Skip to main content

“Familjarët e 29-vjeçarit që gjeti vdekjen në Athinë, protestë para ambasadës greke” plus 9 more Gazeta SHQIP

“Familjarët e 29-vjeçarit që gjeti vdekjen në Athinë, protestë para ambasadës greke” plus 9 more Gazeta SHQIP


Familjarët e 29-vjeçarit që gjeti vdekjen në Athinë, protestë para ambasadës greke

Posted: 07 Sep 2016 02:10 AM PDT

Pellumb Marnikollaj
Pellumb Marnikollaj

Familja e 29-vjeçarit Pëllumb Marnikollaj pritet që të organizojnë një protestë pranë Ambasadës greke, për vdekjen e të riut shqiptar nga Rrila e Lezhës, në Greqi. Për këtë arsye, ata kanë bërë një kërkesë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me qëllim lejimin e organizimit të këtij tubimi, që kërkon drejtësi. Tubimi pritet të mbahet nesër në orën 11:00.

Pëllumb Marnikollaj, i cili jetonte si emigrant në Greqi, humbi jetën në rrethana ende të paqarta në stacionin e policisë në Athinë, në fillim të muajit gusht. Ai ishte arrestuar për vjedhje duke bërë 7 vite burg dhe prej 4 muajsh gjykata e kishte liruar, duke e lënë në detyrim paraqitje.

Me datën 3 gusht, me kërkesë të policisë greke, Marnikollaj ishte paraqitur në komisariat, ku pas disa orësh gjeti dhe vdekjen. Pas disa ditësh kërkime, trupi i pajetë i emigrantit u gjet në frigoriferin e varrezave "Agio Anargioro", gati për t'u varrosur, duke u klasifikuar si kufomë pa identitet.

Familjarët e 29-vjeçarit pretendojnë se i afërmi i tyre ka gjetur vdekjen pasi është dhunuar barbarisht nga autoritetet policore greke. Por kjo e fundit i ka mohuar këto akuza. Pak javë më parë, policia helene deklaroi se nga ekspertiza paraprake, në trupin e Marnikollaj janë konstatuar dëmtime në kokë dhe hemorragji e brendshme, që mund të kenë ardhur nga rënia nga një lartësi e madhe.

7 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

 

 

Të mos e fshehësh Tjetrin

Posted: 07 Sep 2016 02:00 AM PDT

ALDA BARDHYLI

Rreth romanit “Fjalë familjare”, me autore Natalia Ginsburg ardhur në shqip nën përkthimin e Donika Omarit

Pikture“Në këtë libër vendet, faktet e njerëzit janë të vërtetë. Nuk kam shpikur asgjë: dhe sa herë që shkoja pas gjurmës së zakonit tim të vjetër si romanciere dhe shpikja, menjëherë nisja e prishja atë që kisha shpikur. Edhe emrat janë të vërtetë. Duke shkruar këtë libër aq s’e kam duruar dot çdo lloj sajimi saqë s;kam mundur të ndërroj as emrat e vërtetë, që më janë dukur se s’mund të hiqeshin prej njerëzve të vërtetë. Ndoshta ndokujt s’do t’i vijë mirë të shohë veten kështu, me një emër e mbiemër, në një libër. Por kësaj s’kam se ç’ti përgjigjem”. Natalia Ginsburg, e nis kështu parathënien e librit “Fjalë familjare”, përkthyer në shqip nga Donika Omari, dhe botuar nga “Elena Gjika” më vitin 1993. Në prag të ndërrimit të sistemeve, Ginsburg ishte nga të parat prozatore italiane që erdhi në një terren të etur për letërsi të huaj. Me sqimën e një shqipërueseje që di të qëmtojë veprat e mira, Omari e solli këtë vepër në shqip, duke e bërë kështu një takim të paharruar mes Ginsburg dhe lexuesit shqiptar.”Lexuesi unë nuk ka pasur rast të njohë asnjë vepër të letërsisë femërore italiane, niveli i së cilës shprehet më së miri në vlerësimet që i ka bërë kritika, të konkretizuara këto, në planin ndërkombëtar, me çmimin Nobel (që e ka marrë Gracia Deleta më 1926) në planin kombëtar me çmimin më të lartë italian, çmimin Strega, që e kanë merituar , veç Ginsburgut edhe pesë autore ndër më të njohurat e pasluftës si Elsa Morante, Ana Maria Orteze, Lala Romano, Fausta Cialente e Maria Beloncci”, thotë Omari. Në këtë letërsi e në krejt narrativën e prozën italiane të pasluftës, Natalia Ginsburgu, e cila u nda nga jeta më vitin 1991 në Romë në moshën shtatëdhjetë e pesë vjeçare, zë një vend të veçantë. Autore e shumë romaneve, pjesëve për teatër, eseve, biografive të letrarizuara, ajo është një figurë e planit të parë dhe emri i saj është përmendur dhe si kandidate për çmimin Nobel.
Në këtë roman Ginsburg, na sjell nëpërmjet kujtimeve nga jeta e saj, e familjes, të të njohurve të saj, ngjarje të rëndësishme të jetës shoqërore e politike italiane në mes dy luftërave, e pas Luftës së Dytë Botërore. Por në thelb romani është si të ndjekësh përmes faqeve të një libri, ecjen në jetën e përditshme të një gruaje të dashuruar thellësisht me librin. Jetën e një botueseje, që përtej pasionit për të sjell në gjuhën italiane vepra dhe autorë të rëndësishëm të letërsisë botërore, kur kthehet në apartamentin e saj, ulet të shkruajë letërsinë e saj. Një grua që ravijëzon në këtë libër burra aspak të zakonshëm që pati fatin ti njohë, një prej të cilëve ishte dhe shkrimtari italian Cesare Paveze. Një roman gati gati autobiografik, por i thënë me gjuhën e tjetrit, një gjuhë që Ginsburg e bën për të fshehur shpesh dyzimet e një jete në kërkim të shkrimit. Sipas përkthyeses Omari shtysë mrekullibërëse për ngjalljen e kujtimeve të saj janë fjalët e frazat e dikurshme të thëna nga prindërit, vëllezërit , motra, miqtë, e farefisi. Për heroin e Prustit e kaluara çatis në të tashmen nëpërmjet copëzës së kekut ngjyer në çaj, për Ginsburgun vendin e aromave e zënë tingujt; shprehjet e dëgjuara në fëmijëri janë ngulitur përgjithmonë në zemrën e saj dhe mjafton ti përmendë ndokush që jeta e perënduar, të ngjallet e pacenuar nga vitet, duke dëshmuar forcën e kujtesës së ndjenjave. Arti i Ginsburgut është i bërë me pak gjë: aty mbizotëron e zakonshmja, një humor melankolik, një stil i zhveshur (përkthyesi këtu duhet të ketë kujdes t’i përmbahet nivelit të gjuhës së thjeshtë bisedore, pa provuar “të zbukurojë” a “të pasurojë”, shprehet Omari). Por si arrin ajo të robërojë me këto mjete kaq të varfëra, kjo është një pyetje që shtrohet shpesh përpara të fshehtave të artit të madh. Për Omarin, Ginsburg nuk është bërë shkrimtare, ajo ka lindur e tillë. Tregimet e para ajo i shkroi që në rininë e hershme. Librin e parë “Rruga që shpie në qytet” (1942) e botoi me pseudonim, meqënëse fashizmi nuk i jepte të drejtë botimi autorëve hebrenj. Por vepra që i dha një popullaritet të menjëhershëm e njëkohësisht të qëndrueshëm, duke siguruar një publik e lexues besnik, është pikërisht “Fjalë familjare” me të cilin në vitin 1963 fitoi dhe ccmimin Strega. Librat e Ginsburgut u bënë vepra klasike që në të gjallë të saj, duke u përkthyer në disa gjuhë, Nuk është vetëm proza narrative që i siguroi suksesin-po përmendim romanet: Të shkruaj që të të them, Zërat e mbrëmjes, Virtyte të vogla, Mos më pyet, Qyteti dhe shtëpia, etj. Edhe pjesët e saj dramatike kanë pasur sukses. “Në romanet e saj zotëron përkushtimi ndaj të pambrojturve dhe kundërshtimi ndaj konvencioneve e absurditeteteve të ligjmërisë e administratës shtetërore që veprojnë mbi njerëzit si një forcë e verbër e papërgjegjshme. Larg artifiseve letrare, me një dialog të përditshëm, me një formë të thjeshtë e si pa u vënë re ajo ndërton portrete të shkëlqyera të njerëzve të rrugës, të varfërve, grave të shthurura që gëzojnë simpatinë dhe gjithë mbrojtjen e saj”, thotë Omari.
Por personazhet e librit “Fjalë familjare”, koha nuk ka rrjedhur. Ata mbeten gjithnjë të rinj e të freskët, të paharruar. Ginsburg ka arritur të hyjë në lëkurën e tjetrit, të çdo personazhi që ne gjejmë dhe e duam fort në këtë libër. Një prej të cilëve është padyshim figura e babait të saj, huqet e tij, apo ajo e nënës e dhënë në mënyrë të shkëlqyer.”Nëse ky libër do të lexohet si një kronikë, do të vërehet një zbrazëti pafund. Megjithëse është marrë nga jeta, them se duhet lexuar si ndonjë roman: pra, pa kërkuar as më shumë e as më pak nga ç ‘mund të japë një roman”, thotë Ginsburg. Ajo çfarë ndjehet në parathënien e saj për këtë vepër, kujdesi për ti ruajtur personazhet e saj. Ajo nuk ka dashur ti fshehë portretet e tyre teksa i ka shkruar, e bindur se vetëm duke i ravijëzuar me rrobat e tyre të vërteta ata do të ishin të gjallë ashtu si në jetë në libër. Por tashmë që ata janë në një libër, shqetësimi i shkrimtares për mos evidentimin e personazheve realë në këtë libër, ndjehet në këshillat që i jep lexuesit duke i thënë “të mos kërkojë më shumë për ta”. “Ka dhe plot gjëra që më kujtoheshin por që s’i kam shkruar, dhe në mes tyre, shumë që më përkisnin drejtpërdrejti. Nuk kisha fort qejf të flisja për vete. C’është e drejta kjo nuk është historia ime, por megjithë boshllëqet e zbrazëtitë është më tepër histori e familjes sime. Duhet të shtoj se , gjatë fëmijërisë e rinisë sime, gjithnjë thoja të shkruaja një libër që të rrëfente për njerëzit që rronin atëherë rrotull meje. Kjo është pjesërisht ky libër, por vetëm pjesërisht, sepse kujtesa është e dobët, dhe sepse librat që nxirren nga jeta shpesh nuk janë veçse vezullime të holla e cifla të atyre që kemi parë e dëgjuar”, shkruan Ginsburg. Vajza që dikur e fshihte veten nën emrin e Alessandra Tornimparte  (pseudonimi i botimeve të saj të para), ka arritur ta bëjë të paharrueshme takimin me një familje italiane të shekullit të 19, përmes përshkrimit pa maska të botës së tjetrit.Ky roman është dhe një dëshmi për të parë se si mund të ngjajnë si personazhe libri personazhe reale. Një prej të cilëve ishte dhe Cesare Pavese, me të cilën Ginsburg punonte në të njëjtën shtëpi botuese. Eshtë interesante mënyra sesi ajo e përshkruan atë, mbyllur në dhomën e tij të punës, pa dëshirë për të qënë shpesh me të tjerët…”Tani Pavezeja kishte dhomë më vete dhe te dera kishte një kartush me shkrimin “Drejtoria botuese”. Pavezeja rrinte në tryezë, me llullën dhe rishihte bocat me shpejtësi rrufeje. Në orët e pushimit lexonte Iljadën, duke i recituar vargjet me zë të lartë me një kantilenë të trishtuar. Ose shkruante romanet e veta, duke fshirë herë pas here shpejt e me vrull. Ishte bërë shkrimtar i famshëm. Në dhomën ngjitur me të tijën, ishte botuesi, bukurosh, trandafili në fytyrë, me qafën e gjatë, me flokët e thinjura lehtësisht në tëmthat si krahë turtulleshe. Tani kishte shumë zile në dhomë, dhe telefona, dhe nuk bërtiste më:Koopa! Pastaj zonjusha Kopa, s’ishte më aty. Nuk ishte as magazinieri i vjetër. Tani botuesi kur donte të thërriste njeri, shtypte një buton dhe fliste me telefonin e brendshëm me katin e poshtëm, ku kishte shumë daktilografe e shumë magazinierë. Herë pas here botuesi ngrihej e i binte lart e poshtë korridorit me duart pas shpine, kokën anuar pazën mbi sup, dukej te dhomat e nëpunësve dhe thoshte ndonjë gjë me atë zërin hundor. Botuesi s’ishte më i turpshëm tani, a më mirë druajtja e tij shfaqej tani vetëm kur kishte biseda me të huaj, dhe nuk ngjante me druajtje, por një mister i ftohtë e i heshtur. Prandaj ndrojtja e tij i bënte të ndrojtur të huajt, që e ndjenin veten të rrethuar nga një vështrim i kaltër, i ndritur e i akullt, që i shqyrtonte e i peshonte tej tryezës së madhe prej qelqi, në një largësi të ndritur e të akullt. Kështu, ajo ndrojtje ishte bërë një mjet i madh pune. Ajo ndrojtje ishte bërë një fuqi, te e cila vinin e përplaseshin të huajt si ato fluturat që përplasen te drita, të verbuara , dhe në kishin ardhur aty të sigurt në vete, me thasë me propozime e projekte , në fund të bisedës e ndjenin veten çuditërisht të rraskapitur e të turbulluar, me dyshimin e pakëndshëm se ishin ndofta pak më budallenj e naivë, dhe se kishin bluajtur projekte pa asnjë bazë, në prani të një hetimi të ftohtë që i kishte zhbiruar e përcaktuar në heshtje…”, përshkruan ajo në libër. Sipas Ginsburg, Pavezeja rrallë pranonte të takonte të huaj. Thoshte:- Kam punë! S’dua të më vijë njeri! Le të venë të varen në dacin! S’dua t’ia di! Ndërsa nëpunësit e marrë rishtas, të rinjtë mendonin se duheshin dëgjuar të huajt. Mund të sillnin idera. Pavezeja thoshte:-S’kemi nevojë për idera, këtu! Mos i kemi edhe më të tepërt!Binte telefoni i brendshëm në tryezën e tij, dhe dëgjohej në marrës zëri i njohur hundor:-Eshtë filani këtu poshtë. Prite, ka një propozim për të bërë. Pavezeja thoshte:-E ç’nevojë ka për propozime? Jemi deri më grykë me propozime! S;dua të di për propozime. S’më duhen idera!-Atëherë kaloja Bablos, -thoshte zëri. …
Për Ginsburg, shkrimtari nuk e harroi asnjëherë humbjen e mikut të tij Leones, dhe pse asnjëherë nuk fliste për të, pasi nuk donte të vuante. “Nuk i pëlqente të fliste për ata që s’ishin aty, ose për të vdekurit. Thoshte:-Kur ikën ndonjëri ose vdes, unë përpiqem të mos mendoj për të, se s’ma ka qejfi të vuaj.Megjithatë ndofta vuan nganjëherë që se kishte më Leonen. E kishte pasur mikun më të mirë. Ndofta këtë humbje e fuste në gjërat që e mundonin më shumë. Dhe sigurisht që s’ishte i zoti t’i shpëtonte vuajtjes, duke rënë në vuajtjet më të rënda e mizore , sa herë që binte në dashuri.Dashuria e zinte si ndonjë dhembje ethesh. I mbante një vit, dy vjet, pastaj shërohej, por ishte i çakërdisur e i dërrmuar, si ndonjë që ngrihet pas një sëmundjeje të rëndë…”. I shkruar herët nga Ginsburg, “Fjalë familjare” është një libër që të bën ti rikthehesh shpesh, për fjalët tona që gjejmë në të.

7 fakte interesante që provojnë se Holanda është vendi i së ardhmes

Posted: 07 Sep 2016 02:00 AM PDT

Holanda ka qenë gjithmonë e famshme për projektet e saj ambicioze që kanë mahnitur njerëzit në të gjithë botën. Ja 7 fakte interesante që provojnë se çdo vend duhet të ndjekë shembullin e Holandës, ose të paktën të provojë të jetësojë këto 7 projekte.

1. Është i vetmi vend ku nuk ka kafshë të braktisura

1

Kohët e fundit është konfirmuar zyrtarisht se nuk ka asnjë qen apo mace të pastrehë në Holandë. Qeveria e këtij vendi ka arritur ta bëjë këtë pa lënduar asnjë kafshë. Në një përpjekje për të siguruar të drejtat e qenve, autoritetet kanë hartuar ligje të rrepta kundër abuzimit të kafshëve

2. Holanda ka ndërtuar të parën korsi për biçikleta me fuqi diellore

2

Projekti i quajtur SolaRoad është rezultat i një bashkëpunimi mes qeverisë dhe sektorit privat. Pjesa e parë e rrugës është hapur në vitin 2015. Ajo është e gjatë vetëm 100 metra, por ky është një hap i madh në ndërtimin e rrugëve të së ardhmes. Ideja kryesore e këtij projekti është që energjia diellore nga rruga të përdoret për ndriçimin e rrugëve dhe karikimin e automjeteve elektrike.

3. Pikat e karikimit për makinat elektrike gjenden çdo 50 metra

3

Një nga pikat më të forta të Holandës është sistemi i tyre i qëndrueshëm i transportit. Kjo është arsyeja pse, në përpjekje për të ndaluar përdorimin e automjeteve me benzinë dhe naftë, janë hapur shumë pika karikimi për qytetarët që përdorin makina elektrike.

4. Në Holandë ekziston një qytet ku asnjë njëri nuk përdor makinë

4

Qyteti holandez Houten konsiderohet si vendi më i sigurt në botë. Në fillim të viteve 1980, 4.000 banorë të qytetit morën vendimin që të inkurajoni të gjithë në qytet të përdornin biçikletat për të lëvizur në vend të makinave. Dhe, hap pas hapi, të gjithë qytetarët i zëvendësuan plotësisht makinat me biçikletat.

5. Autoritetet do të ndalojnë shitjen e makinave me benzinë dhe naftë

5

Makinat me naftë dhe benzinë nuk do të jenë më në qarkullim në Holandë pas 2025. Përveç kësaj, pronarët e makinave elektrike nuk duhet të paguajnë një taksë automjeti privat. Si rezultat i kësaj, makinat miqësore ndaj ambientin u bënë 15 mijë euro më të lira.

6. Holanda synon mbylljen e burgjeve për shkak të mungesës së të burgosurve

6

Kohë më parë qeveria holandeze nisi marrjen e masave serioze për reduktimin e krimit në vend, çka rezultoi tepër e suksesshme. Në mungesë të të burgosurve, 19 burgje janë mbyllur që nga viti 2009.
Sipas raporteve të fundit, norma mesatare e të burgosurve në Holandë është rreth 163 persona për 100,000, e cila është më pak se gjysma e shkallës së burgosjes së Brazilit.

7. Në Holandë ka mbikalime të gjelbra për kafshët e egra që jetojnë në pyll

7

Një nga detyrat parësore të qeverisë holandeze është mbrojtja e kafshëve të egra. Prandaj, disa mbikalime të gjelbra janë ndërtuar mbi superstradat e vendit për të lejuar kafshët që të kalojnë rrugën në mënyrë të sigurt nga një pjesë e pyllit në një tjetër.

S.M

7 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)

Alepo dyshohet të jetë të jetë sulmuar me gaz klorinë

Posted: 07 Sep 2016 01:56 AM PDT

alepoQeveria siriane është akuzuar se ka hedhur bomba-fuçi të mbushura me klorinë nga helikopterë në periferi të Alepos, duke plagosur 80 persona.

Mbrojtja Civile Siriane – një grup vullnetarësh për përgjigje emergjente që vepron në zonat e kontrolluara nga rebelët – tha se bombat fuçi u hodhën nga helikopterët e Qeverisë dhe përmbanin cilindra me klor. Dhjetëra persona kanë shfaqur probleme serioze me frymëmarrjen për shkak të gazi helmues. Qeveria siriane nga ana e saj i ka mohuar gjithmonë akuzat për përdorim të armëve kimike.

Një hetim i kryer nga Kombet e Bashkuara në gusht, ka gjetur se forcat qeveritare siriane janë përgjegjëse për dy sulme me gaz helmues, një në vitin 2014 dhe një në vitin 2015, duke përfshirë këtu edhe përdorimin e klorinit.

7 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Bllokohet kalimi te sheshi Skënderbej, Bashkia nis punimet

Posted: 07 Sep 2016 01:45 AM PDT

faza 1Bashkia e Tiranës njofton se nga dita e sotme ka nisur faza e parë e punimeve për zbatimit e projektit të "Rikualifikimit Urban të Sheshit Skënderbej".

Në këtë fazë përfshihen punimet për kompletimin e sistemit të kanalizimit të ujerave të shiut, si dhe atë të shatërvanëve, dhe më pas do të vazhdohet me nënshtresat dhe shtresën përfundimtare të gurëve nga gjitha trevat shqiptare. Punimet e kësaj faze do të zgjasin 12 muaj.

Punimet fillojnë nga zona e Muzeut Kombëtar ku do të bëhet rikonstruksioni total i xhokolit të ndërtesës, rikonstruksioni i shkallëve hyrëse në Muzeun Kombëtar, si dhe do të punohet në lulishtet përreth Muzeut, të cilat do të shndërrohen në kopsht botanik. Gjithashtu, do të punohet edhe për realizimin e sistemit të ndriçimit të jashtëm të Muzeut Kombëtar dhe kopshteve përreth tij. Puna do të vijojë me rikonstruksionin e shkallëve të Pallatit të Kulturës dhe platformave hyrëse të Teatrit të Operës dhe Bibliotekës Kombëtare.

Kjo fazë do të ndiqet nga zbatimi i punimeve të projektit të parkimit nëntokësor, që do të fillojë në fund të muajit tetor, projekt i cili do të realizohet në një afat 7 mujor. Zbatimi i fazës së dytë do të realizohet në një afat 12 mujor dhe do të kompletojë projektin e Sheshit Skënderbej me punimet që do të kryen në kopshtet përreth tij.

Të gjitha këto zona punimesh janë të ndara në segmente të ndryshme kantieresh të vogla, për të bërë të mundur qarkullimin e qytetarëve.

Ndërkaq, Bashkia e Tiranës publikon edhe hartën e devijimit të trafikut i cili po ashtu do të kryhet në faza, deri në përfundimin total të punimeve në unazën e vogël.  

  1. Qarkullimi i automjeteve në Sheshin "Skënderbej", do të bëhet i kufizuar, sipas planit lëvizës e ndarë në dy faza (bashkëlidhur kësaj urdhërese), si më poshtë:

Faza I

Qarkullimi i mjeteve në Bulevardin "Zog I" segmenti nga rruga "Ded Gjo Luli" deri në fillim të sheshit "Skënderbej" do të bëhet i kufizuar, në drejtimin e lëvizjes veri-jug, pjesa lindore e Muzeut Historik Kombëtar do të jetë e bllokuar. Qarkullimi i mjeteve në Bulevardin "Zog I" me drejtim veri – jug për në sheshin "Skënderbej", do të devijohet djathtas në rrugën "Ded Gjon Luli" .

Qarkullimi i automjeteve dhe mjeteve të transporti urban në sheshin "Skënderbej" pjesa lindore në rrugën "E Dibrës”, drejtimi lëvizjes Lindje – Perëndim, do të bëhet i kufizuar, vetëm në drejtimin e lëvizjes drejt rrugës së Durrësit dhe djathtas në drejtim të bulevardit "Zog I".

Qarkullimi i automjeteve dhe mjeteve të transporti urban në sheshin "Skënderbej" pjesa lindore, drejtimi lëvizjes Jug – Veri do të devijohet vetëm djathtas përpara xhamisë së Et'hem Beut në rrugën "Luigj Guakuqi"dhe rrugës "Abdi Toptani".

Qarkullimi i mjeteve për pjesën perëndimore dhe lindore e Sheshit "Skënderbej", do të jetë i bllokuar.

Qarkullimi i mjeteve në segmentin e rrugës së "Kavajës", segmenti midis Ded Gjo Luli" dhe Sheshit "Skënderbej" në anën veriore të Bankës së Shqipërisë, do të jetë i bllokuar.

Qarkullimi i automjeteve në Rrugën e  "Durrësit" drejtimi lëvizjes drejt sheshit "Skënderbej", do të bëhet i kufizuar, në drejtimin e lëvizjes vetëm djathtas.

Qarkullimi dhe stacionimi i mjeteve të transportit urban qytetës do të jetë si më  poshtë:

Linja "Tirana e Re", do të stacionohet në rrugën "Ded Gjo Luli".

Linja "Ish uzina Dinamo e re"- Sharrë", do të stacionohet në rrugën "Ded Gjo Luli".

Linja "Qyteti Studenti – Jordan Misja – Shinat e trenit" do të stacionohet në rrugën "Ded Gjo Luli".

Faza II

Qarkullimi i automjeteve dhe mjeteve të transporti urban në sheshin "Skënderbej" pjesa lindore në rrugën "E Dibrës”, drejtimi lëvizjes Lindje – Perëndim, do të devijohet vetëm djathtas në kryqëzimin me bulevardin "Zogu I".

Qarkullimi i mjeteve në segmentin e rrugës së Durrësit në anën veriore të Muzeut Kombëtar, do të jetë i bllokuar.

Qarkullimi dhe stacionimi i mjeteve të transportit urban qytetës do të jetë si më  poshtë

Linja "Tirana e Re", do të stacionohet në rrugën "Ded Gjo Luli".

Linja "Ish uzina Dinamo e re"- Sharrë", do të stacionohet në rrugën "Ded Gjo Luli".

Linja "Qyteti Studenti – Jordan Misja – Shinat e trenit", do të stacionohet në rrugën "Ded Gjo Luli"

Linja "Qendër-Laprakë-Qendër", do të stacionohet në rrugën "Ded Gjo Luli" me itenerar sipas qarkullimit të lejuar.

Linja "Instituti", do të stacionohet në rrugën "Ded Gjo Luli" itenerar sipas qarkullimit te lejuar.

faza 27 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Maturantët në protestë para Kryeministrisë: Po na mohohet e drejta e studimit

Posted: 07 Sep 2016 01:41 AM PDT

nxenes-shkolle-klase-maturante-1Maturantët do të zhvillojnë sot një protestë, pasi ata kundërshtojnë formulën e pranimit në universitete dhe reformën në arsim. Ata pretendojnë se maturantët me mesatare të lartë kanë mbetur jashtë, ndërsa të tjerët me mesatare të ulët kanë fituar të drejtën për në universitetet.

Maturantët kanë paralajmëruar sot në orën 10:00 një protestë para Kryeministrisë.   Nga ana tjetër, ka reaguar edhe Ministria e Arsimit, e cila ka sqaruar se lista përfundimtare vetëm për fazën e parë do të publikohet më datë 20 Shtator nga çdo universitet.

“Konkurrenca në fazën e parë është shumë e lartë pasi maturantët me rezultatet më të larta mund të jenë fitues deri edhe në 10 programe. Ndaj me zgjedhjen e vetëm një programi që një aplikant do të vendosë të ndjek, të 9-ta programet e tjera për të cilat është fitues, do të mbeten në dispozicion të raundit të dytë. Jeni të lutur të ndiqni me vëmendje udhëzimet nga universitetet”, njofton MAS.

7 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Vlorë dhe Krujë, asgjësohen 9100 rrënjë kanabis

Posted: 07 Sep 2016 01:28 AM PDT

kanabis i keputurPolicia e Vlorës ka asgjësuar 6 000 bimë kanabis sativa, të mbjella në fshatin Oshtimë dhe Treblovë. Bimët narkotike ishin kultivuar në zonat e pyllëzuara të këtyre fshatrave, toka pa pronarë.

Policia bëri asgjësimin e tyre me anë të djegies me zjarr. Ndërsa në Krujë, policia ka asgjësuar 3100 rrënjë kanabis. Bimët u gjetën të mbjella në fshatrat Borizane, Thumane, Qerek dhe Shelqet. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e kultivuesve të këtyre bimëve narkotike.

7 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Ekstradohet nga Athina i dënuari për vrasje

Posted: 07 Sep 2016 01:19 AM PDT

pranga largeaInterpol Tirana ka ekstraduar nga Athina një shtetas shqiptar të dënuar me 25 vjet burg për vrasje me paramendim. Bëhet fjalë për Ndok Gjekën, 48 vjeç, lindur në Lezhë.

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, në datën 11.03.2005 ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, duke e dënuar shtetasin Ndok Gjeka me 25 vjet në burg për kryerjen e veprave penale vrasje me paramendim në bashkëpunim, plagosje e rëndë me dashje në bashkëpunim dhe prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit.

7 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Lu: Bosët e krimit lëvizin lirisht në Shqipëri, kanë lidhje me njerëz me pushtet

Posted: 07 Sep 2016 01:06 AM PDT

Ambasadori Amerikan ne Tirane, Donald Lu, gjate konferences "Korrupsioni zgjedhor, nevoja per nje reforme elektorale te thelle dhe gjitheperfshirese", e iniciuar Koalicioni i Vezhguesve Vendore, ne hotel Tirana./r/n/r/nAmerican Ambassador in Tirana Donald Lu during a conference about the necessity of the Electoral Reform.

Ambasadori amerikan Donald Lu ka folur sot për krimin në Shqipëri. Lu theksoi se situata është e rëndë, pasi numri i personave të arrestuar që kanë lidhje me krimin, është i ulët. Ai shpreson se reforma në drejtësi do të përmirësojë situatën.

“Në Shqipëri, të akuzuar për trafik droge dhe bosët e trafikimit dhe një prej tyre është Emiljano Shullazi, i cili për shumë vite është akuzuar dhe vetëm së fundi është arrestuar.

Shqipëria ka nivelin më të ulët të të arrestuarve për akte kriminale. Problem është pandëshueshmëria. Bosët e krimit lëvizin të lirshëm, pasi kanë lidhje me njerëz me pushtet.

Situata në Shqipëri është serioze, por besoj se reforma në gjyqësor dhe dekriminalizimi do të përmirësojnë situatën. Shqiptarët janë të lodhur me këtë situatë. Largimi nga parlamenti i këtyre kriminelëve do të ketë një efekt të madh për të dënuar bosët e krimit.

Reforma është e rëndësishme për të përmirësuar sistemin e gjyqësorit. SHBA është angazhuar për të ofruar mbështetje. Agjentët e FBI-së do të ndihmojnë Shqipërinë”, deklaroi Lu.

7 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Rrëzimi i avionit në Maqedoni, identifikohen viktimat; vetëm një kosovar

Posted: 07 Sep 2016 12:53 AM PDT

C_2_fotogallery_3004781_1_imageHije të reja dyshimi për identitetin e saktë të viktimave. Mësohet se piloti në bordin e avionit quhej Francesco Montagnieri. Po ashtu, bashkudhëtarë kanë qenë edhe tre shtetas të tjerë italian, mes të cilëve edhe një femër. Emrat e tjerë janë Dario Bastasin, Luka Dalle Mile. Kurse, shtetasja femër quhet Ilaria Berti.

Mediat italiane thonë se emri i viktimës së gjashtë është Angelo Callegari, ndërkohë që rrëzon mundësinë e dy viktimave kosovare.

Sipas të dhënave nga “Tgcom”, vetëm Visar Begaj është shtetasi kosovar që ka humbur jetën në këtë fatkeqësi. Ndërkaq, mësohet se Fazli Begaj, vëllai i viktimës, Visar Begaj, është shëndosh e mirë dhe gjendet në Itali. Ata janë nga Banja e Malishevës. Sot pritet të zbardhen zyrtarisht detajet.

7 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more