Skip to main content

“Frano Prendi, babai i prehistorisë shqiptare” plus 9 more - Gazeta Dita

“Frano Prendi, babai i prehistorisë shqiptare” plus 9 more - Gazeta Dita


Frano Prendi, babai i prehistorisë shqiptare

Posted: 15 Sep 2016 01:59 AM PDT

 

Nga Moikom Zeqo

 

5 vjet më parë mbylli sytë përgjithmonë në Bruksel të Belgjikës një nga dijetarët më të rëndësishëm të kulturës shqiptare, prof. Frano Prendi.

Ishte 83 vjeç, qe rënduar nga shëndeti dy vitet e fundit, por rrallë kam njohur një njeri që kishte një gjallëri të tillë dhe që reflektonte një rini të përhershme si Frano Prendi. Një natyrë njerëzore e hapur dhe tejet modeste. Plot përkushtim të jashtëzakonshëm për shkencën arkeologjike.

I lindur në 1928 në Shkodër, i specializuar në Universitetin e Sofjes për arkeologji në degën e prehistorisë, Frano Prendi u bë një nga themeluesit kryesorë të shkencës së arkeologjisë shqiptare, së bashku me Hasan Cekën, Skënder Anamalin dhe Selim Islamin.

Në vitet '50 të shekullit të kaluar u institucionalizua arkeologjia shqiptare, me një vizion dhe vetëdije profesionale të mirëfilltë. Dukej sikur arkeologjia qe një shkencë e vonuar në Shqipëri, ndonëse fillesat e saj u projektuan nga arkeologë të huaj, disa prej të cilëve dhe autoritete të mëdha të nivelit evropian. Pra, arkeologjia në Shqipëri qe më tepër një mungesë, ndonëse ëndrra për të qe e madhe. Djaloshi Frano Prendi në vitin 1951, kur ishte 23 vjeç, i diplomuar shkëlqyeshëm në Sofje, do të kthehej në atdhe dhe do të fillonte punë në Muzeun Arkeologjik të Institutit të Shkencave në Tiranë, të krijuar në vitin 1948.

Ndryshe nga kolegët e tij, të cilët kishin një traditë paraprirëse në arkeologjinë klasike të antikitetit dhe të mesjetës, Frano Prendi ishte përpara një situate të çuditshme dhe paradoksale: Në hartën arkeologjike shqiptare të dhënat për prehistorinë vërtet mund të paramendoheshin, por për to nuk dihej pothuaj asgjë. Dikur Leon Rey kishte thënë se prehistoria në Shqipëri është "një njollë e bardhë".

Puna kërkimore e Prendit qe në shumë mënyra edhe fati i një misionari dhe ai me të drejtë mund të quhet si babai i prehistorisë shqiptare. Për afro 60 vjet ai iu përkushtua arkeologjisë prehistorike. Ai u bë mjeshtër i zbulimit dhe paraprijësi. Ai qe dokumentuesi i patjetërsueshëm, argumentuesi dhe përuruesi i disiplinës shkencore që nuk ekzistonte më parë. Vështirësitë nuk qëndronin vetëm në të panjohurën, por edhe në mungesën e një ekipi paraprak, ekip të cilin ai më vonë e përuroi dhe e bëri një fakt dhe aksion veprues tejet të suksesshëm.

Frano Prendi kreu dhe drejtoi gërmime arkeologjike në të gjitha skajet e hartës së Shqipërisë. Kështu ai e dyzoi këtë hartë dhe e pasuroi me atë që i mungonte: domethënë në strukturën e prehistorisë. Në tumat e Matit, në ato të Vajzës së Vlorës, të Vodhimës e të Bodrishtës së Gjirokastrës, në Pzhok të Elbasanit si dhe në një numër të madh vendbanimesh të tjera si në Kamnik të Kolonjës, në Maliq, Podgorie e Sovjan të Korçës, në Burim të Dibrës, në vendbanimet e Belajt e të Gajtanit në Shkodër, në peizazhet shpellore të Blazit, Nezirit e Këputës të Matit por dhe në qytetet ilire të Lisit, në atë të Irmajt (Gramsh) etj, ky dijetar i pasionuar dhe i ditur, nga terri informativ krijoi një mrekulli shkencore: Grumbulloi të dhëna dhe fakte të pamohueshme. Kjo përbën një karakteristikë unike dhe krejt të veçantë të jetës së tij.

Dijetar i terrenit, ai e ka përjetuar gjeografinë e Shqipërisë që në zanafillat e jetës njerëzore si dhe procesin e mijëvjeçarëve si askush tjetër.

Duke qenë themelues i prehistorisë shqiptare, Frano Prendi i ka disa merita të mëdha: krijoi pothuajse nga hiçi shkollën e prehistorisë shqiptare, ku u formua brezi i prehistorianëve duke u specializuar, konceptoi metodologjinë bashkëkohore në gërmimet arkeologjike të prehistorisë, duke dhënë një kontribut të pashembullt.

Krijimtaria e tij shkencore është e madhe dhe e shumëfishtë, substanca e saj është një konditë sine qua non për etnogjenezën e kombit shqiptar.

Prendi e konceptualizoi prehistorinë si një dimension të patjetërsueshëm të etnogjenezës. Frano Prendi për herë të parë në shkencën shqiptare dhe atë evropiane strukturoi sistemin e periodizimit dhe të kronologjisë për të gjitha epokat prehistorike në Shqipëri.

Ai bëri gjithashtu në rrafshin krahasimtar, inkuadrimin e kulturave prehistorike shqiptare në arealin prehistorik të Ballkanit, Evropës dhe botës Mesdhetare. Vështrimi i tij dialektik, erudit dhe i mirinformuar vëzhgoi qartë evidentimin e unitetit por dhe atë të diversitetit në zhvillimin e kulturës ilire nga epoka e bronzit në epokën e hekurit dhe më pas në Shqipëri si dhe argumentoi mjeshtërisht gjenezën e pakundërshtueshme të autoktonisë së shqiptarëve në viset e tyre.

Duke qenë për shumë vjet koleg dhe mik i afërt me Frano Prendin, unë kam shumë kujtime dhe mbresa, por ndoshta nuk është momenti për t'i shpalosur hollësisht dhe me konsideratën më të lartë në këtë shkrim in memoriam në 5 vjetorin e vdekjes. Ajo që dua të theksoj është se Frano Prendi qe jo vetëm arkeologu më i madh shqiptar i prehistorisë, por ai qe i shquar, autoritativ dhe pikë referuese edhe në rrafshin e prehistorisë evropiane.

Puna kolosale e këtij njeriu meriton një nderim pa mëdyshje. Ky nderim nuk iu bë sa ishte gjallë, ky nderim nuk ka nevojë për retorika vlerësuese dhe formale. Emri i tij nuk ka për t'u harruar kurrë dhe si shkencëtar ai qëndronte shumë më lart në raport me shumë të tjerë që sot quhen akademikë, të cilët janë shtatvegjël përpara një vigani të tillë.

Frano Prendi mund të krahasohet në mënyrë të përafërt vetëm me një vigan tjetër të shkencës: rolin e Eqrem Çabejt në gjuhësi. Atë që bëri Çabej në hulumtimet gjuhësore me një akribi dhe kulturë të shumëfishtë e bëri dhe Frano Prendi në studimet prehistorike. Në këtë kuptim mungon ndoshta ndonjë i tretë. Padyshim që dijetarë të tjerë të mëdhenj do të vijnë më vonë.

Por dhe shkenca për historinë e ka vetë përbrenda një histori. Frano Prendi tashmë është fiksuar përjetësisht si një nga personazhet më të mëdhenj të shkencës shqiptare. Frano Prendi është i vetmi dijetar shqiptar i cili ka botuar një kapitull si "Prehistoria e Shqipërisë", "The Prehistory of Albania" në Cambridge Ancient History, vol. III, part. I, chapter V, The prehistori of Balkans, the middle East and the Aegean Ëorlds tenth to eightenth centuries B.C, Cambridge, 1982, page 187-237.

Ky botim i specializuar dhe i vetmi deri më sot nga një shqiptar, është kryevepra shkencore e Frano Prendit. Në të ai analizon periudhat paleolitike, mezolitike, periudhën e neolitit, periudhën eneolitike të shoqëruar me një pasuri grafike dhe dokumentare të objekteve të qeramikës, të veprave të artit eneolitik ku spikatin vazot antropomorfike të Kamnikut, vazot e Dunavecit me fytyrë njerëzore në reliev, figurinat e stilizuara të kultit të Magna Mater, vazot ornitomorfike të Maliqit, figurinat zoomorfe etj.

Me këtë pasuri të pazakontë Frano Prendi vërtetoi vijimësinë kulturore dhe kronologjike, formësimin e etnosit ilir në epokën e  bronzit dhe të hekurit, duke modeluar kështu qytetërimin e revolucionit eneolitik që çoi në krijimin e gjenezës së popullit ilir si pasardhës i shqiptarëve.

Por duhen përmendur dhe aspekte të tjera studimore të Prendit. Ai ka shkruar mbi lashtësinë ilire të periudhës klasike dhe helenistike, ka shkruar për qytetin ilir të Lisit, për skulpturat e lashta të Apolonisë si dhe për vendvarrimin e Skënderbeut në Lezhë që i takon mesjetës.

Duke mos qenë asnjëherë dogmatik, por një mendje e hapur, Prendi ka treguar shumëllojshmërinë, apo dhe efektet fragmentare për atë që quhet diversiteti në unitet ose uniteti në diversitet në qytetërimin ilir.

Frano Prendi qe kulmi i kontributit të një gjenerate të tërë shkencëtarësh. Në vitin 2008, me ndihmën financiare të arkeologut Shafi Gashi nga Prishtina dhe nën kujdesin edhe të Prof. As. Dr. Adem Bungulit, vepra e tij u botua në dy vëllime të mëdha sipas parametrave bashkëkohorë. Ky botim përmbledh studimet kryesore të Prendit. Ai ia kushton këtë botim familjes së tij, gruas Dritës, vajzave Lisianës dhe Marinës, gjithashtu nipit dhe mbesave. Por përtej kushtimit intim ekziston dhe një kushtim më i epërm, kushtimi për kulturën dhe shkencën moderne shqiptare. Në këtë kohë të demonizuar nga politika dhe nga zotërimi i mediave elektronike dhe të shkrimit shpesh nga një subkulturë mediokre, të shkruash për Frano Prendin do të thotë të vlerësosh jo vetëm dinjitetin dhe mundin e këtij shqiptari të madh, por të lesh të hapur dhe të papërmbysur etikën dhe institucionin e mirënjohjes pa të cilën zhvillimi i emancipimit do të ishte diçka e kotë.

E di që miku im, Frano Prendi, meriton shumë më tepër sesa këto rreshta që unë shkrova për të në 5 vjetorin e vdekjes. Pse kolegët e tij e kalojnë në heshtje dhe nuk shkruajnë për të? Prendi e meriton edhe një monument a një bust si një nga emrat më emblematikë të shkencës shqiptare në shekullin e XX.

Qoftë i paharruar kujtimi i tij në jetë të jetëve!

 

 

Kapet duke i vjedhur naftë, nga makinat në parking

Posted: 15 Sep 2016 01:52 AM PDT

Një 37-vjeçar nga Tirana ka gjetur një mënyrë interesante për të mos blerë karburant, thjesht duka ia vjedhur atë të tjerëve nga makinat me anë të tubi.

Policia e Tiranës arrestoi dje Erion Fejzajn, 37 vjeç, banues në Tiranë,  pasi u konstatua në afërsi të Maternitetit të ri, me një bidon 10 litërsh ku me anë të një tubi po vidhte karburant nga një mjet i parkuar.

Kundërshton me dhunë punonjësit e policisë, arrestohet 31-vjeçari

Posted: 15 Sep 2016 01:44 AM PDT

Një 31-vjeçar është arrestuar nga policia në Elbasan, pasi akuzohet se ka kundërshtuar me dhunë  punonjësit e policisë.

Policia bën të ditur se personi i arrestuar është shtetasi Viskont Toli, banues në Elbasan.

Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në lagjen "Visarion Xhuvani", teksa punonjësit e policisë së patrullës së përgjithshme janë kundërshtuar me dhunë ndërsa po kryenin detyrën.

Mashtron me ‘mirëbesim’ për 10 vjet zyrtarët për një pension

Posted: 15 Sep 2016 01:42 AM PDT

Tre shtetas janë proceduar penalisht në Selishtë të Dibrës për shkak të një pensioni që merrej prej 10 vitesh, ndërkohë që e njëjta shtetase në emër të së cilës merrej ky pension, e tërhiqte atë edhe në Tiranë.

Policia thotë se një 44 vjeçar me iniciale B.N, lindur në fshatin Lukan të Dibrës dhe banues në Tiranës, ka kallëzuar shtetasin me iniciale S.T, lindur po në këtë fshat dhe banues në Tiranë.

Ky i fundit ka tërhequr përreth 10 vite pensionin e nënës së tij në komunën Selishtë, ndërkohë që 67-vjeçarja me iniciale Z.N, e tërheq pensionin ligjërisht në Tiranë. Policia lokale thotë se gjithçka ka ndodhur në kushtet e mirëbesimit.

"Shtetasi S.T me anë të mashtrimit në mirëbesim ka mashtruar punonjësit me detyrën e arkëtarit në Komunën Selishtë gjatë viteve duke tërhequr pensionin e shtetases Z. N", sqaron policia.

Ndërkaq, procedimi penal ka nisur edhe ndaj arkëtarit të njësisë administrative Selishtë dhe shpërndarësit të pensioneve, përkatësisht 59 vjeçarin me iniciale D.D, si dhe 30 vjeçarit me iniciale F.C.

Zyrtarët komunalë, "të mashtruar dhe në mirëbesim i kanë dhënë pensionin e shtetases Z.N, shtetasit S. T". Këta shtetas dyshohet se kanë kryer veprën penale të " Shpërdorimit të detyrës".

“Nuk jam pijanec”, por ndërkohë kthen 4 gota shampanjë

Posted: 15 Sep 2016 01:40 AM PDT

Shefi i Bashkimit Europian, Jean-Claude Juncker, i ka hedhur poshtë akuzat se ai është i alkoolizuar, duke shpjeguar se ai ecën në këtë mënyrë pasi ka pësuar një aksident me makinë.

Gjatë një interviste për gazetën franceze "Liberation", presidenti i Komisionit Europian, piu 4 gota me shampanjë. Por ish-kryeministri 61-vjeçar i Luksemburgut tha: "Ju mendoni se unë do të isha ende në zyrë në rast se do të pija konjak që në mëngjes?

Lajmet se ai është një i alkoolizuar dhe kjo i ka shkaktuar probleme edhe në martesë, ai iu përgjigj kështu: "Më trishton me të vërtetë, madje edhe gruaja ka nisur të dyshojë tek unë nëse e gënjej. Por unë nuk pi kur jam në shtëpi".

Fjalët për problemet e Junckerit me alkoolin, i cili është një konsumator i vjetër dhe i rënë i cigares, u përhapën për herë të parë pas një takimi të tij me ministrat e BE-së, ku ai kryente veprime të çuditshme. "Unë kam një problem me ekuilibrin për shkak të këmbës së majtë pasi kam pësuar një aksident", shpjegoi ai.

Gardhi i Orbanit ndryshoi Europën

Posted: 15 Sep 2016 01:19 AM PDT

Para një viti u ndërtua gardhi në kufirin hungareo-serb. Viktor Orban donte të ndalonte ardhjen e refugjatëve. Kështu nisi fundi i BE-së, që ne njihnim, mendon Zoran Arbutina.

Kur pikërisht para një viti autoritetet hungareze deklaruan, se tani do të mbyllet edhe boshllëku i fundit i kalimit kufitar, e gardhi në kufirin me Serbinë është ndërtuar,- gjithkush mund ta shihte, se për çfarë bëhej fjalë ato ditë në Europë: ndërkohë që në njërën anë kryeministri hungarez Viktor Orban punonte me zell për ta kthyer Europën në një fortifikatë, nga ana tjetër bota shihte ímazhet nga Gjermania.

Mijëra njerëz u uronin mirëseardhjen me lule dhe lodra fëmijësh nëpër stacionet e trenave dhjetra mijëra refugjatëve. Dhe kancelaja Merkel i dha politikës një dimension etik me fjalët: “Nëse tani do të bëjmë, që të na duhet të kërkojmë falje, se po tregojmë një fytyrë njerëzore në situatë emergjence, atëherë ky nuk është vendi im.”

Ato ditë natyrisht bëhej fjalë për refugjatët: për njerëzit, që kërkonin strehë në Europë pasi kishin marrë arratinë prej luftrave në Siri, në Afganistan apo në Irak, si dhe për qindra mijëra të tjerë, që kishin marrë arratinë prej urisë e përndjekjes në vendin e tyre. Bëhej fjalë edhe për çështjen: se në cilën Europë duam të jetojmë ne?

Një Europë e hapur

Për dekada me radhë përgjigja europiane ndaj çdo krize brenda apo jashtë BE-së kishte të njëjtën moto: ne na duhet më shumë Europë! Komuniteti i dikurshëm ekonomik europian nga viti në vit u forcua edhe më shumë duke u shndërruar në një union, me një treg të përbashkët, një Komision ligjvënës dhe me një Parlament Europian që u fuqizua gjithnjë e më shumë. Edhe një kushtetutë europiane ka qenë përkohësisht në funksion.

Po punohej madje edhe për një politkë të përbashkët europiane për marrëdhëniet me jashtë, mbrojtjen dhe çështjet sociale. E ajo që është edhe më e rëndësishmja: në pjesën më të madhe të BE-së nuk kishte më kufi! Qarkullimi i lirë i njerëzve dhe i mallrave u kthye në parim – e për këtë krenohej BE-ja. Bëhej fjalë për “shtëpinë e përbashkët Europa” dhe për “hapësirën Shengen pa kufij”.

Kur Merkeli vendosi, që t’i lejojë refugjatët në vend duke i lënë mënjanë të gjitha rregullat ekzistuese, ajo veproi në këtë frymë të vetëkuptueshme europiane. Ajo vuri aktivisht në jetë vlerat, që BE-ja është një shoqëri e hapur e përveç kësaj ka detyrime ndaj refugjatëve, që rrjedhin si prej Konventës së Gjenevës për Refugjatët edhe prej parimeve të BE-së. E kjo shoqëri bazohet tek solidariteti europian.

Rinacionalizimi i politikës europiane

Koncepti i kundërt ndaj atij të Merkelit është: sa më pak Europë të jetë e mundur, për këtë synohet që të ketë liri veprimi sipas motos: “secili do të shohë të mirën e vet pa menduar për tjetrin”. Politika e përbashkët europiane duhet të rinacionalizohet sipas këtij koncepti. Europa është mirë, vetëm për aq kohë sa ajo është e dobishme – e në radhë të parë në aspektin ekonomik.

Orban sipas kësaj logjike atëherë e tha qartë, se çfarë synon: në të njëjtën ditë kur Merkeli foli për humanizëm, për të cilin ajo s’ka përse të shfajësohet, Orbani deklaroi kufijtë e rinj – edhe në kufijtë e vet me partnerët europianë të BE-së si Rumania dhe Kroacia. Ideja e “Shengenit” kësisoj nuk ishte më një parim i pakthyeshëm, por vetëm një mundësi pa detyrime, që mund të shfrytëzohet ose jo – sipas rastit.

Një vit më pas është e qartë, që Orbani me politikën e tij nuk është i vetëm në shtëpinë europiane. Ndërkohë në mbarë Europën janë vendosur gardhe kufiri: Sllovenia ka ngritur barrierat kufitare me Kroacinë, Austria deklaroi vendosjen e kufirit me Italinë, Bullgaria ka vendosur gardh kufitar me Turqinë, Maqedonia me ndihmën e BE-së ka ngritur gardh kufiri me Greqinë. Njëkohësisht disa vende – kryesisht në Lindje të Europës – kanë deklaruar, se nuk duan të pranojnë refugjatë, në asnjë mënyrë myslimanë. Solidariteti europian këtu është i dukshëm vetëm për përdorimin e fondeve strukturore të BE-së.

Një “Europë e re”

Por ndërkohë është zbehur edhe politika fillestare e Merkelit për refugjatët: aleatët e dikurshëm i janë larguar asaj, si brenda edhe jashtë Gjermanisë. Nën presionin e partnerëve të BE-së si dhe të fitoreve elektrorale të partisë së djathtë, AfD në Gjermani ajo e ka ndryshuar dukshëm politikën e saj.

Në akordin për refugjatët me Turqinë synohej kryesisht, që sa më shumë refugjatë të jetë e mundur të mbahen larg Gjermanisë. Përmes ashpërsimit të ligjeve të ndryshme është vështirësuar ardhja e migrantëve të rinj, ndërsa është lehtësuar dëbimi i atyre që ndërkohë kanë ardhur. Merkel nuk do ta pranojë asnjëherë, por faktikisht në BE ka fituar kursi i Orbanit.

Rezultati i luftës për frymën e Europës, që u zhvillua vitin e kaluar në mënyrë simbolike me një gardh kufiri dhe tufat me lule për refugjatët, tashmë është i qartë: lulet janë vyshkur prej kohësh. Atëherë nisi fundi i BE-së, në formën që e njihnim ne. Natyrisht unioni do të vazhdojë të ekzistojë dhe ai vazhdon të ketë tërheqës për shumë vende dhe njerëz në mbarë botën. Por në thelb tani kemi një tjetër BE – dhe vetëm pjesërisht ajo është ashtu siç u shpreh Merkeli një vit më parë “vendi im”/DW

Merkeli, Zoti dhe burkini

Posted: 15 Sep 2016 01:17 AM PDT

Në botë gjithnjë e më shumë njerëz po shtypen për shkak të fesë. Ky është konkluzioni i konferencës ndërkombëtare të parlamentarëve, zhvilluar në Berlin. Në ç’drejtim po ecën Gjermania? Kancelarja paralajmëron.

Gjermania debaton lidhur me mbulimin e plotë të grave myslimane. A duhet të ndalohen në jetën publike veshja e nikabit dhe burkinit? Çfarë do të arrihej me këtë? A do ta nxiste integrimin apo ndalimi do të shërbente si një pilulë qetësuese për popullsinë, që në sfondin e qindra mijëra refugjatëve – shumica myslimanë – po ndihet gjithnjë e më shumë në siklet.

Kancelarja tërheq vëmendjen për të qenë të matur në këtë diskutim. “Edhe pse ndonjë qendrim i motivuar nga religjoni ne na duket i huaj, ne duhet të kemi vazhdimisht parasysh vlerën e lartë të lirisë së religjonit”, tha Angela Merkel në konferencën ndërkombëtare të parlamentarëve në Berlin.

Bashkë me të tjera të drejta të lirisë të përcaktuara në ligjin themelor, liria fetare bën pjesë në “thelbin e asaj, që përbën vendin dhe të asaj që për ne është e dashur dhe e çmuar.”

E njëjta gjë vlen edhe sa u përket normave të veshjes. Të drejtat e lirisë bazohen edhe tek liria e të qenit ndryshe, nga sa dëshiron apo përfytyron shumica”, argumenton kancelarja. Ndonëse ajo “personalisht e konsideron si një pengesë të madhe për integrimin mbulimin e plotë”, kufizime mund të ketë vetëm nëse me këtë cënohen të tjera të drejta themelore: të drejtat e tjetrit ose parimi i neutralitetit shtetëror kundrejt religjoneve.

Ndaj ajo bazohet tek “rregulla precize për ato sektorë, në të cilat mbulimi i plotë nuk është i domosdoshëm”, tha Merkel më tej – si p.sh. në shërbimet publike apo në gjykata.

Shtypje në vend të lirisë

Liria e besimit në mbarë botën nuk është në nivelin e duhur. E kjo pavarësisht, se ndërkohë 170 shtete kanë ratifikuar Kartën përkatëse të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. “Kjo e drejtë përfshin edhe lirinë, për ta ndryshuar fenë ose bindjen, si dhe lirinë për ta ushtruar vetëm apo në bashkësi religjonin apo botëkuptimin, ta pranosh publikisht ose privatisht atë përmes mësimit, ushtrimit, shërbesave fetare dhe aktiviteve kulturore”, thuhet në nenin 18 të kësaj karte.

“Dikur ishte rregull, që liria e besimit influencohej prej qeverive, pra palës politike”, thotë Volker Kauder, kryetar i grupit parlamentar të CDU/CSU-së në Bundestag: “Sot liria e religjonit kufizohet në mënyrë masive edhe me dhunë kryesisht atje ku shteti nuk funksionon më ose nuk është i gatshëm të angazhohet për lirinë fetare.” Kjo ndodh në përgjithësi në pjesë të Afrikës dhe të Azisë.

Deputeti i CDU-së Heribert Hirte flet për lirinë e fesë: Ndërkohë ka ndryshuar këndvështrimi. “Nuk janë më të prekur vetëm të krishterë, ndonëse në numër ata ende vazhdojnë të jenë grupi më i madh.”

Politikani i CDU-së është anëtar i “International Panel of Parliamentarians for Freedom of Religion or Belief”, i themeluar para dy vjetësh si një rrjet i pavarur në Oslo. Hebrenjtë, budistët, hinduistët, myslimanët, jesidët, të gjitha konfesionet fetare janë bashkuar në këtë grup.

Gjithsej në konferencë në Berlin morën pjesë mbi 100 deputetë nga rreth 80 vende. Kjo ishte konferenca e dytë ndërkombëtare e këtij lloji. Parlamentarët shprehën dëshirën të angazhohen. Ata shkruajnë letra paralajmëruese në adresë të qeverive dhe vizitojnë vende, në të cilat është e rrezikuar liria fetare.

Nga Berlini konferenca do të dërgojë letra në Sudan dhe Mianmar. Në këtë shtet aziatik që nga viti 1982 myslimanëve dhe të krishterëve sistematikisht u hiqet nënshtetësia, duke i detyruar ata që të dëshmojnë pemën gjenealogjike të familjes deri në vitin 1823. Kush nuk mund ta paraqesë këtë, nuk merr pasaportë.

Budistët nuk duhet të përmbushin detyra të tilla. Sulmet e dhunshme kundër minoriteteve fetare janë shtuar dukshëm vitet e kaluara. vënë në dukje U Shwe Maung, një ish-deputet i parlamentit të Mianmarit. Si mysliman ai nuk ka më të drejta në vendin e tij./DW

Një variete e larmishme për Europën

Posted: 15 Sep 2016 01:16 AM PDT

Europa është në një krizë ekzistenciale, thotë Presidenti i Komisionit të BE-së. Por në vend të ofrojë një zgjidhje politike, ai ofron nisma të copëzuara me dobi praktike. Një tërheqje e kalkuluar, mendon Barbara Wesel.

Kaq të ftohtë dhe pa emocione nuk e kemi përjetuar ndonjëherë Jean-Claude Juncker-in. Ai lexoi një fjalim për gjendjen e Bashkimit Europian me një angazhim sikur po shpallte kurset e aksioneve në bursë. Nuk ndihej më asnjë shenjë e europianit të pasionuar si më parë. Presidenti i Komisionit ka hequr dorë nga patosi i unitetit dhe solidaritetit dhe po përdor marshin e pasëm retorik dhe politik.

Kush ka vizione duhet të shkojë tek mjeku, në besnikëri të plotë me këtë shprehje të ish-kancelarit Helmut Schmidt temperatura emocionale ishte pak mbi zeron. Asnjë fjalim më për integrimin e mëtejshëm në Europë, përkundrazi: Juncker theksoi larminë e shteteve nacionale duke zgjuar përshtypjen, se ai donte t’u shkonte pas fijes së populistëve me parrullat e tyre. Por asnjëherë nuk ia ka vlejtur t’u servilosesh atyre. Mënyra e paraqitjes së tyre tradicionale e folklorike nuk do ta çojë përpara BE-në.

Shumë nisma të vogla e të larmishme

Shefi i Komisionit i joshi qytetarët me një përzierje të larmishme bombonesh: internet i lirë, mbrojtje për punëtorët e metalurgjisë, para për blegtorët, projekte kundër papunësisë së të rinjve, luftë evazionit fiskal dhe një ligj të ri për të drejtat e autorit – secili mund të përzgjedhë atë çfarë i duhet si një vepër europiane bamirësie. Por është e dyshimtë, nëse me këtë sërish mund të binden për BE-në ata, që janë dhënë tani pas demagogëve populistë të djathtë.

E vetmja nismë politike, ajo që ndjek udhëheqja e BE-së, ka të bëjë me sigurinë dhe mbrojtjen. Qytetarët janë të pasigurtë dhe të frikësuar, kjo është diagnoza. Tani duhet që për dy muaj të vendosen rojet e para kufitare të BE-së në Bullgari.

Nëse presioni i opinionit publik është i fuqishëm sa duhet, atëherë në Europë mund të lëvizin gjërat shumë shpejt. E njëjta gjë vlen edhe për një sistem tjetër kontrolli kufitar për ata që hyjnë në BE, për të kontrolluar kufijtë e përbashkët të jashtëm të BE-së.

Më në fund është hapur rruga edhe për një projekt të vjetër gjermano-francez: Parisi dhe Berlini mund të fillojnë të farkëtojnë një union mbrojtjeje, sipas motos: kush do të bashkëveprojë, është i mirëseardhur dhe në fund mund të krijohet një ushtri europiane.

Këtë të gjithën duhet ta mbështesë NATO-ja dhe ajo nuk duhet të paraqesë konuurrencë. Qytetarët do t’i mirëpresin në këtë kontekst kursimet në buxhetin për ushtrinë. Vota për Brexit e me këtë edhe fundi i rezistencës britanike e ka hapur rrugën për këtë – e pra Brexit ka edhe efekte pozitive.

Brexit nuk do të na shkatërrojë ne

E sa i përket Brexit: kjo nuk do të na shkatërrojë ne, u përbetua Juncker para publikut të tij. Kjo shprehje është e drejtë edhe sepse, Brexit është vetëm shfaqja, por jo arsyeja e sëmundjes europiane. Në shumë vende të BE-së ka dyshime të ngjashme, refuzime të ngjashme të Bashkimit Europian. Në shumë vende kërcënon kthimi tek nacionalizmi, tek gardhet kufitare dhe tek një ndarje e re e Europës. Por nëse ka diçka që mund ta shkatërrojë unionin, atëherë kjo është ringjallja e fantazmave të së shkuarës.

Jean-Claude Juncker beson, se ka ardhur koha që në Europë të piqen vetëm panine të vogla. Krerët e qeverive me gjasë do ta ndjekin atë, kur të takohen të premten në Bratislavë. “Historia nuk do të na kujtojë ne, por gabimet tona”, u shpreh me fjalë të urta shefi i Komisionit. BE-ja ka pak muaj kohë për ta përballuar depresionin e vet për tu nisur pastaj – me maturi – drejt brigjeve të reja./DW

Zonë e tregtisë së lirë në Ballkan?

Posted: 15 Sep 2016 01:14 AM PDT

Të paktën këtë aspiron kryeministri serb, Aleksander Vuçiç për rajonin ballkanik. Për AFP-në Vuçiç thotë se, ëndrra e tij do të ishte një “union doganor i të gjithë vendeve ballkanike.

Megjithë rritjen e tensioneve mes fqinjëve ballkanikë, kryeministri serb, Aleksander Vuçiç është shprehur për krijimin e një zone të përbashkët të tregtisë së lirë për rajonin e Ballkanit.

“Nuk kam frikë nga e ardhmja nga pikëpamja ekonomike, ajo që kemi nevojë është stabiliteti politik në rajon”, është shprehur kryeministri serb, të mërkurën(15.09) në bisedë me agjencinë e lajmeve, AFP. Për këtë arsye ai thotë se angazhohet për stabilitetin në rajon, por thekson se bashkëpunimi me fqinjët është i vështirë, pas “jo vetëm dekadash, por shekujve të urrejtjeve dhe luftës”. Megjithatë ai ka shpresën për krijimin e zonës së tregtisë së lirë.

“Ëndrra ime është është që të kemi një union doganor me të gjitha shtetet e Ballkanit, të gjitha zonat, me të gjithë. Po ashtu ëndrra ime është një tregti e përbashkët.” Sipas tij kjo nuk të ishte një ringjallje e Jugosllavisë, por një treg që do të favorizonte zhvillimin dhe mirëqenien në rajon.

Tension mes myslimanëve dhe të ortodoskëve në Bosnje

Po ashtu kryeministri serb ka pranuar se shumica e serbëve është e mendimit se “BE dëmton interesat kombëtare serbe”. Sipas një sondazhi, vetëm 48% e serbëve do të ishin për anëtarësimin në BE, përkundër aspiëratës së Vuçiçit. Megjithatë kryeministri serb ka siguruar se Serbia do të qëndrojë në rrugën e BE-së. Serbia nuk synon të ketë një pozicion të ndërmjetëm në Europë, megjithatë dëshiron të ruajë “marrëdhëniet e mira me rusët”.

Po ashtu kryeministri serb ka theksuar se përbën ende problem marrëdhënia mes myslimanëve dhe serbëve të krishterë ortodoksë në rajon. Marrëdhënia mes dy komuniteteve fetare brenda Bosnje-Hercegovinës, si edhe marrëdhëniet mes Sarajavës dhe Beogradit janë që nga koha e luftës së përgjakshme ende të tensionuara, ndërkohë që Beogradi vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës./DW

PD: Ja kërkesat tona për Njësinë e Posaçme Hetimore (Spak)

Posted: 15 Sep 2016 01:09 AM PDT

Kur pritet që Komisioni i posaçëm i reformës në Drejtësi t'i japë fund ligjeve të mbetura, Partia Demokratike publikoi qëndrimin e saj lidhur me projektligjin e SPAK.

Projektligji parashikon që në përbërje të Njësisë së Posaçme Hetimore (NJPH) të ketë shërbime të Policisë Gjyqësore, të cilët emërohen nga Policia e Shtetit dhe organet e tjera të pushtetit ekzekutiv.

Por sipas PD, “kjo bie ndesh me varësinë ekskluzive që Kushtetuta (neni 148) i ka njohur Njësisë së Posaçme Hetimore vetëm nga Prokuroria e Posaçme, dhe si e tillë bie ndesh me parimin e shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, sepse krijon premisa varësie të dyfishtë (të drejtpërdrejtë apo të tërthortë) të NJPH nga pushteti ekzekutiv”.

“Për këtë arsye, kërkojmë që çdo punonjës i NJPH, përfshirë punonjësit e Shërbimeve të Policisë Gjyqësore, që do të jenë pjesë e saj, të emërohen e përzgjidhen njëlloj siç parashikohet edhe për hetuesit e NJPH, nga vetë SPAK, pa asnjë ndërhyrje apo influencë nga Policia e Shtetit ose organet e tjera të pushtetit ekzekutiv. Organizimi i brendshëm i NJPH duhet të miratohet nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posacme, me propozimin e Drejtorit të NJPH”, thuhet në opinionin e PD.

Sipas PD-së projektligji i jep mundësi pushtetit ekzekutiv ose organeve nën varësinë apo ndikimin e tij (ILDKPKI, DSIK), që të pengojnë/ndërhyjnë në mënyrë të pakontrolluar dhe disproporcionale, në përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatave/Prokurorive të Posaçme, hetuesve të Njësisë së Posaçme Hetimore, si dhe punonjësve të tjerë të këtyre organeve kushtetuese.

“Pëlqimi i institucioneve të kontrolluara nga ekzekutivi si conditio sine qua non për emërimin e gjyqtarëve, prokurorëve, hetuesve, apo punonjësve të tjerë të Gjykatave të Posacme dhe të SPAK minon haptazi pavarësinë dhe mosndikimin që kjo strukturë duhet të ketë si prerogativë të ekzistencës së saj, sipas nenit 135 dhe 148 të Kushtetutës.

Për këtë arsye, propozojmë që kontrolli i integritetit të zyrtarëve të këtyre strukturave të bëhet nga një Komision Ad Hoc, me përbërje prokurorë, gjyqtarë dhe punonjës të NJPH. Për një periudhë tranzitore, kontrolli i integritetit përpara emërimit për gjyqtarët dhe prokurorët të bëhet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në kuadër të procesit kushtetues të rivlerësimit.

Sigurisht që Komisioni Ad Hoc do të ketë të drejtë të marrë infomacioni nga institucionet e treta lidhur me pasurinë dhe figurën, por vlerësimin e këtyre të dhënave duhet ta bëjë pikërisht ky komision i pavarur Ad Hoc”, thekson PD.

PD shton gjithashtu se sipas projektligjit, të gjitha institucionet e pavarura të luftës ndaj korrupsionit (gjykatat e posaçme, prokuroria e posaçme dhe njësia e posaçme hetimore), vendosen nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e Qeverisë, jashtë kontrollit të një prokurori, sepse telekomunikimet dhe të ardhurat financiare të anëtarëve të tyre kontrollohen në mënyrë periodike nga agjenci në varësi të Qeverisë, si psh. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave.

“Në këtë mënyrë, shkelen standardet e pavarësisë dhe të paanësisë së organeve të reja kushtetuese. Nga ana tjetër, vlerësojmë si të papërshtatshme që kontrolli i telekomunikimeve të bëhet nga një punonjës i nivelit hetues të NJPH. Për këtë arsye, kërkojmë që kontrolli i telekomunikimeve dhe të dhënave financiare të gjyqtarëve, prokurorëve, NJPH, dhe punonjësve të këtyre struktrave, të bëhet nga një prokuror i caktuar për këtë qëllim. Me synimin që kontrolli të jetë efektiv dhe të shmanget koporatizimi dhe mbrojtja e ndërsjelltë midis vetë funksionarëve të SPAK, sugjerojmë që kontrolli i telekomunikimeve dhe të dhënave financiare të bëhet nga një prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme, i caktuar me short”.

Edhe kriteret e emërimit të Drejtorit të Njësisë së Posaçme Hetimore, thekson PD, nuk garantojnë standardet e një konkurimi të lirë dhe përthithjen në konkurim të personave me integritet të lartë profesional dhe moral.

“Nga ana tjetër, projektligji nuk vendos asnjë rregull për përjashtimin nga kandidimi të individëve që kanë ushtruar detyrën e gjyqtarit, të prokurorit, apo hetuesit, të punonjësve të organeve të ish-Sigurimit të Shtetit apo bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, përgjatë regjimit komunist dhe që me vendimet e dhëna apo veprimet e tyre kanë persekutuar politikisht qytetarët shqiptar.

Për këtë arsye, kërkojmë rishikimin tërësor të kritereve për emërimin e Drejtorit të NJPH, duke shtuar jo vetëm rregullin e konkurimit të hapur, mes kandidatëve që përmbushin kriterin 10 vjet të eksperiencës në punë, pavarësisht nga detyra që ushtrojnë aktualisht (përjashtuar funksionet politike), dhe që në të shkuarën nuk kanë qenë të angazhuar në funksione gjatë regjimit komunist”.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more