Skip to main content

“Fushata për Dibrën, kandidati i PS takim me gra e vajza” plus 9 more - Gazeta Dita

“Fushata për Dibrën, kandidati i PS takim me gra e vajza” plus 9 more - Gazeta Dita


Fushata për Dibrën, kandidati i PS takim me gra e vajza

Posted: 05 Sep 2016 02:25 AM PDT

Kandidati i koalicionit "Aleanca për Shqipërinë Europiane", Muharem Rama zhvilloi një takim me gra e vajza të qytetit të Peshkopisë.

Në këtë aktivitet ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij Brunilda, kryetarja e Forumit të Gruas së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka dhe deputetja Blerina Gjylameti.

Duke u ndalur tek kandidatura e së majtës për Bashkinë e Dibrës, Xhaçka tha se Rama është alternativa më e mirë që ofrohet para zgjedhësve.

"Ne si gra kemi zgjedhur për të mbështetur kandidatin më të mirë të mundshëm, i cili me punën dhe veprën e tij të një jete të tërë e ka treguar se është njeri i punës, i sakrificës, i përkushtimit, ndaj grave, ndaj fëmijëve dhe ndaj njerëzve në nevojë", u shpreh Xhaçka.

Nga ana e tij, kandidati Rama shprehu gjithashtu bindjen se me mbështetjen e grave dhe vajzave të Dibrës, fitorja do të jetë më e lehtë për t'u arritur në votimet e kësaj fundjave.

"Me gjithë këtë mbështetje që më keni dhënë ju sot, si motra e si nëna, unë shikoj sot këtu fillimin e fitores për gjithë Bashkinë e Dibrës. Me forcën tuaj, fitorja është e sigurtë", u shpreh kandidati Rama.

Historia vëllavrasëse e dy ish-aleatëve

Posted: 05 Sep 2016 02:20 AM PDT

Nga Marie Jégo dhe Marc Semo/

Rivalitet, tradhëti dhe hakmarrje janë elementët në themelin e luftës vëllavrasëse që vë përballë njëri tjetrit Rexhep Taip Erdoganin me predikuesin Fethullah Gulen, ish aleat dhe sot armik i betuar i Presidentit turk.

Lufta e pamëshirshme midis këtyre dy nacionalistëve të zjarrtë dhe myslimanëve të devotshëm ka tronditur Turqinë, siç e dëshmon edhe tentativa e grushtit të shtetit të 15 korrikut, atësia e të cilit i është atribuar ish imamit nga Erdogani.

Të dy konservatorë dhe shumë fetarë, Guleni dhe Erdogani ndajnë prej kohësh të njëjtin projekt: një riislamizim të thellë të Turqisë, që pas dekadash laiciteti republikan relativ duhet të kthehet në rolin e saj të drejtuesit të botës sunite, si në kohën e Perandorisë Otomane.

I quajtur nga ndjekësit e tij hoxhë effendi, Guleni këmbëngul më shumë në dialogun ndërfetar dhe në hapjen ndaj perëndimit. Ku ish imam 75 vjeçar shëndetlig dhe me predikime paternalistike, që në 1999 është strehuar në Pennsylvania të Shteteve të Bashkuara, drejton një vëllazëri fillimisht të frymëzuar nga sufizmi, e bërë vitet e fundit shumë influente, një pushtet okult i gjerë.

Në të kundërt Erdogani, tribun me cifla populiste, President dhe kreu karizmatik i AKP-së (Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, formacion islamisto – konservator në pushtet në Turqi prej 14 vjetësh) përqëndrohet sidomos mbi aksionin politik.

Për një kohë të gjatë të dy kanë qenë rivalë, më pas aleatë dhe së fundi armiq të përbetuar. "Pas rënies së republikës laike, po asistojmë në betejën e parë të republikës fetare", ka vërejtur Soli Özel, politolog dhe profesor universitar, në fillim të përplasjes midis të dyve, në kapërcyellin midis 2012 dhe 2013. Grushti i shtetit ka qenë akti i fundit i këtij konflikti.

Ndoshta edhe ai vendimtar, pasi Erdogani, i forcuar nga dështimi i puçistëve, është më shumë se kurrë i vendosur që ta çrrënjosë këtë grup që prej tri vjetësh e përkufizon si një "shtet parallel", "bandë kriminale", "qelizë kanceroze" në shoqërinë turke. "Siç ka ndodhur me organizatat e tjera, kam ndihmuar edhe këtë strukturë, duke menduar se do të mund të arrinim në një platform të përbashkër, edhe pse shumë prej aspekteve të grupit nuk më pëlqenin", ka deklaruar përpara dinjitarëve kryesorë fetarë të vendit me 3 gusht, duke ju referuar ndjekësve të Gulenit.

Në një akt të rrallë sinqeriteti, Presidenti është shprehur "i keqardhur që pse nuk e kam zbuluar më parë fytyrën e vërtetë të kësaj organizate tradhëtarësh".

Komunitet dhe prozelitizëm

Një pedagog universitar në Stamboll, që në klimën aktuale e gjuetisë së shtrigave preferon të ruajë anonimatin, shpjegon se kësaj radhe

"Erdogani është më i vendosur se kurrë të shkojë deri në fund. Shtyhet nga një shpirt hakmarrjeje: ndjehet personalisht i tradhëtuar nga Guleni, të cilit gjithmonë nuk i ka besuar, por me të cilin ishte aleat sapo ka hipur në pushtet". Profesori nënvizon se lideri i AKP-së "e di shumë mirë sesa pushtet kanë gulenistët në shoqëri, pasi ka qenë vetë ai që e ka mundësuar një gjë të tillë".

Kjo shpjegon edhe shtrirjen e spastrimeve të fundit: më shumë se 17000 të ndaluar, prej të cilëve gjysma e transformuar në arrestime; më shumë se 60000 funksionarë shtetërorë të shkarkuar; dhjetëra midis gazetave, televizioneve dhe radiove të mbyllura. Janë vënë në shënjestër edhe qindra shkolla private, gjimnaze dhe universitete, midis të cilëve i famshmi Universiteti Fatih në Stamboll.

Për t'u konsideruar i dyshuar mjafton që të kesh marrë një të drejtë studimi nga organizata e Gulenit ose të disponosh një llogari në bankën Asya, zemra financiare e galaktikës së fetullahçinjve, ndjekësve të ish imamit.

Aderimi në Tuskon, konfederatën që përfshin biznesmenët afër me Gulenin, konsiderohet si një formë besnikërie ndaj lëvizjes. "Janë tashmë 40 vjet që organizata i shtrin tentakulat e saj në të gjithë Turqinë. Në rrethana të zakonshme, do të duheshin 20 vjet për t'i shkulur", ka deklaruar Zëvendëskryeministri Nurettin Canikli. Por sa janë vërtet ndjekësit e Gulenit?

Në momentin e ekspansionit maksimal vlerësohej se qenë 1 milion, ndoshta deri dyfishi. "Në vitet Nëntëdhjetë nuk ishte vetëm organizata fetare kryesore e vendit, por edhe lëvizja civile më e rëndësishme", shpjegon sociologia Elise Massicard. Opaciteti dhe shtrirja e rrjeteve të influencës së fetullahçinjve kanë ushqyer çdo lloj dyshimesh.

Me prozelitizmin misionar të tij, cemaat-i (komuniteti) i Gulenit të kujton në një farë mënyre levizjet evangjeliste amerikane, pork a edhe shumë tipare të përbashkëta me Opus Dei, sidomos me aftësinë sistematike të tij për të infiltruar në ingranazhet e administratës publike dhe në strukturat shtetërore.

Një fenomen i denoncuar prej kohës nga opozita laike, që ka qenë viktima e parë e fetullahçinjve kur AKP-ja dhe Guleni qenë aleatë, midis 2002 dhe 2012. Lëvizje e frikshme, sa jotipike, vëllazëria funksionon si një nebulozë shoqatash të çdo lloji, active vecanërisht në sektorët e arsimit, të biznesit dhe të informacionit.

Është edhe shumë e bashkuar. "Bëhet fjalë për një strukturë të centralizuar dhe piramidale. Guleni është një maniak i kontrollit", vëren Ruşen Çakır, specialist i islamit politik turk dhe autor i një libri mbi gulenistët, "Vargu dhe sllogani", i botuar në 2005.

Por a është vërtet sekt vëllazëria e gulenistëve? Jo tamam. Mund të hyhet e të dilet nga grupi pa problem. "Nuk ka teserë anëtarësie, sa më shumë të jesh aktiv, aq më shumë përkatësia ndaj komunitetit forcohet.

Bëhet fjalë për një impenjim personal intensiteti i të cilit mund të ndryshojë gjatë jetës", shpjegon një biznesmen i vogël që për një përiudhë të caktuar ka qenë pjesë e hizmet-it (shërbimit), siç e quajnë ndjekësit lëvizjen midis tyre.

"T'u shërbesh njerëzve nënkupton t'i shërbesh Zotit", parapëlqen të kujtojë Guleni. Dhe ky impenjim konkretizohet në sohbet-e, struktura të vogla informale ku mblidhen persona të të njëjtit sector. Këtu shkëmbehen ide dhe bëhen projekte: për shembull, një qendër për studentë në periferi apo një gjimnaz i subvencionuar më donacione private në një vend afrikan.

Guleni, që si imam përpara se të bëhej i tillë ishte funksionar public, deklaron hapur se frymëzohet nga Said Nursi (1877 – 1960), një teolog sufi me origjinë kurde, sipas të cilit 3 armiqtë kruesore të njerëzimit ishin "Zotëri Injoranca, Zonjë Varfëria dhe Mjeshtër Përçarja".

Hoxhë efendiu e riinterpreton mësimin e tij në kuptimin modernist, është i bindur se urdhërimet e ligjit islamik duhet të kenë të bëjnë parasëgjithash me jetën private edhe është në favor të demokracisë e të liberizmit ekonomik. Objektivi i tij është një "islam edukativ", edhe pse shumë konservator.

Veç kësaj, dega e sufizmit të cilit Guleni pohon se i përket ka veçantinë se njeh vlerën e shkencës, në kundërshtim nga korrentet e tjera të islamit. Në këtë mënyrë, projekti i Gulenit kundërvihet me atë të Millî Görüş (rrugës kombëtare), lëvizjen e ish Kryeministrit Necmettin Erbakan. Kryeministër i një qeverie islamiste midis 1996 e 1997, Erbakani qe edhe mentori politik i Erdoganit, lëvizja e tij konsiderohej e afërt me Vëllazërinë Myslimane.

Në zemër të shtetit

Guleni paraqitet gjithmonë si "islamist i mirë". Si patriot i zjarrtë mbështetti grushtet e shtetit ushtarake të 1980 e të 1997, kur ushtria detyroi Erbakanin të largohej pa përdorur dhunë. Dështimi i Erbakanit bindi Erdoganin të ndryshojë strategji dhe t'i japë jetë AKP-së, një parti islamike modern, që proklamohej e hapur ndaj demokracisë, Europës dhe ekonomisë së tregut: të gjitha tema të dashura për gulenistët.

Pas fitores në zgjedhjet e 2002, AKP-ja kishte nevojë të madhe për kuadro islamistë të përgatitur mirë që të merrnin në dorë levat e shtetit dhe për të larguar drejtuesit kemalistë dhe ushtarakët. Vetëm cemaat-i mund ta ndihmonte.

Në pranverën e 2013, me rastin e një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara, Erdogani theksonte akoma se takimi me Gulenin ishte nderi më i madh që njeriu mund të kishte. Infiltrimi i gulenistëve kishte nisur vite më parë dhe kishte qenë i ngadaltë, i aftë, diskret, por i pandalshëm.

"Njerëzit pushuan së pasuri frike nga shteti kur një numër i mjaftueshëm i tyre mund ta gjente vendin e tij dhe të thoshte: ky është shteti im", shkruante Mustafa Yeşil, President i Fondacionit për Shkrimtarët dhe Gazetarët. Qëllimi gulenist ishte ta transformonte republikën kemaliste nga brenda, nëpërmjet një infiltrimi sistematik.

Lëvizja u jepte të drejta studimi të rinjve më premtues që të studionin jurisprudencë, në mënyrë që të provonin më pas të futeshin në polici, prokurori apo në akademitë ushtarake. Pas tentativës së grushtit të shtetit të 15 korrikut, autoritetet turke janë impenjuar për të zbuluar në detaje sesi gulenistët kishin ngritur në këmbë një sistem që u jepte paraprakisht të mbrojturve të tyre përgjigjet e konkurseve për të hyrë në akademitë ushtarake. "

Një investigim ka demonstruar se përgjigjet e provimeve vidheshin sistematikisht dhe se rreth 70 – 80 përqind e studentëve i kalonte provimet falë këtyre dallavereve", ka deklaruar Ahmet Zeki Üçok, një ish prokuror ushtarak, në një intervistë të 2 tetorit 2015 për agjencinë Bloomberg. Infiltrimi klandestin është në themel të të gjithë lëvizjes.

Në një vide të 1999, imam Guleni i ftonte dishepujt e tij që të "penetronin në arteriet e sistemit pa rënë në sy për kapjen e qendrave të pushtetit" dhe të "prisnin deri në momentin e marrjes së pushtetit". Po atë vit, pushteti kemalist hapte një hetim gjyqësor kundër tij, Guleni u largua drejt Shteteve të Bashkuara.

Nga këto akuza predikuesi u lirua më 2006, kur tashmë ndjekësit e tij kontrollonin një pjesë të mirë të prokurorisë me miratimin e AKP-së. Gjithësesi, për maturi, Guleni ka preferuar të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara.

Atëhere infiltrimi i gulenistëve synonte parasëgjithash forcat e policisë. Në 2007 ndjekësit e imamit nisën të vënë në shënjestër kemalistët e pranishëm në ushtri. Qindra oficerë u procesuan për komplot të spuozuar kundër AKP-së në kuadër të dy proceseve të mëdha publike (Ergenekon dhe Balyoz) të ndjekur më vëmendje të madhe nga mjetet e informimit.

Ushtarakë, gazetarë dhe avokatë pësuan dnëime shumë të rënda mbi bazë provash false. Këto vendime më pas u anulluan midis 2014 dhe 2015, pas prishjes së Erdoganit me Gulenin. "Me të gjitha këto operacione kundër ushtarakëve, fetullahçinjtë na kanë gënjyer", ka pohuar Erdogani me 19 mars 2015, me rastin e dhënies së diplomave në Akademinë Ushtarake të Stambollit, që mezi priste ta harronte mbështetjen e tij të dikurshme ndaj proceseve të nisura nga gulenistët.

Gjatë viteve të mëparshme gulenistët gjithësesi kishin arritur t'i vendosnin njerëzit e tyre deri në majat e larta e hierarkisë shtetërore. Pushteti i tyre ishte rritur ndjeshëm. "Kush prek cemaat-in, digjet" vërente në 2011 gazetari investigative Nedim Şener, që ashtu si kolegu Ahmet Şık ka kaluar një vit në burg pse ka kërkuar të denoncojë pushtetin e fetullahçinjve.

"Si shumë kolegë të tjerë, jam arrestuar në mëngjes nga policë gulenistë. Pastaj kam dalë përpara një prokurori gulenist që më ka çuar tek një gjykatës gulenist. Gjithçka është treguar nga gazeta dhe televizione guleniste", rrëfen Şık.

Komplote dhe skandale

Fërkimet e para midis predikuesit dhe Erdoganit kanë nisur me 7 shkurt të 2012, kur një prokuror në Stamboll i afërt me cemaat-in ka thirrur Hakan Fidan, shefin e shërbimeve sekrete turke (MIT). Marrja në pyetje kishte të bënte me negociatat sekrete të drejtuara nga Fidan me separatistët kurdër të PKK-së (Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, lashtë ligjit në Turqi) me kërkesën e Erdoganit.

Kryeministri i atëhershëm e ka parë iniciativën si një sulm personal dhe, për hakmarrje, ka urdhëruar mbylljen e shkollave përgatitore (dershane) të vëllazërisë, fidanishte në kuptimin e vërtetë të fjalës e kuadrove të lëvizjes. Rreshtimi gulenist ka kaluar në kundërsulm me 17 dhjetor 2013, kur disa prokurorë të Prokurorisë së Stambollit të lidhur me vëllazërinë kanë urdhëruar arrestimin e 50 personave të afërt me elitën në pushtet të dyshuar për mashtrim dhe qëllime përfitimi.

Në burg kanë përfunduar edhe djemtë e tri ministrave dhe Süleyman Arslan, Administrator i Deleguar i bankës publike më të madhe turke, Halkbank: në shtëpinë e tij policët kanë gjetur 4.5 milion dollar në kesh të fshehura nëpër kuti këpucësh. Më pas shtypi ka botuar përgjimet e bisedave private të drejtuesve të ndryshëm politikë, midis të cilëve vetë Erdoganit.

Tanxhente, dhurata të kushtueshme për ministra dhe bankierë, trafik floriri me Iranin: zbulimet e mjeteve të informimit dukesh të pafundme. Skandali ka goditur edhe Kryeministrin, i detyruar që të kryejë një riorganizim qeverie. Duke folur për komplot, Erdogani ka akuzuar ish aleatin e tij se ka kërkuar që ta detyrojë të dorëhiqet.

Por ky skandal është sfumuar shumë shpejt. Me 25 dhjetor 2013 ministrat e akuzuar për korrupsion – Erdoğan Bayraktar (Mjedis dhe Urbanistikë), Zafer Çağlayan (Ekonomi), Muammer Güler (i Brendshëm) dhe Egemen Bağış (Çështje Europiane) – janë shkarkuar nga postet e tyre.

Të hetuarit e tjerë janë lëshuar në tetor të 2014, ndërsa prokurorët që drejtonin hetimet (Zekeriya Öz, Celal Kara dhe Mehmet Yüzgeç), të goditur nga ana e tyre prej një urdhër arresti, janë arratisur jashtë vendit. Prishja me gulenistët është përjetuar nga Erdogani si një tradhëti – "na kanë ngulur thikën pas krahëve" – dhe ka shkaktuar një seri spastrimesh në polici, në prokurori, në botën e financës dhe të shtypit. Me 9 shkurt të 2015 banka Asya është vënë në mbikëqyrje.

Enti rregullator (BDDK) ka marrë kontrollin e këshillit administrues dhe të 63 përqind të kapitalit. Zyrtarisht banka është akuzuar për një "mungesë trasparence". Dueli midis dy ish aleatëve është ashpërsuar tmerrësisht. "Turqia ka arritur një pikë në të cilën demokracia dhe të drejtat e njeriut praktikisht janë zhdukur", ka shkruar ish imami në një notë drejtuar votuesve turq në fillim të shkurtit 2015, duke ju kërkuar që të mos votonin për AKP-në në zgjedhjet politike që do të mbaheshin pak muaj më vonë, me 7 qershor.

"Po je imam apo pronar banke?", i ka reguar Erdogani ish aleatit të tij. Disa muaj më vonë, lufta ndaj vëllazërisë guleniste është bërë një prej prioriteteve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Miti i armikut të brendshëm

Nga tentative e grushtit të shtetit të 15 korrikut vëllazëria dhe anëtarët e saj janë pasqyruar si përgjegjësit e të gjitha të këqijave që kanë rënë mbi vendin nga vitet Nëntëdhjetë e këtej. Janë kokat e turkut e përsosura. Djegia e 1993 në Hotelin "Madimak" në Sivas, ku vdiqën 37 intelektualë të majtë dhe anëtarë të pakicës alevite?

Kanë qenë gulenistët. Vrasja e gazetarit armen Hrant Dink me 9 janar 2007? Gjithmonë ata. Rrëzimi i një avionic ushtarak rus me 24 nëntor 2015? Sërish ata (pas 15 korrikut pilotët turq përgjegjës për incidentin kanë rrëfyer se janë ndjekës të Gulenit).

E krahasuar me sektin e hashishinëve nga Presidenti Erdogan në diskutimin e tij për autoritetet fetare të 3 gushtit, vëllazëria është akuzuar se "u ka vjedhur të kaluarën dhe të tashmen mijëra njerëzve". Ndërkohë spastrimet vazhdojnë, me konsensusin e pjesës më të madhe të opinionit publik, sepse miti i armikut të brendshëm mbetet instrumenti më i mirë që liderët populistë kanë për të nxehur turmat.

"Sikur organizata të kishte arritur ta përfundonte me sukses grushtin e shtetit, Guleni do të ishte pritur si triumfator. Të gjithë e dinë se prapa cemaat-it qëndrojnë Shtetet e Bashkuara, NATO, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Vatikani, Izraeli, Bashkimi Europian dhe lozhat masonike. Po përgatisnin proceset për të dërguar Presidentin Erdogan në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Hagës.

Sikur të kishin fituar, dhjetëra mijëra njerëz do të pushkatoheshin", ka shkruar me 3 gusht Abdurrahman Dilipak, editorialist i së përditshmes qeveritare "Yeni Akit", e konsideruar zëdhënëse e pushtetit. Një pushtet që përdor teoritë e komplotit për të mobilizuar popullatën kundër "tradhëtarëve" dhe "agjentëve të huaj".

Le Monde-Bota.al

Viktor Tushaj emërohet në krye të AKBN

Posted: 05 Sep 2016 02:07 AM PDT

Viktor Tushaj do drejtojë Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN).

Ish kryebashkiaku i Lezhës, zëvendëson në këtë post Dael Dervishi.

Ky i fundit dha të premten dorëheqjen nga posti i Drejtorit të AKBN-ë që prej 30 nëntorit të vitit 2013-të.

Mësohet se Dervishi, përfaqësues i LSI-së, la detyrën për arsye personale, pasi mësohet se do të largohet në SHBA për një program shkencor.

Dorëheqjen e tij ai e ka paraqitur sot tek ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri.

Serbia helmoi babain e Shën Terezës?

Posted: 05 Sep 2016 02:04 AM PDT

Babai i Shën Terezës është helmuar nga qeveria serbe e vitit 1919. Kështu shkruhet në biografinë e autorizuar të shenjtores shqiptare e cila është përkthyer në gjermanisht.

Duke qënë se ai ishte një aktivist i një lëvizje që synonte bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, serbët arritën të eleminonin Nikolla Bojaxhi.

Anëtarët e familjes dyshojnë se ai u sëmur papritur pas një takimi politik në Beograd.

Edhe mjekët nuk arritën dot të jepnin një shpjegim për vdekjen e tij, pasi ai ishte në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

 Lexoni pjesën e shkëputur nga biografia!

“Me 28 nëntor 1912 në shtëpinë Bojaxhiu u festua Deklarata e Pavarësisë me një gosti të madhe dhe kremtim të bujshëm. Nikolla nga natyra ishte një mikpritës: Dera e shtëpisë së tij ishte e hapur për të gjithë, që nga të varfëritë e Shkupit, deri te arqipeshkvi që banonte aty.

Në këtë natë të veçantë shtëpia tij ishte e mbushur me patriot shqiptarë, të cilët deri në të gdhirë diskutonin dhe këndonin me mandolinë. Mikpritësi nuk fshihte qëndrimin e tij për çështjen kombëtare të Shqipërisë.

Po ky angazhim e futi atë në një Lëvizje, që ishte themeluar pas Luftës së Parë Botërore dhe kishte për qëllim ti bashkojë Shqipërisë provincën e Kosovës, e cila ishte e banuar kryesisht me shqiptarë. Për këtë arsye Nikollë Bojaxhiu në vitin 1919 shkoi një herë për një takim politik në Beograd.

Ai kishte braktisur shtëpinë me shëndet shumë të mirë dhe i shoqëruar nga një këshilltar bashkiak. Kur u kthye, me pajton, i shoqëruar nga konsulli italian, qe sëmurë për vdekje. Ai kishte gjakderdhje të madhe dhe menjëherë u dërgua në spital, ku edhe operacioni nuk arriti të përmirësojë gjendjen.

Nikollë Bojaxhiu ishte 45 vjet kur vdiq. Akoma është sekret arsyeja e vdekjes së tij, mirëpo pati anëtarë të familjes si dhe mjekë, që qenë të sigurtë se Nikollë Bojaxhiun e kishin helmuar."/Zeri.

Fillimi i fundit të Merkel!?

Posted: 05 Sep 2016 01:42 AM PDT

Partia e kancelares gjermane, Angela Merkel, vuajti një humbje poshtëruese në zgjedhjet e zhvilluara në shtetin Mecklenburg-Vorpommern në verilindje të Gjermanisë.

Alternativa për Gjermaninë (AfD) mori rreth 21 përqind të votave, duke befasuar shumëkënd.

Ndërkohë në vend të parë u pozicionuan socialdemokratët e SPD me 30 përqind të votëve.

CDU e Merkel mori vetëm 19 përqind të votave, rezultati më i keq ndonjëherë në këtë shtet.

Sipas BBC, kjo është një humbje poshtëruese për kancelaren Merkel, jo vetëm sepse vjen në zonën e saj elektorale, por sepse zgjedhjet shihen si një test i rëndësishëm përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm, ku Merkel synon mandatin e katërt.

Për shkak se është rritur ndjeshëm partia Alternativa për Gjermaninë, një parti anti-emigrantësh, votimi sugjeron se kjo ka qenë një shuplakë për politikat e Merkel në këtë drejtim.

Mecklenburg-Vorpommern është një nga shtetet më të varfëra në Gjermani dhe zakonisht zgjedhjet vendosen nga politikat ekonomike.

Por këtë herë duket se vendosi çështja e refugjatëve.

Një zyrtar i lartë i CDU tha se ky është një rezultat katastrofik.

Kurse një drejtuese e Alternativës për Gjermaninë, partia që ka pak kohë që është krijuar, por ka njohur një rritje meteorike, tha se "Merkel e rrëzoi veten vetë".

Frauke Petry mbërriti në festën e partisë me një varkë, kurse të tjerë zyrtarë të AfD thanë se ky është fillimi i fundit të Merkel.

Të vizitosh Shqipërinë me biçikletë kushton 950 euro

Posted: 05 Sep 2016 01:35 AM PDT

BikeTours.com, i cili nuk është një tur-operator biçikletash, por një broker që përmbledh disa agjenci udhëtimesh e ka përfshirë Shqipërinë si një destinacion që ofron itinerare tërheqëse. Një udhëtim i cili përfshin jo vetëm sigurimin e mjetit, por edhe akomodimin, ushqimin.

Mesatarisht kostoja ditore llogaritet në rreth 150 euro (po mund të ndryshojë në varësi të përzgjedhjes). Udhëtimi për në Shqipëri i quajtur ndryshme si "President'tours" është për 9 ditë, me përshkrim deri në 37 milje në ditë, në sitet e mbrojtura nga UNESCO me lumenj, fusha etj me një kosto prej 950 euro ose 1,050 dollarë.

Është "The island now" që ka publikuar përvojën shqiptare të Karen Rubin, i cili e ndërmori këtë tur së bashku me dy djemtë e tij ( ku përfshihej edhe ai në Danub e turi në Greqi)

"Në udhëtimin në Shqipëri ne u drejtuam nga një guidë. Në çmim ishin të përfshirë edhe tre vakte. Ushqimi ishte i bollshëm dhe shpesh i kërkonim guidës që të porosiste më pak. Patëm një përvojë me kajaki në detin e Jonit, si dhe një shëtitje në liqenin e Ohrid në pjesën maqedonase. Biçikletat ishin luksoze dhe na ndihmonin që të ngjisnim terrene të vëshira, ndërsa pas nesh gjithmonë kishin një furgon të vogël, por shumë komod", shkruan Rubin.

Jim Johnson, president i BikeTours.com, i cili ka dizenjuar këtë tur të veçantë që quajtur "President's Tour of Albania", gjatë shoqërimi të grupit shprehet : "Kjo nuk është Shqipëria  e para 10 viteve dhe as ajo e 10 viteve që do të vijnë".

"Gjatë udhëtimit tim vërejta se çmimet këtu janë tmerrësisht të ulëta. Një gotë verë cilësore ishte rreth 2 dollarë. Një gotë birrë rreth 1 dollarë, mund të konsumoje një vakt të plotë me më pak se 8 dollarë". Me pak fjalë një surprizë e këndshme për të gjithë ata që vendosin të vizitojnë këtë vend.

Një tjetër surprizë, për ne amerikanët janë njerëzit që janë miqësorë, të mirëkuptueshëm dhe të gatshëm për të të ndihmuar gjithmonë. Çdo ditë ishte e veçantë, na shfaqeshin tablo të ndryshme, gjeografike dhe sociale. Asnjëherë nuk dihet se çfarë mund të vijë në kthesën pas"./MONITOR

“Kam nevojë të masturbohem, jam në stres”!!!

Posted: 05 Sep 2016 01:25 AM PDT

Një anëtar i Parlamentit Evropian është arrestuar pasi dyshohet për veprime të pahijshme në publik.

Bëhet fjalë për deputetin francez Robert Rochefort, i cili u arrestua të mërkurën në qytetin e Velizy, pranë Parisit, për sjellje të pahijshme para të miturave në publik.

Nënkryetari i partisë liberale MoDem është përballur me thirrje që të japë dorëheqjen. 60­ vjeçari u arrestua në një dyqan pasi një klient e gjeti duke bërë veprime të turpshme pranë dy vajzave adoleshente dhe lajmëroi policinë.

Ai e pranoi akuzën dhe thuhet se u tha oficerëve se "kam nevojë të masturbohem" dhe e justifikoi këtë se ishte "në stres".

Rochefort është mbajtur një natë në burg, por më pas është liruar nga policia, sepse dy vajzat nuk e kanë akuzuar atë.

Rama vizitë zyrtare në Slloveni

Posted: 05 Sep 2016 01:15 AM PDT

Kryeministri Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore në Slloveni.

Në këtë vizitë zyrtare, Kryeministri shoqërohet nga Milva Ekonomi Ministre e Zhvillimit Ekonomik Tregtisë Turizmit dhe Sipërmarrjes, Eglantina Gjermeni Ministre e Zhvillimit Urban.

Gjatë kësaj vizite, kryeministri Edi Rama do të takohet me homologun e tij slloven Miroslav Cerar, ku është parashikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp, e cila do të zhvillohet në orën 11:00 në Pallatin Presidencial në Lubjanë.

Bie nga kati i 9 i pallatit, humb jetën 13-vjeçari egjiptian

Posted: 05 Sep 2016 01:14 AM PDT

Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin mbrëmjen e së dielës, pak para mesnate.

Një fëmijë me shtetësi të huaj, që dyshohet se është nga Egjipti, ka rënë nga ballkoni i apartamentit ku jetonte në Tiranë dhe ka humbur jetën.

Familja e 13-vjeçarit jetonte prej vitesh në Tiranë.

Sipas informacioneve ngjarja e rëndë ka ndodhur në ish-fushën e aviacionit në katin e 9-të të një pallati.

13-vjeçari ka qenë duke luajtur në ballkon, por dyshohet se ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga katit i 9-të.

Gjatë momentit të aksidentit, 13-vjeçari ishte i vetëm në ballkon dhe familja e ka kuptuar me vonesë ngjarjen e rëndë.

Ata kanë lajmëruar menjëherë ambulancën, por fatkeqësisht ka qenë vonë për 13-vjeçarin, i cili mësohet se ka humbur jetën menjëherë.

Sekreti i Lu-së: Televizionet shqiptare më tërbojnë!

Posted: 05 Sep 2016 01:08 AM PDT

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, në një nga intervistat e tij të rralla për revistën "Mapo", dhënë gazetarit Alfred Lela, tregon përpjekjet e tij për realizimin dhe miratimin e Reformës në Drejtësi. Ambasadori tregon bisedat me Kryeministrin Rama, kryeparlamentarin Meta, kreun e opozitës Basha, por edhe ishkryeministrin Berisha për të arritur konsensusin për miratimin e reformës.

Ai shprehet se ka folur hapur me deputetë të ndryshëm të Kuvendit, duke i treguar edhe pasojat që do të kishin nëse nuk e miratonin atë. Interesin e lartë të SHBA-ve për këtë reformë, Donald Lu e shpjegon me faktin se SHBA-të nuk mund të kenë një partner si Shqipëria apo dhe marrëdhënie tregtare, nëse nuk ka një sistem drejtësie ligjor dhe funksional.

Në rrëfimin e tij për zhvillimet politike në Shqipëri, ambasadori Lu, pasi përmend efektet e para të ligjit të dekriminalizimit, përmes emrave konkretë të të zgjedhurve lokalë dhe qendrorë, shprehet se në zgjedhjet e 2017-s nuk do të ketë më individë me të shkuar kriminale.

Ai flet dhe për traditat shqiptare, si mikpritja, por dhe për ushqimin e shijshëm që ha në restorantet shqiptare. Donald Lu është i mrekulluar me gjuhën shqipe, të cilën vijon ta perfeksionojë, ndërsa nuk harron të përmendë takimet e tij me shkrimtarin e njohur Ismail Kadare, të cilin e vlerëson si thesar kombëtar, ndërsa veçon romanin e tij "Kush e solli Doruntinën".

Zoti ambasador, disa njerëz mund të pyesin se përse ka kaq shumë presion nga amerikanët, nga Departamenti i Shtetit dhe nga ambasada që ju përfaqësoni? Përse kaq shumë presion për këtë reformë në veçanti? Cilat janë interesat e amerikanëve tek ajo?

Unë e kam thënë qartazi se është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që Shqipëria, një aleate e NATO-s dhe e Shteteve të Bashkuara, të ketë një sistem ligjor të ndershëm dhe funksional. Kjo është e rëndësishme për interesat tona për sigurinë, si anëtarë të NATO-s, është e rëndësishme për interesat tona tregtare si partnerë ekonomikë dhe është e rëndësishme që ne të kemi vlera të përbashkëta që ndajmë me njëri-tjetrin, ndërsa Shqipëria ecën përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, dhe ndërsa ecim përpara së bashku në koalicione kudo në botë për të mbrojtur lirinë, kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e asaj çka nënkupton demokracia.

Si jeni ndier, apo çfarë menduat për ata njerëz që ngritën termin apo tezën se Shqipëria do të humbiste sovranitetin, nëse aprovonte këtë ligj? Pati disa gazeta, disa opinionistë, disa politikanë që e ngritën këtë ide. Ishte spekulim?

Ju e keni dëgjuar ambasadoren Nuland teksa fliste për sovranitetin e Shqipërisë. Ne, në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara kemi folur për sovranitet. Për të qenë i sinqertë, ajo që është bërë në Uashington, Bruksel dhe këtu në Tiranë pasqyron faktin se qeveritë tona, qeveritë e Bashkimit Europian dhe e Shteteve të Bashkuara po mbështesim diçka që ne besojmë se mbështetet nga populli shqiptar.

Çfarë është sovraniteti dhe demokracia, përveçse mbështetja e vullnetit të popullit? Prandaj edhe pati shumë kritika për ato që në media u interpretuan si kërcënime. Ajo që mund të them se ne bëmë, si në çdo demokraci, ishin diskutimet e hapura me udhëheqësit politikë, anëtarët e Parlamentit, udhëheqësit e partive.

U thamë atyre se ky është vendimi juaj, vendimi juaj sovran, ajo çka ju si individë vendosni, por donim edhe që ata ta dinin se nëse votonin kundër kësaj reforme, do të kishte pasoja. Do të kishte pasoja për Shqipërinë në lidhje me marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara, por edhe pasoja individuale për persona të caktuar në lidhje me Shtetet e Bashkuara.

Cilat do të ishin këto pasoja individuale që përmendni?

Më lejoni ta përfundoj, duke thënë se Uashingtoni e bëri këtë në mënyrë shumë të ndërgjegjshme dhe e bëri këtë në solidaritet me popullin shqiptar. Ne nuk do ta bënim kurrë këtë gjë pa kuptuar më parë se çfarë donin shqiptarët. Ka pasur shumë spekulime në media mbi ato që do të ishin pasojat. Lejomëni t'ju them se shumica e këtyre spekulimeve ishin të gabuara dhe se njerëzit kanë një imagjinatë mjaft krijuese për këto pasoja, por ato ishin biseda private me secilin politikan.

Ambasada nuk e përgënjeshtroi asnjëherë thashethemin apo faktin, quajeni si të doni, se zyrtarë të ambasadës u dërguan mesazhe telefonike në celular disa politikanëve, duke i kërcënuar ata që të miratonin reformën. A u dërguan mesazhe të tilla, apo edhe ky ishte një tjetër spekulim?

Lejomëni t'ju them se të gjitha bisedat e mia mbi pasojat dhe mbi marrëdhëniet janë bërë të tëra ballë për ballë, ashtu si ne bëjmë në një demokraci. Ashtu siç jemi ulur sot ne të dy duke biseduar për këto çështje, ashtu edhe ne u ulëm me shumë politikanë. Ata na bënë pyetje, ne u bëmë pyetje dhe më pas biseduam edhe për pasojat. Këtë e bëmë si rezultat i udhëzimeve nga Uashingtoni.

Ju përmendët Partinë Demokratike. Ka pasur një perceptim në një kohë të caktuar se jeni treguar i padrejtë me z.Basha, ku bëtë disa deklarata të ashpra. Nëse kthehemi pas, ju keni pasur një marrëdhënie të ngrohtë me z.Basha, të cilin paraardhësi juaj, z.Arvizu e quajti "yll në ngritje", por të cilin ju shpeshherë e keni bërë të duket si "yll në zbritje". Çfarë ndodhi?

Më lejoni të përsëris diçka për të cilën folëm më parë, që në të gjithë botën, qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe ambasadat amerikane punojnë ngushtë me opozitën. Është pjesë e asaj që ne si amerikanë bëjmë, është pjesë e sistemit tonë të besimit që opozita duhet të ketë një zë në të gjitha vendet ku ne kemi partneritet dhe këtu përfshihet edhe Shqipëria.

Ne kemi punuar ngushtë me socialistët kur ata ishin në opozitë në Shqipëri dhe po punojmë ngushtë me demokratët që janë aktualisht në opozitë. Është tërësisht e vërtetë se kur z.Basha paraqiti pengesa për Reformën në Drejtësi, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara folën me sinqeritet për këto pengesa.

Dua të them gjithashtu se edhe kur z.Rama krijoi probleme të tijat në ecjen përpara me reformën, ne kemi qenë po aq të sinqertë me z.Rama. Për mua, ajo që është më e rëndësishme për t'u reflektuar, është se në orët e para të mëngjesit të 22 korrikut, ju kishit mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike, Partisë Socialiste, LSI-së dhe të gjitha partive të tjera të vogla për një reformë të kërkuar nga populli shqiptar. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Nuk besoj se do të shohim një të tillë për vite të tëra. Ky është një moment historik për Shqipërinë.

Pra, ajo që ndodhi midis jush dhe z.Basha tashmë është fshirë për shkak të rezultatit pozitiv të reformës?

Për z.Basha, z.Rama dhe z.Meta, më lejoni të them se të gjithëve ne na la mbresa roli që LSI-ja luajti për t'i mbledhur të gjithë së bashku në fund, demokratë dhe socialistë. Ne ishim kritikë ndaj Partisë Demokratike në momente të caktuara, kjo është e vërtetë, por është me të vërtetë mbresëlënëse që në fund ata arritën të gjejnë një formulë, një kompromis, që ata vetë krijuan dhe shkruan, dhe të cilën mund ta mbështesnin. Mendoj se është po aq mbresëlënëse që z.Rama dhe socialistët ishin aq fleksibël sa ishin gjatë ditëve të fundit, sepse pa fleksibilitetin e tyre nuk do të kishte pasur kompromis për të ecur përpara.

Meqenëse përmendët z.Meta, ka pasur një perceptim se ai ishte pengesa e vërtetë e kësaj reforme, por gjërat ndryshuan sepse ai votoi për reformën dhe luajti rolin e negociatorit në momentin e fundit. Një tjetër perceptim ishte se z.Meta u anashkalua nga Departamenti i Shtetit, nga znj.Nuland, z.Kerry etj. dhe nuk iu caktuan takime gjatë vizitave të tyre. A keni një ide përse u krijuan këto perceptime?

Z.Meta është kryetari i Parlamentit Shqiptar. Ai është gjithashtu prej një kohe të gjatë edhe një partner i Shteteve të Bashkuara. A bie unë dakord me z.Meta për çdo gjë? Pa dyshim që jo! Por ne kemi marrëdhënie të mira dhe do të vijojmë të kemi një partneritet të fortë. Z.Meta gjithashtu viziton shpesh Shtetet e Bashkuara. Ai ka marrëdhënie të ngushta me disa nga anëtarët e Kongresit dhe Ambasada Amerikane, ashtu si për të gjithë zyrtarët e lartë, ka ndihmuar në organizimin e takimeve të tyre në Uashington. Ne kemi punuar ngushtë me zyrën e z.Meta për të gjitha vizitat e tij në Uashington.

Personalisht, ju vlerësoj për mbështetjen që i dhatë opozitës kur ata filluan të denoncojnë publikisht, në Parlament dhe nëpër bashki, elementë sipas tyre të inkriminuar gjatë asaj që më vonë u njoh si "dekriminalizimi". A keni menduar ndonjëherë se, ata njerëz që juve i luftuat fort, të paktën duke i denoncuar publikisht, u përzgjodhën nga po ata njerëz që pretendonin se donin që Reforma në Drejtësi të miratohej. A ka një paradoks këtu, se këta njerëz që i vunë këta individë në poste të larta, dilnin në publik dhe thoshin se kjo reformë duhej patjetër, se ishte gjëja më e mirë që na kishte ndodhur?

Mua më duket një paradoks. Mendoj se është pa dyshim e vërtetë se në Shqipëri dhe në shumë vende ekziston një lidhje midis kriminelëve dhe krimit të organizuar dhe interesave të fuqishme tregtare. Mendoj se nuk mund ta vëmë në dyshim se në Shqipëri, pothuajse çdo sektor i ekonomisë, ka lidhje me krimin e organizuar, në ndërtim, në farmaceutikë, në transport, në çdo gjë që mund të imagjinoni ka elementë kriminalë që punojnë në mënyrë aktive. Mendoj se kjo është e vërtetë edhe në politikë, fatkeqësisht, dhe se në çdo parti ka lidhje midis kriminelëve dhe politikanëve.

Unë nuk jam i kënaqur që e them këtë, por mendoj se është e vërtetë. Prandaj dhe mendoj se është e rëndësishme që Shqipëria ka ecur përgjatë rrugës së dekriminalizimit. Pjesë e kësaj rruge ishte ligji për dekriminalizimin, por mendoj se ai ishte vetëm një pjesë e historisë. Mendoj se publikut i ka ardhur në majë të hundës me këta kriminelë, sidomos kriminelë që janë në poste shtetërore. Dhe jam i befasuar nga disa ndryshime që kanë ndodhur brenda një viti e gjysmë.

Më lejoni të rendis disa prej tyre. Shukri Xhelili, Mark Frroku, Armando Prenga dhe Elvis Roshi janë të gjithë duke u ndjekur penalisht. Arben Ndoka dha dorëheqjen nga Parlamenti, ndërsa Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin deputetit Koço Kokëdhima. Ilir Petraj dhe Gentian Muhameti u ndaluan që të merrnin pjesë në zgjedhje. Këto janë gjëra shumë të jashtëzakonshme dhe kanë ndodhur brenda një viti të vetëm.

Dhe kjo nuk mendoj se ndodhi sepse partitë politike vendosën se nuk i donin më këta njerëz, por sepse shqiptarët u ngritën dhe thanë "mjaft me këtë", dhe media u përqendrua tek disa aktivitete kriminale të politikanëve. Dhe gazetarë të guximshëm kanë bërë kërkime për të gjetur të vërtetën e së kaluarës, e së kaluarës skandaloze, të disa prej këtyre politikanëve.

…Nuk mund të harroj zotin Berisha. Ju jeni takuar me të shumë herë. Ai është ish-kryeministër, një prej politikanëve kryesorë të këtyre 25 viteve të fundit. A ka ai një rol në procesin e vendimmarrjes së Partisë Demokratike apo ju e takoni për atë që ai përfaqëson, një prej figurave kryesore të tranzicionit shqiptar? Dua të them, përse i kushtoni kaq vëmendje një politikani që është tërhequr, ka dalë në, le të themi, "gjysmë pensioni"?

Nuk besoj se z. Berisha do binte dakord me ju se pothuajse ka dalë në pension. Unë e pranoj që z. Berisha nuk është më kryetar i Partisë Demokratike dhe nuk është as drejtuesi i opozitës.

Por ai është një person me ndikim në Shqipëri dhe unë besoj me vendosmëri se është në interesin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, të popullit të Shteteve të Bashkuara, që përfaqësuesit e tyre, unë dhe persona të tjerë që punojnë në ambasadë dhe njerëz në Uashington, të jenë në kontakt me njerëz që kanë ndikim. Kështu, duke u mbështetur në këtë kriter, unë shpresoj që t'i vazhdoj takimet e mia me z. Berisha dhe të vazhdoj të kërkoj këshillën e tij.

Nëse do të përmendnit diçka që ju tërheq dhe diçka që ju acaron nga Shqipëria, cilat do të ishin ato?

Përgjatë Reformës në Drejtësi kalova kohë të gjatë duke biseduar me politikanë dhe duke ndjekur politikën. Po ju them edhe një sekret tjetër, më duhet ta pranoj që nuk i shoh televizionet shqiptare sepse më tërbojnë.

Gjithë ata njerëz që bërtasin, që gjatë gjithë kohës i ulërasin njëri-tjetrit dhe nëse më duhet të them diçka që më acaron është niveli i dialogut politik, i cili është shumë konfrontues, i shëmtuar dhe personal. Kjo ndodh edhe në Uashington, edhe në Londër, edhe në Berlin, por këtu merr një nuancë hiperbolike, ku nuk ka rëndësi e vërteta apo gënjeshtra, njerëzit vetëm sulmojnë njëri-tjetrin pa asnjë kufi.

Dhe nëse do të përmendja diçka që më frustron dhe më acaron dhe do të doja ta ndryshoja, është që njerëzit të kenë disa kufij në diskutimet publike. Mendoj se me kalimin e kohës, Shqipëria do t'i vendosë disa kufij.

Marrë me shkurtime nga revista "MAPO"

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more