Skip to main content

“Clinton anulon udhëtimin në Kaliforni, shkak shëndeti” plus 9 more - Gazeta Dita

“Clinton anulon udhëtimin në Kaliforni, shkak shëndeti” plus 9 more - Gazeta Dita


Clinton anulon udhëtimin në Kaliforni, shkak shëndeti

Posted: 12 Sep 2016 02:24 AM PDT

Një ditë pasi nuk u ndie mirë dhe u largua më shpejt nga ceremonia e zhvilluar për nder të viktimave të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork, kandidatja demokrate për Presidencën amerikane, Hillari Clinton anuloi një udhëtim fushate në Kaliforni.

Mjekët e kanë diagnostikuar ish-Sekretaren e Shtetit me pneumoni. Në fakt, ekipi i saj thotë se diagnoza është vënë që të premten dhe 68-vjeçares i janë administruar antibiotikë.

Incidentin e së dielës, ndihmësit e saj ia faturojnë të nxehtit mbytës në "Ground Zero" gjatë ceremonisë përkujtimore të ngjarjes tragjike dhe gati 3.000 jetëve të humbura 15 vite më parë. Në ideon e publikuar pak pas episodit, që ngjalli menjëherë spekulime mbi shëndetin e Clintonit, politikanja shihet duke u mbështetur te truprojat, të cilët e shoqërojnë në minibusin e saj për ta dërguar në apartamentin e së bijës aty pranë.

Më vonë, Clintoni u tha reporterëve se ndihej shumë mirë, duke lënë të kuptohej se nuk bëhet fjalë veçse për një problem të momentit. Nuk binden, ndërkohë, kundërshtarët republikanë, të cilët e kanë vënë edhe më përpara në dyshim mirëqenien e saj fizike.

Kandidati për president, Donald Trump, muajin e kaluar u tha simpatizantëve të tij se Clintonit i mungon qëndrueshmëria mendore dhe ajo fizike për të shërbyer si presidente e Shteteve të Bashkuara e për të luftuar militantët e Shtetit Islamik.

Në vitin 2012, ish-Zonja e Parë iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pas një tromboze, por sipas mjekut personal e mori veten plotësisht dhe sot është në gjendje jashtëzakonisht të mirë shëndetësore

Opozita shënon fitore të rrallë në Bjellorusi

Posted: 12 Sep 2016 02:22 AM PDT

Dy kandidatë opozitarë kanë fituar ulëse në zgjedhjet parlamentare në Bjellorusi, duke shënuar përfaqësimin e parë në 20 vjet.

Komisioni Zgjedhor tha se Anna Konopatskaya, nga Partia e Bashkuar Civile, ka fituar njërën nga 110 ulëset në Dhomën e Ulët të Parlamentit.

Kandidatja e pavarur, Yelena Anisim, e cila ka lidhje me opozitën, ka fituar po ashtu ulëse.

Konopatskaya dhe Anisim do të jenë parlamentarët e parë opozitarë në Bjellorusi që nga viti 1996. Parlamenti ka qenë i dominuar nga aleatët e presidentit Alyaksandr Lukashenko.

Zgjedhjet janë mbajtur të dielën dhe pjesëmarrja ka qenë 74.32 përqind.

Korrespondentët thonë se pjesëmarrja e opozitës në zgjedhje ka qenë koncesion për thirrjet e Perëndimit për më shumë transparencë në Bjellorusi.

Vëzhguesve të jashtëm po ashtu u është dhënë qasje në numërimin e votave.

Zgjedhjet e fundit parlamentare më 2012 janë bojkotuar nga dy partitë kryesore opozitare.

Nga 521 kkandidatët që kanë garuar këtë herë, 176 kanë qenë nga partitë opozitare.

Një psikolog dallëndyshesh dhe reformat kamikaze.

Posted: 12 Sep 2016 02:21 AM PDT

"Reformatori i madh " dhe drama e "të reformuarve".

Ky ishte një shkrim i Agron Gjekmarkajt te gazeta Panorma, ku autori i kishte vene vetes qëllim të shpaloste "dramën e të reformuarve"(dramën tonë, pra) dhe dështimin e "Reformatorit të madh" (Kryetarit të qeverisë, pra).

Gjekmarkaj njihet si i rreshtuar qartë në rradhët e militantëve të Partisë Demokratike e, kësisoj, lexuesi e pret se cfarë do të jetë fabula e shkrimeve të tij.Kjo është normale dhe e respektueshme.Secili zgjedh botkuptimin në dritën e të cilit sheh gjithshka përreth.

Ka nga ata qëia dalin mbanë here- herë të nxjerrin syrin jashtë botëkuptimit dhe të shohin për disa caste të lirë natyrën, me ngjyra që nuk depërtojnë përmes filtrave.

Këta janë më të zotët dhe më të rrallët.E, si me të rrallët, janë edhe më të pëlqyeshmit.

Këta përpiqem të gjej përmes faqeve të shtypit cdo ditë. Ka ndonjë ditë qëia dal të gjej. Në të përditshmen, nuk gjej gjë. Ama, ato pak herë që gjej, ia vlen mundimin.

Jo se ata lloj autorësh nuk kanë njëkahje nga u fle shpirti e nga ku votojnë.E kanë patjetër. Por ia dalin mbanë të nxjerrin jashtë filtrave të shpirtit atë cepin e syrit që xixëllon mbi natyren e virgjër, mbi të vertetën absolute.

Thashë të vërtetën absolute.

Dhe ajo nuk është kurrëdy ngjyrëshe, as tre. Ajo ka të gjithë ngjyrat e ylberit dhe, këta autorë të rrallë, i përshkruajnë ato ngjyra për ne të tjerët, në pjesën më dërrmuese një -ngjyrësh: kuq, zi apo blu.

Dhe mos më thoni që nuk na pëlqen nën ndërgjegje ylberi, edhe kur nuk ia lejojmë vetes t'a themi me zë të lartë. Nuk ka dale kot shprehja që përdorim rëndom kur flasim për karakteret (përfshirë tonin), se bota është e bukur ngase shtë plot ngjyra.

Herë- herë Gjekmarkaj do kohëcoku ka dashur të duket sikur e ka nxjerrë syrin jashtë filtrave. Por në fakt, kuptohej se nuk e ka bërë vërtetë, thjesht ka tentuar të përfytyrojë se si do të ishte nëse do e bënte dhe naka treguar kështu cfarë i ka treguar fantazia.

Natyrisht, petalin e trëndafilit e ka parë blu dhe qiellin të kuq.

Por, ama më ka pëlqyer tentativa.Se, mendoja, të paktën e kanë mendje që duhet të jetëndryshe.Por, nuk e di pse nuk i zgjati shumë kjo ide.Dhe e kupton që i është shuar përfare kur lexon edhe këtë shkrim të fundit.

Unë e lexova me shpresën se kushedi, ndoshta këtë herë Gjekmarkaj iaka dalë ta shndërrojë idenë në lëvizje e të m'a bëjë këtë ditë atë të duhurën për "autorin e rrallë".

Jo dhe jo. Qartësisht jo.

Gjekmarkaj ështëfutur edhe më thellë pas filtrave të qelqtë blu.Tani ai shikon edhe trëndafil blu, edhe qiell blu, edhe kopshtin botanic qëështë veshur në blu.

Ndaj, bota e tij virtuale është ngërthyer ndër reforma të dështuara, madje keqdashëse, të një Reformatori që vetëm lincimi i vjen hakut.

Sigurisht që jo të gjithë reformat kanë qenë re-forma. Ndonjë mund të ketë qenë de-forma.

Ama, nuk mund të jenë të gjitha de-forma.

As teoria e  probabilitetit nuk të keshillon që të gjitha kokrat do t'i zgjedhësh blu. As të kuqe.

Do ketëtek-tuk ndonjë kokërr të zezë në vargun e përpjekjeve për të zgjedhur vetëm të kuqe.

Por jo, Gjekmarkaj nuk e njeh mesa duket këtë teori. Ai është i sigurtë: të gjitha tentativat e Ramës për të bërë reforma të suksesshme (dhe numri i reformave në këtë bashkësi është goxha i madh edhe për listën e reduktuar të Gjekmarkaj) kanë rezultuar me probabilitet 1 në reforma të pasuksesshme, madje, reforma kamikaze, me vullnet të plotë. Asnjë për be nuk doli gabimisht e mirë, se atëherëna i bënte probabilitetin 99.99%.

Dhe Gjekmarkaj telendiset të bëjëmë shumë sesa thjesht shpalosja e asaj që sheh pas filtrave të botës së tij. Ai rekej edhe tëna hapte sytë edhe mendjen qëtë gjithët'a shikonim me sytë e tij dramën dhe t'a kuptonim me mendjen e tij dështimin universal.

Se ndodh edhe të të shpaloset para syve "mali" e ti prapëmos të shikosh gjë. Për shembull kur nuk do të hapësh sytë. Ose kur i ke hapur por je duke parë për qefulla. Ose dallëndyshe. E pranoj, dallëndyshet ia doli të më bëjë t'i shoh, edhe pse une i shoh të zeza dhe jo blu.

Dallëndyshet e mia ndryshojnë nga ato të Gjekmarkaj, se të tijat kanë "psikologji" kurse këto të miat janë budallaqe, veprojnë vetëm me "instikte". C'hyjnë dallëndyshet këtu?

Ah, se harrova t'a tregoj. I përmend Gjekmarkaj  kur na tregon se sa e dështuar është, p.sh, njëra nga reformat, ajo territoriale. Ja si thote:

" Nëse ndarja e re territoriale do të kishte funksionuar, mbase sot edhe kundërshtarët e djeshëm do të heshtnin…Bashkimi i bjeshkëve me detin, i bregut me kodrën, nuk solli lumturinë e pritur, vecse u zgjati psikologjikisht dallëndysheve territoret e shtegtimit".

Tani sikurse e thua edhe vetë "…mbase edhe kundërshtarët e djeshem do të heshtnin." Ti Agron , për shembull, ke qenë një nga kundërshtarët "e djeshëm". Nuk heshte "sot." Por fakti që ti sërish kundërshton, nuk tregon që reforma territoriale patjetër ka dështuar sepse kundërshtimi yt është me logjike "mbase".  Pra kundërshtarët mbase do të heshtnin, por mbase edhe nuk do të heshtnin.

Pra i dashur pishtar blu (pishtar më tingëllon me epik se llampë), je në konflikt logjike, pervecse në konflikt interesi.Minimumi, mbase duhet tëkishe pritur derisa situata e dështimit të ishte ngjarje e sigurtë.

Do thuash ti që ke fakte qysh tash. Po, po, ke fakte me dallëndyshe blu:

"bashkimi i bjeshkëve me detin, i bregut me kodrën, nuk solli lumturinë e pritur, vecse u zgjati psikologjikisht dallëndysheve territoret e shtegtimit".

Që të bën halli edhe psikolog dallëndyshesh, nuk ma merrte mendja o Agron!

Meqë ra fjala, unë njohvetëm psikologë qëmerren me psikologët e dallëndysheve.

Por, herë- herë gjuha e Gjekmarkaj nuk është kaq poetike (me dallëndyshe, pra). Herë- herë ajo kërcet nga tensioni i mishit dhe i shpirtit nën tortura. Po,po, nga ato të ISIS-it. Sidomos kur flet për pasojat cnjerëzore të reformes në arsim, të cilën e trajton si domen të vetin.

Kujtoj, qëky denoncim i revoltuar, ky demaskim trimosh blu vjen pas votimit të reformes prej rektorëve blu, madje edhe pas zgjedhjes së rektorëve tëpagëzuar në vaskën me ujë blu e gjerësisht të duartrokitur prej gjekmarkajve&co.

Por, as këto zgjedhje të duartrokitura së fundmi (të paktën për Tiranën) nuk mundën t'i clirojnë profesorët nga kthetrat e reformës-kucedër. Ndaj Gjekmarkaj bërtet:

"maturantët që ndihen të dhunuar e poshtëruar në dëshirat e ambiciet e tyre.." ,

 " akademike të heshtur, të mbledhur kruspullnga anatemat e sidomos nga frika mos humbasin ndonjë privilegj pensioni.Te ta duket fle ende Enver Hoxha…"

 Tani, që t'u qash hallin nxënësve e studenteve sot mbase do kishe ndonjë fije të drejtë.

Por, që të fitoje këtë të drejtëdo duhej që t'a nisje duke iu turrur më parë halesë ku ndodhej arsimi shqiptar para do viteve.

I mban mend besoj universitetet-kioska (full&part time), diplomat-letër higjenike, dijen-mall, mësuesin e fiskulturës që jepte matematikë, mesuesin që e hiqnin nga puna nëse merrte mungesë te mitingu,etj, etj.

Por ti këtë nuk e ke bërë.Jo për gjë,po të kompromenton "paanësine", o pishtar.Tregon që drita që bën tiështë vetëm blu.

Nuk ndricon pamjen reale pra.E nxjerr të frikshme e pa gjak.Errëson.

Pastaj, kjo puna e krahasimit me Enverin…Hmm. Ki kujdes këtu…Do mërzitësh ndonjë në anët e tua…

Po kulmi, ama kulmi internacional, vjen  kur shënjestron reformën në drejtësi si më poshtë:

"…reforma në drejtësi është më e lakuara në gojën e Kryeministrit. Aq shumë herë e ka nominuar, sa me të drejtë ndokush shqetësohet mos i ka dëmtuar dhëmbët nga fërkimi….reformën në drejtësi, që u korrigjua rrugës nga Opozita dhe LSI-ja…në fund e duartrokitën dhe e votuan të gjithë. Kryeministri u mërzit dhe mundohet ta prishë me ligjet shoqëruese…"

 Me këtë "argumentim të detajuar e logjikë dërrmuese" e bëre copë-copë edhe reformën në drejtësi, njësoj sic leqendise gjithë reformat e tjera.

Se ja, edhe sikur t'i pranojmë të gjitha, një gabim të vogel nuk t'a pranojmë dot: JO:" e duartrokitën dhe e votuan të gjithe";

DUHET: " e votuan pastaj e duartrokitën të gjithë".

Eee ndryshon, ndryshon dëgjo mua…

Meqë ra fjala, nuk na the gjë fare për ndërtimet pa leje, energjinë elektrike, legalizimet, duhanpirjen në ambjente publike…apo herë tjetër shpresoj?

Le që, doli ideja edhe me aq sa ke cekur. Edhe këto 100% të dështuara, dashakeqe, kamikaze.Xhama blu, blu, blu. Madje jo, akoma më keq: xhama zi, zi, zi, zi. Errësira ka rrethuar Gjekmarkajn…

Ah, more Agron. Ma shove shpresën se ndonjë ditë do ia mbrrije të nxirrje cepin e syrit jashte filtrit. Gjynah!

Ky reagimi yt ,më sjell ndër mend vargjet e Tennyson :

" Dikur, një ditë të mirë,

mbolla në token një fare,

nga aty një lule mbiu,

por njerëz thanë "është vec bar".

Ma harxhove kot dhe këtë ditë duke lexuar me shpresë nëpër rradhet e tua për ndonjë provë ndryshe…

Do thuash ti po unë që ndoshta jam pas filtrave të kuq? Epo unëia dal të nxjerr cepin e syrit herë-herë e të shoh natyrën e egër e të virgjër. Të paktën, e mbaj si një ushtrim vullneti që më mban në formë.

Në fund, duke e mbyllur shkrimin Gjekmarkaj thotë :

"Këto janë reformat që nuk janë bërë kurrë më parë në vendin tonë, të gjitha për meritë të "Reformatorit të madh"! Mos e besoni po deshët! Kush ka dilemë për të keqen e vet, le të pyese vec dy maturantë."

Une i pyeta dy maturantë Agron.

Ata më shtynë të shkruaj këto rradhë.

 

Koreja e Veriut po përgatit çmendurinë e radhës

Posted: 12 Sep 2016 02:19 AM PDT

Zyrtarë të Koresë së Jugut kanë bërë të ditur se Veriu komunist mund të jetë gati të zhvillojë një tjetër test bërthamor në çdo kohë. Koreja e Veriut zhvilloi testin e pestë bërthamor gjatë së premtes, të cilin e konsideroi edhe si më të madhin deri më tani.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha se ekziston ende një tunel i pashfrytëzuar në vendin ku zhvillohen testimet në Punggye-ri, i cili mund të përdoret për shpërthimin e gjashtë të këtij lloji në të ardhmen e afërt.

Ndëshkueshmëria e gjerë e së premtes, nga vendet fqinje të rajonit dhe më gjerë, përshkallëzoi tensionet dhe shkaktoi edhe një retorikë tepër të ashpër nga Koreja e Jugut.

Të dielën, një burim ushtarak koreano-jugor tha për agjencinë e lajmeve "Yonhap" se Peniani, kryeqyteti i Koresë së Veriut, mund të kthehet tërësisht në hi nëse shfaqen shenja të mëtejshme të ndonjë sulmi bërthamor.

E ndërsa dyshimet mbi pretendimin e Koresë së Jugut mbeten, duke presupozuar se Veriu komunist mund të përdorë tashmë edhe koka me mbushje bërthamore në raketat balistike, gjë që nënkupton se mund të kryejë edhe një sulm bërthamor, ekspertët thonë se progresi i kohëve të fundit është shqetësues.

Të hënën, "Yonhap" citoi një burim të paidentifikuar qeveritar të thotë se raportet tregojnë se Veriu ka përfunduar përgatitjet për testin e ardhshëm, që pritet ta zhvillojë në tunelin e papërdorur në të kaluarën në Punggye-ri, tunel që ndodhet shumë thellë nën malet verilindore të vendit.

"Burime të inteligjencës në Seul dhe Uashington janë duke mbajtur lidhje të ngushta", tha zyrtari qeveritar që preferoi të mbetej anonim.

Moon Sang-gyun, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes, dha të njëjtën deklaratë edhe për reporterët. Ai nuk dha detaje të mëtejshme, për shkak se konsiderohen si tepër të rëndësishme dhe nuk mund të publikohen për shkaqe sigurie.

Sipas korrespondentit të BBC-së në Seul, testi i ri me shumë gjasa nuk mund të kryhet menjëherë, pasi shkencëtarët e Penianit do të merren me studimin e rezultateve të testit të fundit, por ai mund të zhvillohet në javët apo muajt e ardhshëm.

Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara ka rënë dakord të nisë hartimin e sanksioneve të reja kundër Koresë së Veriut, diçka që vendi i izoluar komunist e quajti "qesharake". Peniani ka zhvilluar dy teste bërthamore këtë vit, por edhe disa testime të raketave të fuqishme balistike. Të dyja llojet e testimeve në fjalë janë të ndaluara nga sanksionet ekzistuese të OKB-së.

Po të hënën, agjencia japoneze e lajmeve "Kyodo" raportoi se ministri i Jashtëm koreano-verior, Ri Yong-ho ka mbërritur në Pekin. Kina është aleati kryesor dhe partneri tregtar më i rëndësishëm i Koresë së Veriut, por së fundi ka shprehur gjithnjë e më tepër shqetësimin ndaj veprimeve ushtarake, me të cilat është shoqëruar retorika agresive e Kim Jong-un. Kina, nga ana tjetër, mbështet sanksionet më të ashpra ndaj Veriut komunist, por me kushtin që ato të kenë realisht ndikim.

 

BANDITËT

Posted: 12 Sep 2016 02:18 AM PDT

 

Bedri Islami

 

Nuk e di rezultatin e zgjedhjeve bashkiake në Dibër dhe , thënë të drejtën, nuk më bën edhe aq përshtypje se kush do e udhëheqë këtë bashki  veriore, në të cilën, asnjëri nga hallet nuk do të hiqet dhe shumë pak nga premtimet e bëra këto dy javë do të mbahen. Për kaq pak kohë, në atë trevë malore, janë bërë aq shumë premtime sa që askush nuk do të mund t'i mbajë, edhe po të qeverisë 10 vite e më shumë. Aq më pak një opozitë, e cila ka në dorë veç çelsat e  kashtës dhe që, si duket, do të rrijë në opozitë edhe katër vitet e mëpasme, për të mos thënë më shumë.

Dibra, në këto zgjedhje bashkiake, ku njëri nga kanditatët bashkiakë nuk kishte as të drejtë vote, se nuk është banor i saj, është në fakt trendi më i keq i pritshëm në zgjedhjet politike të qershorit të ardhshëm; është droja e madhe se në Shqipëri do të përsëritet viti 1996, por kësaj here në sensin e kundërt, ku, opozita e sotme, pozita e vitit 1996, do të bëjë gjithçka që është e mundur forcërisht, për të ardhur në pushtet.

Do ta bëjë këtë sepse, si duket, më shumë se gjithë të tjerëve, në strukturat e saj është frika e Sistemit të ri të Drejtësisë, për të cilën mendojnë, jo pa të drejtë, se, duke qenë në pushtet, mund ta heqin nga vetja, krimet që ka bërë, përvetësimet e jashtëzakonshme, grabitjet, mjerimin e vrasjet.

Meqenëse është sjellur në këtë mënyrë me drejtësinë, edhe kur ka qenë në pushtet, edhe kur ka qenë jashtë pushtetit ,por e pushtetshme në sistemin që kishte ndërtuar vetë,  pëdëistët politikë e banditë , më shumë se gjithçka tjetër drejtësisë i a kanë vënë dy këmbët në fyt, dhe, si kanë dashur, i a kanë liruar paksa fytin, vetëm kur është dashur të prononcohen në të mirë të shqupasve të sotëm, gërdecarëve të djeshëm dhe njëzetenjë janarsve vrasës gjakftohtë.

Në të vërtetë çfarë ndodhi në Dibër në këto tri javët e fundit? Pse qëndron droja se e gjithë kjo mund të pësëritet edhe në vitin e ardhshëm? Cili është rreziku që rri mbi kokën e shqiptarëve dhe mbi fatin e Shqipërisë?

Dibra, jo për fajin e saj dhe jo nga njerëzit e saj, është shembulli më i pistë se si mund të importohet dhuna revolucionare nga qendra në bazë. I ngjan një lëvizje kastriste, por në drejtimin e kundërt; ku kryeqyteti dhe liderët e mëdhenj rrethojnë një bashki provinciale dhe këtë e bëjnë jo me ide, vizion e mendim,por përmes dhunës.Dhe përmes forcave paraushtarake.

Në Dibër këto ditë anë qenë të pranishëm disa nga figurat më të stërkëqija të Opozitës, misteri i shumë enigmave vrastare rëndon mbi to. Ashtu si rëndon misteri i njohur i tregtimit të drogës, sajimit të provave të rreme, krijimit të grupeve të krimit dhe falangave të tij; mbi këto njerëz që ishin të pransihëm në Dibër rëndojnë aq shumë akuza, të cilat nuk u zbardhën vetëm se ishin në pushtet dhe se pushtetarët e sotëm nuk kanë këllqe, sa që do të mjaftonin për disa gjykata speciale.

Figura të spikatura të pararojës së dhunës pëdëiste , mes tyre Noka, që si bandit kërcënon me pistoletë, Sefgjini, njeriu më i akuzuar për vrasjen e një militanti të luftës në Kosovë, Kuliqi, njeriu që ishte i pari në vdekjen e Trebickës, figura të tjera që nuk janë ndodhur rastësisht pesë vite më parë në Vlorë kur u vra gjykatësi Konomi, nxitës të vrasjeve të 21 janarit, mes tyre edhe ish ministri i brendshem, Basha, që çirret gjithë ditën për të varfërit, kur vetëm njëra nga orët e dorës së tij mund të mjaftonte për një muaj bukë për gjithë Maqellarën,ku metingashët pëdëistë janë shndërruar në policë; ku njerëz të aventurës politike, si një Spahiu, duke u kapërdisur në veturat e shtrenjta, blerë ,ose me paratë e kohës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë ose të shfrytëzuara nga naiviteti njerëzor; ish policë, ish gardistë, deri tek garda me emrin e Azem Hajdarit.

PD-ja e shëndrroi të gjithë fushën e Korabit në fushë beteje, për të pasur një precedent si mund të ushtrohet trysni përmes banditizmit.

Ata bënë njerën nga provat e përgjithshme të vitit të ardhshëm, përmes së cilit precedent, do të krijojnë premisat për një shtrirje të gjërë kudo që të munden, sidomos në veriun e Shqipërisë.

Ata e duan këtë bastion, e duan edhe pse e kishin harruar e rishtas do e harrojnë. Jo rastësisht lideri i tyre real, Berisha, që nga salla e Kuvendit, ku prej kohe është vetëm nga toleranca budallaqe e socialistëve, pak ditë më parë lëshoi kushtrimin se socialistët nuk e duan veriun. Rigoroz në qëndrimin e tij për ndarjen me thikë jug – veri, ai në fakt bëri thirrjen e përmbysjes me çfarëdo mjeti, dhe fill pas tij, duke u nisur nga zënkë e zakonshme mes qeverisë dhe bashkive, doli edhe një grua nga qyteti im për të bërë denoncimin sipas vazhdimit politik të Berishës.

Pastaj vërshoi edhe më tej sulmi bandit.

Dibra u bë qendër e rishfaqjes së një viti të prapshtë, pas së cilit kanë ardhur kaq zezona për Shqipërinë.

Demokratikasve aq u bën për zezonën e këtij vendi. Banditët nuk njohin asgjë tjetër veç banditizmit.

Lexova një deklaratë politike të kësaj partie. As më shumë se 25 rrjeshta, por përmendet mbi 20 herë krimi, pastaj  kriminale, hakmarrje, forcërisht, ndejkje, ndëshkim, deri tek kërcënimi publik parlamentar se " ju keni thyer dhe do ju thyejmë …"

Era e Dibrës, pavarësoisht se cili do të jetë kryetari i rii bashkisë të hënën në darkë, është më e prapshta për këtë vend.

Është fatale. Është kob.

Ata që e kanë bërë një herë këtë vend kobzi, si në majin e vitit 1996 e një vit më pas, kur ende kishte një grupim që mund të quhej i ndershëm, ata do e bëjnë tani, shumë herë më keq. Sepse tani, veç të tjerave, është vënë në lojë edhe jeta e tyre, e ardhmja e familjeve të tyre, pasi pasuria që kanë ngritur mund t'u hiqet.

Dibra , jo si bashki, por si shfaqje politike e importuar nga Tirana, saktësisht nga forcat paraushtarake të demokratikasve, duhet të mbetet një rast i vetëm, i rëndë, por i vetëm.

Nëse kjo do të vazhdojë të shtrihet më tej dhe të marrë përmasa të reja, viti 1996 do të na duket si një lulëzim, dhe askush nuk do e dijë të ardhmen e këtij vendi.

Çuditërisht, por jo rastësisht, e ardhmja e këtij vendi po kobëzohet pikërisht nga ata që thonë se u ngritën për ta demokratizuar dhe për ta bërë si gjithë Europa.

Për fat të keq.

 

 

Rinis numërimi në Dibër

Posted: 12 Sep 2016 02:11 AM PDT

Në Dibër ka rifilluar numërimi i votave për zgjedhjen e kryebashkiakut të ri ndërmjet dy kandidatëve: atij të majtë, Muharem Rama dhe atij të djathtë, Sherefedin Shehu.

Në orën 5:00, numëruesit vendosën të bëjnë një pushim pasi numëruan live, fletët e 44 qendrave të votimit dhe ku socialisti Muharem Rama rezultoi me  7 373 vota kundrej demokratit Sherefedin Shehu me 5 817 vota. Rama kryeson deri tani me 1556 vota.

Nisin aplikimet për fakultet të dytë dhe transferim studimesh

Posted: 12 Sep 2016 02:06 AM PDT

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka hapur procedurat për të gjithë kandidatët që dëshirojnë të vijojnë një fakultet të dytë apo ata studentë që duan të bëjnë transferimin e studimeve nga një universitet në tjetrin.

MAS ka miratuar udhëzimin për kriteret dhe procedurat që duhet të ndjekin kandidatët për fakultet të dytë dhe transferim studimesh.

Sipas afateve të përcaktuara nga MAS-i, afati i fundit i aplikimit është data 19 shtator. Po ashtu, në udhëzimin e saj, Ministria e Arsimit ka përcaktuar edhe kriteret dhe dokumentet e aplikimit për kandidatët, të cilat duhet t'i dorëzojnë pranë sekretarive mësimore të fakultetit përkatës.

Studentët që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur një program të dytë studimi, kanë tarifa të tjera në krahasim me studentët që ndjekin po atë program studimi por e kanë fakultet të parë.

Kandidatët që aplikojnë për program të dytë studimi apo transferim studimesh, kanë të drejtë të aplikojnë deri në 5 programe studimi. Në udhëzimin e MAS-it përcaktohet se kandidatët që aplikojnë për program të dytë studimi, duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare, ndërsa nuk pranohen aplikime për transferime të studimeve gjatë vitit akademik.

Kandidati nuk duhet të jetë duke ndjekur një tjetër program studimi. Të gjithë kandidatët për program të dytë studimi, që kanë mbaruar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, duhet të kenë të njohur diplomën/certifikatën e arsimit të mesëm të lartë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

Lista përfundimtare e fituesve në programin e dytë të studimit dhe për transferim studimesh bëhet në datën 10 tetor, ndërsa regjistrimi i fituesve do të bëhet nga data 10 tetor deri më 14 tetor 2016.

Shefit të antikorrupsionit i gjejnë 120 milionë euro

Posted: 12 Sep 2016 02:04 AM PDT

Një kontroll i befasishëm në shtëpinë e kreut të Antikorrupsionit në Rusi ka përfunduar me zbulimin e 120 milionë eurove dhe 2.2 milionë dollarë kesh.

Policia ruse ka kontrolluar shtëpinë e Dmitry Zakharchenkos, kreu i Departamentit të Industrisë dhe Energjisë në Administratën e Përgjithshme të Ekonomisë, Sigurisë dhe Luftës kundër Korrupsionit.

Hetuesit u kanë thënë mediave ruse se gjatë kontrollit është gjetur një çantë brenda të cilës ishin 120 milionë euro dhe 2 milionë dollarë.

"Ata shtojnë se këto nuk janë të vetmet asete të Zakharchenkos, por pritet që listës t'i shtohen edhe të tjera", citohet një burim në agjencinë "RIA Novosti".

Çanta me para është gjetur në studion e kreut të Antikorrupsionit, i cili ka refuzuar ta shpjegojë origjinën e parave, por ka thënë se nuk ishte fajtor për asgjë.

Zakharchenko është arrestuar për abuzim me pushtetin, pengim të drejtësisë dhe korrupsion, shkruan "RIA Novosti", duke iu referuar një burimi brenda gjykatës.

Ai pritet të dalë para trupit gjykues në 8 nëntor. Avokatët e të arrestuarit kanë kërkuar lirimin me kusht kundrejt një garancie prej 70 milionë rublash (1 milion dollarë).

Sipas agjencisë së lajmeve TASS, paratë i përkisnin bankës NOTA, të cilës i është revokuar licenca në nëntor të vitit të kaluar.

Vëzhgim / Dibranen askush nuk e mëson dot si ta pastrojë shtëpinë

Posted: 12 Sep 2016 02:00 AM PDT

…Dibra nuk e ka rrahur kurbetin. Gjithçka e ka nga vetja. Pastërtinë dhe rregullin shtëpiak e ka në gjak, në shpirt. Gruas dibrane i shndrit veshja në trup, i shndrit shtëpia nga pastërtia. Gruaja Dibrane po nuk e leu shtëpinë me gëlqere dy herë në vit, një herë me të dalë dimri (prill) dhe herën tjetër në vjeshtë, pa hyrë dimri (tetor), nuk i zihet, nuk i hyhet brenda. Në Maqellarë pashë që jo vetëm oborrin e shtëpisë e kishin dritë të pastër por edhe rrugën që lidhte shtëpitë me njëra tjetrën në lagje…


Nga një bisedë me Javer Malon  (tetor 1964)

 Në tetor të vitit 1964 më ra rasti me udhëtuar nga Peshkopia në Tiranë me një personalitet të kulturës dhe të diplomacisë shqiptare, me Javer Malon. Në Klos devijuam rrugën e zakonshme, morëm kthesën pa hyrë në qytet, kaluam një urë druri mbi Mat dhe nisëm ngjitjen e Planit të Bardhë, rrugë e cila të çon në Shëngjergj e më tej të zbret në Tiranë. Gazi, nuk mund ta kalonte shpejtësinë e pesëmbëdhjetë kilometrave në orë. Kërcimet e rrotave gur mbi gur i kaluam në një bisedë për Dibrën dhe gruan Dibrane. Javeri asokohe, në pritje të detyrës së re diplomatike, punonte në "Zërin e popullit". Kishte ardhur në Dibër për ta njohur atë nga afër e për të bërë një reportazh për njerëzit, reportazh i cili u botua në dy numra radhazi faqosur në fund të faqeve 2 dhe 3 të gazetës.
Ishte i befasuar nga rregulli dhe pastërtia e gruas dibrane, rregulli e pastërtia e shtëpisë, kultura e jetesës, kujdesi për rritjen e fëmijëve.
Asokohe unë, student pjesë e një ekspedite për studimin e tokave acide të vendit, më ra rasti ta njoh Shqipërinë që nga Bularati i Gjirokastrës deri në Valbonë e Razëm. Një përvojë që e ruaj si gjë të shtrenjtë të jetës sime.
I fola me admirim për kulturën e jetesës të Korçës dhe Gjirokastrës. Më kundërshtoi me qetësinë e zërit të tij që edhe në ato kërcime gur mbi gur asaj të përpjete që nuk e kam jetuar më pas atij viti, ruante nota të kulturës diplomatike.
– Korça dhe Gjirokastra nuk e kanë nga vetja, e kanë nga emigracioni, e kanë rrahur herët kurbetin, kanë marrë e sjellë jo vetëm para por mbi të gjitha kulturë, rregull e pastërti. Dibra nuk e ka rrahur kurbetin. Gjithçka e ka nga vetja. Pastërtinë dhe rregullin shtëpiak e ka në gjak, në shpirt. Gruas dibrane i shndrit veshja në trup, i shndrit shtëpia nga pastërtia. Gruaja Dibrane po nuk e leu shtëpinë me gëlqere dy herë në vit, një herë me të dalë dimri (prill) dhe herën tjetër në vjeshtë, pa hyrë dimri (tetor), nuk i zihet, nuk i hyhet brenda. Në Maqellarë pashë që jo vetëm oborrin e shtëpisë e kishin dritë të pastër por edhe rrugën që lidhte shtëpitë me njëra tjetrën në lagje…
E ndjeva veten të vlerësuar, vlerësim që më vinte nga nëna dibrane, nëna ime në Brezhdanin tim që edhe pse ujin e kishin larg, edhe pse u duhej një herë në javë të ngarkonin kafshët e samarit me shtresat e mbulesat për ti çuar në Drin për ti larë, edhe pse nuk kishin pompa e furça të sotme të lyerjes së shtëpisë, sajonin furça me fijet e bishtave të kuajve, madje edhe me poastaqi dhe e lyenin e dezinfektonin shtëpinë  me gëlqere. Edhe pse nuk kishte çimento gatuanin horasan (gëlqere me rërë të imët) dhe shtronin dyshemetë e dhomave. Dhe kur shtronin horasanin mblidheshin të gjitha gratë e lagjes për ta lustruar sa e shihnin veten si në pasqyrë…
Më kujtohen gratë dhe vajzat e lagjes sime në Peshkopi që mban emrin e Gjokë Doçit, të shtunave që pasi pastronin shkallët (asokohe nuk kishte pastruese shkallësh), i hynin me themel oborrit, rreth e qark pallatit dhe e bënin dritë. Mbeturinat e bënin grumbull në pritje të karrocës së Lulit që i merrte për ti depozituar e përpunuar për pleh diku në krah të majtë të stacionit të tensionit të lartë.
Dibranen askush nuk e mëson dot si ta pastrojë shtëpinë, si të krijojë rregull e pastërti brenda dhe jashtë, si ti lajë rrobat e ti veshë fëmijët me rroba të thjeshta por të hekurosura e dritë të pastra.
Një deputet që nuk e di veten në se është në qiell apo në tokë shkroi se "u pastrua Dibra". Lexuesit dibranë, në komentet anonime, e ndjenë veten të fyer dhe pyesnin se nga cili planet vjen ky deputet dhe flet për "pastrim të Dibrës".
Nuk është vetëm ky se po të ishte do t'i "lëshonim dushke" e do ta harronim.
Për pastrim të Dibrës, për kanale të zeza, të bardha e me ngjyra të tjera flasin me gojën plot e gjithë aradha e madhe, e paparë ndonjëherë, e partiakëve të mëdhenj e të vegjël që janë shtruar për ta ngrënë e për ta pirë Dibrën.
"Largimi i mbeturinave është detyra e parë që do të kryejë bashkia nesër. Dibra nuk e meriton që të jetë e papastër…"
"Përveç largimit të mbeturinave,  projekti më i rëndësishëm do të jetë projekti i kanalizimeve"….
"Do të ndërtojmë impiant plehrash"…
"…Pleh, pleh, papastërti, kanale të ujërave të zeza
…"

Ky ishte refreni i fushatës për karrigen e kryetarit të bashkisë së Dibrës, a thua se Dibrën e ka mbuluar llumi.
Flasin edhe për "ujësjellës", për "ujë të pijshëm në çdo shtëpi" pa e ulur kokën poshtë e u kërkuar ndjesë dibraneve se gjatë këtyre viteve në pushtet jo vetëm nuk ndërtuan një ujësjellës të vetëm por shkatërruan edhe ato që e kishin çuar ujin e burimeve të Kovashicës deri në Maqellarë, të Korabit në Peshkopi, ose i nxorrën tubat si të nxirrnin të vdekurin nga varri dhe uji i Sopanikës nuk rrodhi kurrë në linjën nga burimi deri në Brezhdan e Ushtelencë.
Për të mos ua ngrënë hakun, bënë ca shpime në bërrakat e Cetushit dhe me motopompë e sollën ujin në Peshkopi, ujin e qelbur që kishte marrë disa miliona euro shpenzime kot, shpenzime që nuk iu ngarkuan askujt…
Gruaja dibrane gjatë gjithë këtyre 26 viteve nuk i lau duart me ujë të pastër, nuk e flladiti fytyrën me ujë burimi, mbeti ashtu siç kishte mbetur tërë jetën, me bucelë në shpinë, me gjyma në duar, me rroba në samarë kafshësh për t'i larë "me ujë të butë"…
Të majtë e të djathtë, sikur të mos kishte Dibra asnjë burim ekonomik ku të punësoheshin të gjithë dibranët, për alternativë, që të rinjtë e Dibrës mos marrin rrugën e kurbetit, kanë plehun…
Pleh lopësh, pleh delesh, kakërdhia dhishë, pleh kuajsh, sarma gomarësh, glasa pulash… njerëzish…
Uluni në gjunjë dhe u kërkoni ndjesë grave dibrane, këtyre pastërtoreve deri në shenjtëri…

Athinë, shtator 2016

A “do t’ua hapë rrugën” shitja e Bankers kompanive kineze…

Posted: 12 Sep 2016 01:58 AM PDT

Ndërsa më në fund, blerja e Bankers Petroleum nga kinezët e Jeo Jade po shkon drejt finalizimit, ajo e Tirana International Airport, ende nuk ka përfunduar. Edhe shoqëritë shtetërore kineze nuk po hyjnë në tregun shqiptar…

Disa lajme të pak muajve më parë për blerjen e koncesionarit të naftës Bankers Petroleum dhe koncesionarit tjetër të Aeroportit të Rinasit, Tirana International Airport, nga kompani kineze nxiti zërat se nga shteti i Lindjes së Largët po shtohej interesi për tregun shqiptar.

Në mars,  Geo-Jade Petroleum, një nga grupet më të mëdha të pavarura të energjisë kineze, njoftoi se ka hyrë në një marrëveshje për të blerë kompaninë e prodhimit të naftës Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës për një shumë prej 407 milionë dollarë.

Deri në momentin e fundit (afati i konkretizimit ishte fundi i shtatorit) marrëveshja nuk dihej nëse do të arrihej, pasi nuk po merrte miratimin nga qeveria kineze dhe vetëm të premten e kaluar Bankers Petroleum njoftoi miratimin nga ana e aksionerëve të marrëveshjes së propozuar me degën e Geo-Jade Petroleum Corporation.

Në prill grupi i shërbimeve financiare China Everbright me bazë në Hong Kong njoftuan zyrtarisht se ka nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës me koncesionarin Tirana International Airport (TIA).

Çmimi i shitjes ishte 82.25 mln euro. Ndonëse kanë kaluar disa muaj nga nënshkrimi i marrëveshjes, Transaksioni nuk është përfunduar ende dhe aksionerë të Rinasit vijojnë të jenë regjistruar në QKB në pronësi të AviAlliance GmbH (47%); DEG-Deutsche investitions-und Entwicklungsgesellschaft mbH (31.7%) dhe Albanian-American Enterprise Fund "AAEF" (21.3%).

Mësohet se transaksioni ka mbetur pezull, pasi Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, një nga kreditorët e TIA-s, ka kërkuar më shumë informacion për blerësin. Ndërmarrja që do të marrë përsipër të drejtat e koncesionit është emërtuar, "Keen Dynamics Limited" (kompani "offshore" e regjistruar në Ishujt Cayman) dhe sipas marrëveshjes do t'i ushtrojë këto të drejta deri në vitin 2027 (China Everbright është kompania mëmë).

Interes për Shqipërinë ka pasur edhe nga shoqëritë shtetërore kineze, por asnjë nuk është konkretizuar deri tani.

Geri Selenica, drejtor i Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike, e specializuar për projekte me kompanitë kineze thotë se janë dy arsyet kryesore që nuk vijnë kompanitë kineze shtetërore në Shqipëri. Së pari, qeveria shqiptare nuk u ka krijuar kushte dhe së dyti, Shqipëria ka pak gjëra për t'iu ofruar kinezëve.

Lista e kompanive shtetërore kineze që kanë dashur të hyjnë në Shqipëri dhe nuk janë konkretizuar nuk është e shkurtër.

Banka Exim (banka që përfaqëson politikat e shtetit në investimet jashtë Kinës) dhe që ka qenë në negociata për ndërtimin e Rrugës së Arbrit u tërhoq dy vjet më parë.

Power China ka ofruar në tetor 2014 financimin, projektimin dhe ndërtimin për llogari të KESH të HEC Skavica (e madhe) 485 metër. Investimi kapte vlerën e 1 miliard eurove, nga të cilat 600 milionë për ndërtimin e digës dhe mbi 500 milionë euro për shpronësimet dhe rehabilitimin mjedisor dhe ekonomik të zonës së përmbytur. Edhe ky projekt nuk u bë.

Në sektorin e hidrokarbureve kanë shprehur interes CEFC (China Energy Fund) dhe CNPC (China National Petroleum Corp), që nuk janë konkretizuar akoma. Selenica thotë se CNPC do të hyjë me gazjellësin IAP (Ionian Adriatic Pipeline).

Në sektorin e ndërtimit të rrugëve ka pasur interes nga disa firma kineze si: Sinohydro, China Pacific Construction dhe CRBC. Sinohydro po ndërton dy autostrada në Maqedoni, ndërsa CRBC një autostradë në Malin e Zi dhe do të ndërtojë hekurudhën e shpejtë Rijeka-Zagrep-Bozovo (Hungari).

Selenica thotë se këto kompani nuk punojnë pa financimin e Exim Bank, ndërsa nga ana tjetër nuk ka asnjë projekt serioz rrugësh dhe Shqipëria nuk ka mundësi financimi për të tilla projekte. Edhe Pacific Construction, që kishte shprehur interes për ndërtimin e autostradës Adriatik-Jon është tërhequr së fundmi, thotë Selenica./MONITOR

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more