë si artist që është. Mua këtu më ke, meqë s’e dike ku jam. Unë nuk jam fshehur, i dashur. Unë personalisht kurrë nuk e kam ofenduar, përkundrazi, kam mohuar gjithçka. Unë mund të flas shumë më tepër për të dhe e di shumë mirë, por nuk dua ta zgjas. Kam gjëra më interesante për të thënë në lidhje me të. I ke SMS-të në ‘Instagram’ o Noizy, se unë i kam?”, shkruan Kristjana në “Facebook”.

Tuna në një lidhje të re? Këngëtarja frekuenton vëllain e Robertit

Posted: 12 Sep 2016 06:28 AM PDT

Tuna Sejdiu ka qenë shumë e përfolur për jetën e saj private. Gjatë këtij viti ajo i dha fund lidhjes me reperin Cozman, më pas u përfol për një lidhje të mundshme mes saj dhe Ylli Limanit, por me sa duket në jetën e këngëtares është dikush krejt tjetër. Ajo ka bërë të ditur së fundi, përmes disa fotografive të publikuara në “SnapChat”, se ka qenë e pranishme në një festë ditëlindjeje, por nuk ka qenë e pashoqëruar. Në fotografi Tuna shfaqet bashkë me Patris Berishën, një nga instrumentistët e “Filarmonisë së Kosovës”, njëkohësisht vëllai i këngëtarit Robert Berisha. Roberti njihet edhe si bashkëshorti i Nora Istrefit dhe dy këngëtaret, që kohë më parë kanë pasur mosmarrëveshje me njëra-tjetrën, tashmë janë kunata.

Rezarta Shkurta: E vetmja ëndërr që kam, të jemi sërish të tre

Posted: 12 Sep 2016 06:27 AM PDT

Ndodhitë në jetën e saj kanë qenë dramatike, megjithatë, Rezarta Shkurta ia ka arritur të mbijetojë, të shpëtojë martesën e saj dhe të vazhdojë përpara. Këngëtarja, e njohur edhe si bashkëshortja e nipit të diktatorit Enver Hoxha, ka rrëfyer për herë të parë përjetimet e saj më të thella në lidhje me burgosjen e bashkëshortit të saj, i akuzuar për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, por edhe faktit që prej gati dy vjetësh po rrit vajzën e saj Hera e vetme. Në intervistën për “Prive”, Rezarta Shkurta shprehet se, “nuk jam duke pritur që të kalojë një muaj, por jam duke pritur si të kalojë edhe një ditë dhe të nesërmen sërish si ta kaloj edhe atë ditë. Nëse më përpara shkoja në shtëpi dhe gjeja shtëpinë, tani shkoj dhe gjej katër faqe muri, saqë ndonjëherë preferoj as dritat të mos i ndez. Nuk e di si po ia dal dhe nëse po ia dal, thjesht po lë kohën të kalojë”.

Si është jeta e Rezarta Shkurtës?
Shpesh shumë bukur, shpesh shumë problem. Ka qenë gjithmonë një luftë midis “të jesh ajo vajza adoleshente” ose “të jesh ajo vajza e re”, apo “të jesh ajo vajza nënë”, apo “të jesh ajo vajza artiste”, apo “të jesh nusja e atij”… Pa dashje, edhe pse shpesh bëjmë sikur nuk na intereson opinioni apo ajo që na rrethon, thellë-thellë na intereson, dhe kjo na bën që të mos e lejojmë jetën tonë 100% ashtu siç ndihet, por pa dashje ta jetojmë edhe siç të tjerët duan. Sigurisht që sjell edhe trishtim kjo gjë. Është e vështirë të jesh personazh, sepse je në fokusin e syrit gjykues, shpeshherë njerëzit presin që ti të bësh atë që duan ata, ndonjëherë edhe të afërmit. Por, ashtu siç janë shenjat e gishtave, që janë të ndryshëm, ashtu edhe të gjithë njerëzit janë të ndryshëm. Mendoj se gjithsecili nga ne është një instrument më vete. Nuk duhet të jenë patjetër të gjithë piano, apo të gjitha violina, por nëse i bashkon, bëhet një simfoni shumë e bukur.
Rezarta nuk është më kë-ngëtare, gradualisht e ke braktisur këtë punë duke iu përkushtuar fotografisë. Nëse do të të jepej mundësia të fotografoje jetën të-nde, si do ta realizoje?
Një gjë është e sigurt, që fotografia e jetës sime nuk do të ishte komerciale dhe nuk do të shitej, nuk do të preferohej nga revistat e modës. Është e sigurt që do të ishte bardhezi. Do ishte bardhezi jo sepse nuk është e bukur, apo sepse unë nuk i dua ngjyrat, i dua shumë ngjyrat, por një gjë është e sigurt, ose dua shumë ose nuk dua fare; ose jap maksimumin, ose jam tërësisht indiferente, prandaj do ishte bardhezi, sepse nuk ka gri.
Prej vitesh ke qenë e rrethuar nga kritikat, por ngjarja më e fundit në jetën tënde i dha kulmin. Je ndjerë e paragjykuar?
Paragjykime do të ketë gjithmonë, nuk mund t’i evitojmë. Më kujtohet që është paragjykuar edhe personi që tha se bota është e rrumbullakët. Çdo njeri, kur përballet me diçka që nuk e njeh, ka tendenca për ta paragjykuar. Por unë nuk dua të bëj si ata, nuk dua të paragjykoj ata që më paragjykojnë. Nuk ka gjë, le ta bëjnë! Nuk e kam fokus; fokusi im real është të bëj të lumtur familjen time.
Rezarta, e aktron buzëqe-shjen apo di të qëndrojë në fatin që i është caktuar?
Kush e gjeti lumturinë e përjetshme që të jem unë ajo që duhet ta gjej?! Të gjithë ne kemi problemet tona, çdo familje kalon gjëra jo të këndshme, sigurisht që nuk jam në kulmin tim të lumturisë. Aktualisht, pavarësisht se kam gjetur dashurinë e jetës sime, Ermalin, jam e detyruar të rris vajzën vetëm, jam e detyruar që ajo të mos luajë çdo ditë me babain e saj në park, apo në shtëpi, të mos flemë të tre… Kështu që, sigurisht nuk jam në kulmin e lumturisë, por ajo që më ngushëllon është që shpresoj shumë së shpejti, të gjitha këto që thashë, që ëndërroj brenda shpirtit tim të bëhen realitet. Nuk kam asnjë dëshirë tjetër më të madhe, por që atë princeshë të vogël, që ne e sollëm në jetë me aq shumë dashuri, të kemi shansin ta shijojmë të dy.
Ermali është burgosur dhe ju vazhdoni të jeni nënë dhe grua e përkushtuar…
Një shprehje shqiptare thotë: Kur i ra njeriut diçka dhe nuk e përballoi?! Sikur të më kishin thënë në ditët e para që kjo histori do zgjasë një muaj, përveçse realisht do isha çmendur, do kisha urryer edhe personin që do ma thoshte. Për mua ishte e papranueshme, por shpresa, dashuria, ngrohtësia familjare dita-ditës të bëjnë ta kalosh. Nuk jam duke pritur që të kalojë një muaj, por jam duke pritur si të kalojë edhe një ditë dhe të nesërmen sërish si ta kaloj edhe atë ditë. Plus kësaj, unë jam edhe pak ambicioze, në kuptimin që unë e dua shumë punën, dhe normalisht një meritë, përpos dashurisë familjare, për mua ka qenë edhe puna, një ilaç i madh. Engjëjt e vegjël të punës sime kanë bërë që të ikë dita, problem ka qenë mbrëmja. Nëse më përpara shkoja në shtëpi dhe gjeja shtëpinë, tani shkoj dhe gjej katër faqe muri, saqë ndonjëherë preferoj as dritat të mos i ndez. Nuk e di si po ia dal dhe nëse po ia dal, thjesht po lë kohën të kalojë.
Je realisht kaq e fortë, apo mundohesh sepse kështu duhet të jetë?
Unë nuk besoj se ka njeri, qoftë femër apo mashkull, që të jetë i fortë. Çdo njeri thjesht i përjeton gjërat në mënyrën e tij. Unë jam nga ata njerëzit që nuk kam shumë qejf të flas për gjendjen time reale shpirtërore, dhe në këtë intervistë unë po thyej një tabu. Deri në momentin që dikush nuk ma zgjidh dot problemin, e kam shumë të vështirë ta shpreh.
Gjithsesi ke vajzën tënde, Herën, e cila të bën të lumtur…
Me Herën nuk është aktrim, që unë të shkoj dhe të bëj të lumturën, por realisht Hera më bën njeriun më të lumtur në botë. Ajo më bën të lumtur edhe kur bën gabime, edhe kur e kthen shtëpinë përmbys. Është realisht motivi i jetës dhe lumturisë sime.
Si mbijeton raporti yt me Ermalin, kur ti je e lirë dhe ai i burgosur?
Nuk e di, sepse kjo gjë ndodh natyrshëm, pa e ditur ne se si ndodh. Mund të them që jam mikja e tij më e mirë, dhe kjo është pika më e fortë e marrëdhënies sonë, por në këtë rast nuk mund të them që kam qenë ndoshta një ngushëlluese më e mirë. Shpeshherë ka qenë ai, edhe pse është në ato kushte, që më mban mua me shpresë dhe dashuri. Nuk jam në gjendje të flas gjatë për këtë pyetje.

Skënderbeu, shumë i fortë për Korabin

Posted: 12 Sep 2016 06:26 AM PDT

Jeton Selimi
Skënderbeu nuk di të ndalet në këtë fillim sezoni. Kampionët në fuqi të Superiores mposhtëm 0-2 në “Selman Stërmasi” Korabin debutues, që mbetet ende në kërkim të pikëve të para në elitën e futbollit shqiptar. Bajram Jashanica dhe Hamdi Salihi ishin autorët e golave për formacionin e Agostinelit, që falë eksperiencës së cinizmit, mori një fitore të pastër ndaj një kundërshtari në kolaudim e sipër. Skënderbeu shfaqet cinik në minutën e 13 në momentin e ekzekutimit të një goditjeje dënimi. Jashanica peshkohet me zgjuarsi ndaj Radas, me mbrojtësin që e dërgon topin në trekëndësh, pa i dhënë asnjë mundësi reagimi Vujadinovicit. Loja karakterizohet nga dyluftime të ashpra në mesfushë, e për rrjedhojë Orelesi detyrohet të largohet nga fusha i dëmtuar, për t’ia lënë vendin Mustafës. Rast ideal për Fukuin në të 58′-ën, por japonezi nuk koordinohet si duhet dhe humbet mundësinë për të shënuar. Mërgjyshi kërkon të ndryshojë diçka në lojën sulmuese, duke hedhur në fushë Adelajan dhe Nexhipin, por lojtari që spikat me veprimet e tij është Jubani. Në të 63′-ën shkodrani pasi i reziston ndërhyrjes së rëndë të kundërshtarit, arrin ta vijojë aksionin dhe asiston Plakun, por goditja e 31-vjeçarit është e lehtë për t’u kontrolluar nga Shehi. Thuajse inekzistent në fushë për 75 minuta del në skenë Hamdi Salihi, që shënon një gol të thjeshtë me kokë në shtyllën e dytë pas krosimit të Gledi Micit. Përfundimisht 0-2 në “Selman Stërmasi” me Skënderbeun që shkëlqeu aq sa i duhej për të fituar, ndërsa Korabi duhet të jetë më efektiv para portës, pasi rastet për shënim nuk i kanë munguar.
Laçi dhe Tirana nuk ndryshojnë fytyrë, duke barazuar në një ndeshje pa shumë emocione dhe pa gola në Kurbin, ku bardheblutë bënë shumë pak për të gjetur rrugën e rrjetës, ndërsa vendësit u përpoqën të shfrytëzonin rastet që iu krijuan, por treguan qartë se janë shumë larg formës së viteve të fundit. Shterpësi golash dhe mungesë idesh për të dyja skuadrat, që edhe në javën e dytë të Kategorisë Superiore ndalen në barazim të bardhë, duke u ngjitur në kuotën e 2 pikëve. Ndeshja nuk u ndoq nga tifozët miq që prej minutës së 18, pasi drejtuesit e klubit të Laçit nuk pranuan që në stadium të ishin të pranishëm më shumë se 5% mbështetës të skuadrës bardheblu, siç e rekomandon edhe rregullorja. Në mbështetje të pjesës tjetër të tifozëve të mbetur jashtë, edhe ata që kishin hyrë në stadium, u larguan pak minuta pas fillimit të ndeshjes.

Flamurtari, spektakël dhe “manita” ndaj Luftëtarit. Mrekullon Donjet Shkodra

Posted: 12 Sep 2016 06:25 AM PDT

Flamurtari e kthen në një shëtitje të këndshme mbrëmjen e djeshme, ndërsa ka shpartalluar në gola dhe lojë Luftëtarin. Gjirokastritët që befasuan me lojën e tyre në ndeshjen kundër Partizanit, iu dorëzuan pa kushte perlave të Donjet Shkodës, që ishte frymëzuesi i të besuarve të Gugash Maganit. Takimi do të nisë menjëherë me gol dhe do të jetë Donjet Shkodra që siluron katërkëndëshin e Mirakës në minutën e 3-të. Një e djathtë e fortë e prishtinaliut, që çon në delir tifozërinë vendëse. Flamurtari nuk e heq këmbën nga gazi dhe në minutën e 9-të gjen dyfishimin me Tomislav Bushiçin, që përfiton nga hutimi i qendërmbrojtjes mike dhe me kokë realizon golin e dytë të ndeshjes. Vlonjatët kontrollojnë ndeshjen dhe janë të rrezikshëm, ndërsa Luftëtari fillon të zgjohet vonë. Në të 28′-ën është i riu Bregu që provon me të djathtën, por jashtë, ndërsa 5 minuta më pas vjen goli i tretë për kuqezinjtë. Fazliu do të harkojë nga e djathta dhe Miraka nuk e largon topin ashtu siç duhet, duke i dhënë mundësinë kroatit Galiç që të shënojë golin e tretë të ndeshjes. Në minutën e 43-të Luftëtari bën një kundërsulm të rrezikshëm, por edhe njëherë Bregu gjuan jashtë. Me këtë rezultat do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do të nisë më mirë për miqtë. Bluzinjtë nga Gjirokastra do t’i afrohen golit në të 50′-ën, me Zogaj që sheh topin të dalë për fare pak jashtë, ndërsa Magani do të tërbohet në stol me përgjumjen e të tijve. Janë minuta që flasin më shumë për Luftëtarin, por Donjet Shkodra edhe njëherë ua pret hovin miqve. Shkodra kombinon me Shehajn dhe ky i fundit e fton në goditje, ndërsa numri 10 i vlonjatëve lëshon një tjetër predhë, duke shënuar eurogolin e radhës. Në të 72′-ën vjen edhe goli i pestë për vendësit, kur Shehaj shënon me topin të grushtuar nga Miraka pas gjuajtjes së Radoviçit. Në minutën e 81-të Zogaj shkarkon të djathtën për golin e nderit të miqve, por jashtë kuadratit, ndërsa 2 minuta më pas është Franc Veliu, që ka fatin kundër pas gjuajtjes me kokë, me topin që përplaset në traversë, shtyllë dhe vijë fatale për të dalë më pas jashtë. Gjithsesi, mbyllet me “manita” për Flamurtarin, që gjen kështu ritmin e duhur pas humbjes në javën e parë, ndërsa Luftëtari fillon të ndjejë mbi shpinë diferencën e madhe me klubet e tjera të Superiores.

Sot, sytë nga Elbasani dhe Kukësi

Posted: 12 Sep 2016 06:25 AM PDT

Partizani do të presë Vllazninë në kuadër të javës së dytë të Superligës, ndërsa në kampion e kuq duan të zhbëjnë paraqitjen e fundit ndaj Luftëtarit. Partizani nisej si pretendent, por fitoi vetëm falë një penalltie zemërgjerë të gjyqtarit Andi Koçi në limitet e takimit. Zhgënjimi te tifozëria ishte i madh, kjo sepse Partizani vinte pas një ecurie dhe ndeshjeve shumë të mira të luajtura në Kupat e Europës. Trajneri Sormani ka dilema në lidhje me formacionin, ndërsa duket se Fejzullahu dhe Ramadani do të rikthehen titullarë, duke marrë vendin e Ibrahimit dhe Bertonit nga ndeshja e fundit. Vllaznia nga ana e saj ka dhuruar një paraqitje shumë të mirë ndaj Kukësit. Ndonëse verilindorët ishin favoritë, në “Loro Boriçi” skuadra kuqeblu bëri vërtet një lojë mbresëlënëse, ndaj edhe trajneri Cungu këtu kërkon ta nisë ndeshjen ndaj Partizanit, ndonëse e di se të kuqtë janë favoritë. Takimi tjetër i së hënës do të jetë sfida mes Kukësit dhe Teutës, një përballje kjo që premton emocione, pasi të dyja ekipet luajnë një futboll të bukur, ndonëse skuadra e Gjokës është më e mirë pajisur sesa ajo e Bexhit. Kukësi ka marrë një ultimatum nga presidenca, në 3 ndeshjet e radhës kërkohen pikë të plota, ndërsa Teuta nga ana e saj nuk ka presionin e rezultatit, ndonëse ndeshja e mirë që zhvilloi ndaj Tiranës mbush me shpresë “djemtë e detit”.

Fan Noli për Logosin

Posted: 12 Sep 2016 06:24 AM PDT

Moikom Zeqo
Fan Noli ka shkruar për konceptin e Logosit në një vështrim historik, por edhe linguistik, konceptual, por edhe manipulues.
Në shënimet e tij gjuhësore, Fan Noli kërkon saktësinë e fjalës origjinare Logos në parametrat shkencorë, të mirëfillta. Logosi është njësi semantike, e evoluar.
Termi Logos është padyshim më kryesori në filozofinë antike, greke. Fillimisht Logos, – nënkuptonte edhe një emër, që lidhet edhe me një tjetër emër të ndryshëm si “fjala”, ose “diskutim”.
Kemi kalimin e Logosit nga faza mitologjike, në atë filozofike, kur Logosi shpreh, tregon, simbolizon çdo shpjegim të realitetit me shprehje racionale. Historia e koncentron Logosin si teori te filozofi i madh i dialektikës, Herakliti i Efesit të shekullit VI para Krishtit.
Herakliti ka shkruar se, “megjithëse gjithçka ndodh sipas Logosit (pra, sipas arsyes), njerëzit janë të topitur përballë Logosit, qoftë para, qoftë pasi kanë dëgjuar për të dhe shpesh ndihen të paditur në këtë pikë”.
Në Logos shfaqet inteligjenca e epërme dhe më e lartë. Te njerëz me nivele të ndryshme kulturore edhe kuptimi që shpreh Logosi nuk është i njëjtë, pra i barazvlefshëm.
Por, konkretisht çfarë shkruan Fan Noli për Logosin? Natyrisht që Noli ka lexuar shumë në këtë pikë inkandeshente dhe ka veçuar karakteristikat më lakonike për Logosin: “Logosi në histori: Logosi ishte një fjalë e padëmshme përderisa kishte në fillim kuptimin e një përmbledhjeje ose zgjedhjeje, e një fjale ose shprehjeje.
Herakliti më 500 para erës së re, duke u menduar për rrjedhën e habitshme universale të sendeve, rroku këtë fjalë dhe i dha kuptimin e thelbit të përjetshëm dhe të pandryshueshëm, të ????, ose ????? , ose të Njësisë, të Energjisë, dhe larmia e botës së dukurive është vetëm një shprehje e thjeshtë e saj.
Ai ka qenë i pari monist në historinë e filozofisë dhe ky mik i vjetër dha një goditje të drejtpërdrejtë mu në zemër të kozmosit. Natyrisht, askush nuk ia vuri veshin dhe shpejt e harruan. Por, Logosi i tij hyri në histori.
Sofistët e përdorën për të tërhequr nxënësit në shkollat e tyre të ligjeve dhe e shpallën veten se ishin mjeshtër të artit për “??? ?????? ????? ??????? ??????” dhe anasjelltas për ??? ????????? ????? ???? ??????”. Është e vërtetë që një avokat i mirë mund ta fitojë një çështje të dobët po të dijë se si ta interpretojë dhe ta dredhë ligjin si i vjen për mbarë! Më pas Platoni dhe neoplatonianët e rrokën ????? e i dhanë kuptimin e Idesë, ndërsa bota jonë materiale na qenka vetëm një korruptim dhe mallkim i kësaj ideje.
Shën Gjoni e mori prej tyre dhe e vuri në krye të ungjillit të vet “?? ???? ?? ? ?????”. Pastaj kjo u përkthye kështu: “Në krye të herës ishte Fjala!”
Disa shekuj më vonë Gëtja u habit nga kjo “Fjalë” që na paska vënë në lëvizje gjërat, ai nuk mund ta kuptonte se si një fjalë e thjeshtë mund ta bënte këtë marifet dhe prandaj e vuri Faustin e vet që të jepte një lexim më të mirë: “Im Anfang war die Tat”. (Në fillim ishte vepra).
Po, energjia mund ta bënte një gjë të tillë dhe pikërisht këtë kishte ndër mend Herakliti. Është një gjë fare e thjeshtë po të shihet ashtu siç e mendonin Herakliti dhe Gëtja.
E megjithatë, hidhuni një sy vëllimeve që janë shkruar për “Fjalën” e Zotit.
Po, fjalët janë kameleonë shumë marifetçinj dhe ju nuk mund ta merrni vesh kurrë se ç’është njëra e ç’është tjetra, po nuk njohët historinë e tyre, kurse historia e disave prej tyre është e pafund”.
Fan Noli ka edhe një studim për ungjijtë sinoptikë të Dhjatës së Re.
Fakti që Shën Gjoni ungjillor fut që në fillim të tekstit të tij idenë e Logosit si mishërim të Hyjnitetit Universal, që në fakt e mori nga filozofi Filon, siç e ka vërtetuar dhe kriptologjia dhe krahasueshmëria e teksteve antike dhe Fan Noli e respekton dhe e quan të vërtetë këtë gjë.
Fan Noli shton një detaj substancial, se Herakliti i Efesit me Logosin kuptonte jo vetëm konceptualitetin, por edhe energjinë, duke e mbështetur mendimin e Gëtes, se kjo energji parakupton pikërisht “që në fillim qe veprimi”.

Inflacion i nismave diplomatike greke

Posted: 12 Sep 2016 06:23 AM PDT

Nga SHABAN MURATI
Edhe në bursën diplomatike sasia e tepërt e mallit në qarkullim ul vlerën e tij. Kjo po u ndodh, dhe do t'u ndodhë akoma më shumë në të ardhmen, nismave diplomatike greke, të cilat kanë krijuar një bum artificial në diplomacinë greke, sidomos pas ardhjes në fuqi të qeverisë së Ciprasit dhe të Kociasit. Në datat 8-9 shtator në Rodos të Greqisë u mbajt Konferenca e Sigurisë dhe e Stabilitetit, një nismë diplomatike e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kocias, me pjesëmarrjen e disa shteteve europiane dhe disa shteteve arabe. Në 21-22 prill të këtij viti u zhvillua në Selanik mbledhja katërpalëshe e ministrave të Jashtëm dhe të Brendshëm të Greqisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë, si nismë diplomatike e ministrit të Jashtëm grek. Ndërkaq po punohet nga diplomacia greke për nismën tjetër të Kociasit, për krijimin bashkë me Rusinë të një mekanizmi të bashkëpunimit të posaçëm të shteteve ortodokse dhe të kishave ortodokse, në kuadër të diplomacisë kishtare apo ekleziastike, të cilën ministri i Jashtëm grek e ka shpallur zyrtarisht si komponent të politikës së jashtme greke.
Në analizën e këtyre nismave të njëpasnjëshme diplomatike greke, qysh në vështrimin e parë të bie në sy karakteri i tyre i gjymtuar, i cili rrjedh si nga shpejtësia e ndërmarrjes së nismave, ashtu edhe nga mungesa e një objektivi të qartë dhe mundësie reale për realizimin e tyre. Defekti i parë i këtyre nismave është formati i tyre i gabuar, i cili bie ndesh me formulat dhe mandatet zyrtare gjeografike, të shpallura për këto nisma nga diplomacia greke.
Nëse marrim në shqyrtim nismën diplomatike greke, që sapo organizoi konferencën në Rodos në 9 shtator, do të shohim se në të janë pjesëmarrëse Greqia, Bullgaria, Shqipëria, Qipro, Italia, Egjipti, Libani, Libia, Tunizia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Objektivi i konferencës së Rodosit, sipas komunikatës së përbashkët të shpallur në fund të saj, është siguria dhe stabiliteti në Mesdheun Lindor. Nuk kuptohet se si mund të jetë e mundur të diskutohet për sigurinë dhe stabilitetin në Mesdheun Lindor dhe të mos ftohet as Turqia dhe as Izraeli, që janë shtete nga më të rëndësishmit dhe ndër më të fuqishmit e Mesdheut Lindor. Nuk kuptohet se si mund të flitet për sigurinë dhe për stabilitetin në Mesdheun Lindor dhe nuk ftohet NATO, e cila ka dërguar edhe njësitë e saj ushtarako-detare në ujërat e Mesdheut Lindor për të ndihmuar Greqinë që të mos përmbytet nga vërshimet e refugjatëve sirianë. Nga e gjithë lista e pjesëmarrësve të konferencës së Rodosit, vështirë se mund të gjesh një shtet, që të jetë më i interesuar dhe të jetë më i domosdoshëm në tavolinat diplomatike për sigurinë e Mesdheut Lindor sesa Turqia dhe Izraeli. Sepse të ftosh Emiratet e Bashkuara Arabe, Tunizinë apo Bullgarinë përpara Turqisë dhe Izraelit do të thotë që këtu nuk është synimi vërtet për Mesdheun Lindor. Se sa lidhet me sigurinë në Mesdheun Lindor thellimi i kanalit të Suezit, që ishte vënë në rendin e ditës në Rodos nga diplomacia greke, kjo është pyetje e denjë për sfinksin.
Nëse marrim nismën tjetër të takimeve katërpalëshe të Greqisë me tre nga shtetet e saj fqinje, do të shohim se nuk është përfshirë Turqia. Që në fillim ky format i gjymtuar krijon idenë se takimi katërpalësh nuk ka të bëjë me fqinjësinë e mirë, sepse që të realizosh një nismë të tillë diplomatike duhet ta bësh me të katër fqinjët që ka Greqia. Nga ana tjetër, preteksti zyrtar i shpallur nga Athina për organizimin e katërpalëshit me disa fqinj, është përballimi i krizës së refugjatëve. Çdo qytetar i thjeshtë e kupton se është një boshllëk i pajustifikuar të diskutohet dhe të arrihet rezultat për çështjen e refugjatëve, pa përfshirë Turqinë, e cila është shteti kufitar me burimin e lumit të refugjatëve, Sirinë. Çdo qytetar i thjeshtë e kupton se nuk mund ta diskutojnë vetëm katër shtete ballkanike pa Turqinë çështjen e refugjatëve, në një kohë që Bashkimi Europian ka nënshkruar një marrëveshje të madhe strategjike me Turqinë për krizën e refugjatëve, duke gjykuar se Turqia është partneri kryesor për zgjidhjen e krizës së refugjatëve nga Siria. Është e qartë se formatet e gjymtuara të konferencave të nismave greke shprehin gjymtimin e vetë objektivit apo përmbajnë që në start mosrealizimin e tyre.
Defekti i dytë i madh i nismave diplomatike greke ka të bëjë me detyrat që i kanë vënë vetes. Po të shohësh komunikatën e përbashkët të Konferencës së Sigurisë në Rodos të 9 shtatorit, rezulton se temat e diskutuara dhe që do të jenë objekt i bashkëpunimit të shteteve pjesëmarrëse, janë: arsimi, migrimi, refugjatët, mbrojtja e ambientit, ndryshimet klimaterike, mjedisi detar, teknologjitë e gjelbra, prodhimi i energjisë, siguria detare, thellimi i kanalit të Suezit, lufta kundër terrorizmit, bashkëpunimi i shërbimeve sekrete etj., etj. Nuk besoj se edhe vetë OKB-ja mund të ketë rend më të pasur çështjesh për diskutim në gjithë seancat e saj plenare prej mbi 70 vitesh. Se sa lidhen gjithë këto çështje me sigurinë dhe stabilitetin e Mesdheut Lindor dhe sa do të jetë në gjendje kjo konferencë të ndikojë për zgjidhjen e qoftë edhe të njërës nga këto tema, përgjigjen e gjen te formulimi “mision i pamundur”.
Nëse shohim detyrat e katërpalëshit ballkanik të Greqisë me tre nga fqinjët e saj, zyrtarisht është thënë se janë mbledhur, dhe madje do të mblidhen rregullisht çdo gjashtë muaj, për të përballuar krizën e refugjatëve. Mirëpo ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias, në mbledhjen e Selanikut u parashtroi homologëve të tij fqinjësorë një platformë tjetër nga ajo zyrtare. Ai deklaroi se “ministrat ndjejnë nevojën të ndihmojnë drejt zhvillimit institucional të vendeve tona dhe të sigurojnë financimin, nevojën të zhvillojnë qeverisjen e mirë në të gjitha vendet e rajonit dhe të institucioneve të forta demokratike. Ne ramë dakord të gjithë që të gjejmë veten në një proces të rindërtimit për të përballuar problemet e mëdha të kohës sonë”. Na del një barrë të madhe globale e mandatit të katërpalëshit ballkanik, e cila nuk mund të mos krijojë skepticizëm për arritjen e këtyre objektivave ambiciozë, të shpallur nga Kociasi, sepse janë objektiv të cilat i ka Bashkimi Europian për të gjitha shtetet kandidate ose aspirante për në BE, dhe për të cilat BE-ja po punon prej dekadash. Përgjigjja e pyetjes, nëse do të arrijë Greqia të bëjë atë që nuk po e bën dot BE-ja, është tepër e thjeshtë. Absurditeti i nismës diplomatike greke me tre shtetet fqinje të rajonit arrin kulmin, kur ministri i Jashtëm grek deklaron se “ne ramë dakord që duhet të mbështesim politika të njëjta dhe të përbashkëta për sa u takon Jordanisë dhe Libanit. Ne duhet të kontribuojmë për stabilitetin e Egjiptit.” Se ç’punë kanë ministrat e Jashtëm dhe të Brendshëm të tre shteteve fqinje ballkanike të Greqisë të merren në këtë nismë greke me Libanin, Jordaninë dhe Egjiptin, kjo përbën një enigmë mitologjike greke, të cilën as vetë ministri i Jashtëm grek nuk mund ta arsyetojë.
Duke trajtuar këto nisma efemere diplomatike greke nuk mund të mos shtrohet pyetja se sa larg duhet të shkojë kortezia diplomatike e shteteve pjesëmarrëse në këto nisma të diplomacisë greke. E theksoj këtë element, sepse ministri i Jashtëm grek po i lejon vetes t’i shesë shumë ide dhe qëndrime të tij dhe të qeverisë greke sikur janë dhe qëndrime të shteteve pjesëmarrëse në këto nisma. Në fjalën para shtypit në mbyllje të konferencës së Rodosit, ministri i Jashtëm grek deklaroi se për konferencën, “parimi i parë është që ne nuk duam ndërhyrje nga palë të treta në rajon. Rajoni duhet të zhvillojë interesat e tij të brendshme”. Reagimi i parë i menjëhershëm ndaj këtij qëndrimi është se cila qenka ajo palë e tretë, që ministri i jashtëm grek e shpall se e ka të ndaluar të hyjë në Mesdhe. Burime diplomatike shprehen se aluzioni i ministrit të Jashtëm grek u drejtohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Reagimi i dytë, që ngjall deklarata e Kociasit, është për të mësuar nëse vërtet edhe shtetet e tjera pjesëmarrëse janë dakord me këtë afishim, që ministri i Jashtëm grek e shpall si të përbashkët. Unë prirem të mos besoj se Shqipëria apo Bullgaria janë dakord me këtë qëndrim të ministrit të Jashtëm prorus të Greqisë kundër “palëve të treta”. Mirëpo në diplomaci gjërat duhen bërë të qarta, si për atë që flet në emër të të tjerëve, ashtu edhe për shtetet aleate dhe për opinionin publik ndërkombëtar dhe vendas.
Analiza e nismave diplomatike greke tregon se jemi përpara një spektakli diplomatik ballkanik të nismave për hir të nismave. Është një stil sovjetik i diplomacisë, pas të cilit ministri i Jashtëm grek Nikos Kocias është tepër i apasionuar. Ky stil i nismave për hir të nismave i përket shkollës diplomatike sovjetike të kohës së Leonid Brezhnjevit, si sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (1964-1982), kur pothuajse çdo javë Moska shpallte nga një nismë diplomatike për çarmatimin. Por Bashkimit Sovjetik i shkonte, sepse ishte një nga dy superfuqitë e botës dhe donte të demonstronte peshën e tij diplomatike ndërkombëtare nëpërmjet bumit të nismave diplomatike, të cilat ishin të detyrueshme për shtetet që i përkisnin perandorisë komuniste. Por është vështirë të shpjegosh një stil diplomatik megaloman të diplomacisë greke me njërën nismë diplomatike pas tjetrës, kur Greqia është një shtet i vogël, i varfër, i mbytur në borxhe, i cili s’mund të ndikojë dhe as mund të imponojë kursin dhe synimet e veta diplomatike. Greqia është një shtet në krizë të thellë financiare, ekonomike, politike, institucionale, administrative, një shtet i zhytur në borxhe, dhe të cilit mund t’i duhen disa dekada të djersijë fort që të paguajë kreditë mbytëse, që ka qenë i detyruar t’u marrë kredidhënësve europianë, të cilët e shpëtuan nga mbytja financiare. Siç konstaton me të drejtë studiuesi grek Thanos Dokos, kriza financiare është shpata e Damokleut mbi politikën e jashtme greke. Por këtë shpatë nuk e ka parë akoma Nikos Kocias. E thënë më thjesht, politika e jashtme greke nuk mund t’i vërë vetes dhe as mund të realizojë më dot ata objektiva rajonalë drejt Ballkanit apo drejt Mesdheut apo drejt Lindjes së Mesme, që ka pasur dhjetë vjet më parë. Në vizionin dhe në stilin komunist revolucionar të ministrit të Jashtëm dhe të qeverisë aktuale greke, dobësitë dhe fuqitë e lëna nuk shihen dhe as pranohen, dhe i caktohen diplomacisë dhe politikës së jashtme detyra dhe ambicie, përtej mundësive dhe realiteteve. Në diplomacitë majtiste aspekti propagandistik është kryesori dhe diplomacia e sotme greke në këtë kuadrat lëviz. Ajo po ndërmerr gjithë këto nisma diplomatike për të krijuar në opinionin publik grek përshtypjen se Greqia është shtet i fortë, se ajo po mbledh shtete dhe konferenca ndërkombëtare, se asaj po i dëgjohet fjala apo siç pretendon gazeta “Kathimerini”, se Greqia po vendos veten në hartën gjeopolitike. Pa dyshim, në këtë arkitekturë fuqie iluzore ministri i Jashtëm grek kujdeset që të vendosë portretin e tij si prodhues nismash të njëpasnjëshme dhe të forcojë pozitat e tij politike dhe ideologjike. Mund të thuhet se ministri i Jashtëm grek po e drejton Ministrinë e Jashtme si një shoqatë joqeveritare, e cila e gjen veten duke organizuar vetëm panele dhe workshop-e.
Në sistemin ndërkombëtar të shteteve rolin kryesor e ka fuqia e një shteti dhe jo pretendimet e hijes së mëngjesit për fuqinë, të cilat janë tipar i diplomacisë aktuale greke. Nismat e njëpasnjëshme diplomatike greke nuk dëshmojnë as forcim dhe as rritje të prestigjit të Greqisë, siç pretendon “greek.reporter” e datës 9 shtator. Ato tregojnë një inflacion të nismave diplomatike dhe një rrugë të gabuar të diplomacisë greke, e cila në vend që të bëhet e ndërgjegjshme për mundësitë e kufizuara që ka, vazhdon në rrethin virtual të një kohe të shkuar. Diplomacia greke do të bënte mirë t’i kursente arkës së shtetit gjithë ato mjete financiare, që po ua kushton nismave diplomatike të pafrytshme, duke humbur para dhe kohë.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more