Skip to main content

“ALUIZNI Tiranë, lista me 412 qytetarët që kanë lejen gati” plus 9 more - Gazeta Dita

“ALUIZNI Tiranë, lista me 412 qytetarët që kanë lejen gati” plus 9 more - Gazeta Dita


ALUIZNI Tiranë, lista me 412 qytetarët që kanë lejen gati

Posted: 07 Sep 2016 02:04 AM PDT

Aluizni Tiranë ka publikuar dje listën me 412 emrat e qytetarëve të cilët kanë gati  lejen e legalizimit për ta tërhequr. Përfituesit duhet të shkojë të tërheqin lejen pranë drejtorisë veriore të në kryeqytet.

Ndërsa për pajisjen me tapi të personave që kanë ndërtuar pa leje me ndryshimet e fundit në ligj do të bashkëpunojë ALUIZNI dhe ZRPP-ja pa qenë nevoja të aplikojë vetë përfituesi. ALUIZNI dorëzon në ZRRP: verifikimin e gjendjes juridike të pronës ku janë ngritur ndërtimet informale, përditësimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme, kartelave dhe hartave kadastrale, sipas blloqeve kadastralë ku janë ngritur ndërtimet informale dhe regjistrimin e lejes së legalizimit dhe të pasurisë së legalizuar.

Kërkesa për informacion, për verifikimin e gjendjes juridike të pronës (statusit juridik), dërgohet nga ALUIZNI pranë ZVRPP-së, jo më vonë se 10 ditë nga data e evidentimit faktik në terren (data e "Procesverbalit të evidentimit në terren") dhe shoqërohet nga harta vektoriale në format shkresor dhe elektronik.

Ndërkohë  ZVRPP-ja, brenda 15 ditëve nga administrimi i kërkesës, dërgon informacionin mbi gjendjen juridike të pronave në bllokun kadastral, në të cilin përfshihen: të dhënat mbi pronarin e pasurisë,  hartën kadastrale, në format shkresor dhe elektronik dhe kartelat

 

Formula e plotë se si mund të paguhet fatura për legalizim?

 Cilat janë kategoritë që përfitojnë falje dhe ulje të detyrimit? Afatet dhe kushtet që duhen për të përfituar.

Në vendimin e marrë nga qeveria për çmimin e shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje me funksion banimi (përfshirë dhe shtesat anësore dhe/ose në lartësi në ndërtime me leje), është përcaktuar që fatura për ALUIZNI-in të llogaritet si përqindje mbi vlerën e pronës, sipas llojit “tokë truall”, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Dita sjell të plotë formulën se si llogaritet fatura nga ALUIZNI për ndërtimet pa leje.

Për ndërtimet pa leje me funksion banimi, çmimi i shitjes për një metër katror është 50% e vlerës së përcaktuar për pasurinë “tokë truall”, në njësinë administrative dhe zonën kadastrale përkatëse. Për ndërtimet pa leje të ndërtuara brenda territor i njësive administrative fshat, kur çmimi për metër katror, i përllogaritur sipas kësaj pike, është më i vogël se 400 lekë apo më i madh se 1 lekë, çmimi që do të aplikohet për shitjen e parcelës ndërtimore do të jetë në këto vlera kufi.

Për ndërtimet pa leje, të ndërtuara brenda territorit të njësive administrative qytet, kur çmimi për metër katror, i përllogaritur sipas kësaj pike, është më i vogël se 500 lekë apo më i madh se 2 000  lekë, çmimi që do të aplikohet për shitjen e parcelës ndërtimore do të jetë në këto vlera kufi.

Për shtesat anësore dhe/ose në lartësi në ndërtime me leje, me funksion banimi, pavarësisht nga territori ku ato janë ngritur, kur çmimi për metër katror, i përllogaritur sipas kësaj pike, është më i vogël se 1 000 lekë apo më i madh se 3 000 (tre mijë) lekë, çmimi që do të aplikohet për sipërfaqen përkatëse do të jetë në këto vlera kufi.

Për ndërtimet pa leje me funksion të përzier (banim dhe social-ekonomik), çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore llogaritet në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje, që shfrytëzohet për secilin nga funksionet e mëposhtme:

  1. a) Sipërfaqja e parcelës ndërtimore, në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje që shfrytëzohet për funksion social-ekonomik, shitet sipas vlerës së pronës, të llojit “tokë truall”, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave;
  2. b) Sipërfaqja e parcelës ndërtimore, në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje që shfrytëzohet për banim, shitet sipas çmimit të përcaktuar në pikën 2 të këtij vendimi.

 

Kush përfiton falje pagese

Falje të pagesës do të përfitojnë poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik. Për poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë në përbërje familjare persona me statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik apo me statusin e të verbrit, detyrimi financiar për parcelën ndërtimore zbritet në masën 50% nga vlera e llogaritur.

Për poseduesit e ndërtimit pa leje, që kanë statusin e invalidit të punës ose që kanë bashkëshorte me këtë status, me paraqitjen e dëshmisë zyrtare, detyrimi financiar përgjysmohet . Ndërsa poseduesit e ndërtimeve pa leje, që janë subjekte të ndihmës ekonomike, përfitojnë zbritje në masën 30% nga vlera e parcelës.

Zbardhet VKM

 

 Ndërtimet pa leje, rregullat e reja për marrjen e tapisë

Qeveria ka përcaktuar procedurat e reja të regjistrimit të lejes së legalizimit ose sicc njihet ndryshe marrja e hipotekës. Sipas këtij vendimi, regjistruesi, me paraqitjen e kërkesës, kryen brenda 10 ditësh regjistrimin e lejes së legalizimit, në përputhje me nenin 49 të ligjit nr.33/2012 "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme".

Përcaktimi nëse pasuria (objekti i legalizuar) është individuale, familjare apo në bashkëpronësi (I/F/B) kryhet nga ZVRPP mbi bazën e lejes së legalizimit dhe çertifikatës së gjendjes familiare, që përcillet nga ALUIZNI.

Procedurat e hollësishme të ofrimit nga ZVRPP të shërbimit të regjistrimit dhe të lëshimit të çertifikatës së pasurisë së paluajtshme të legalizuar, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Kryeregjistruesit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t.

Leja e legalizimit, e miratuar pa marrëdhënie pronësie me parcelën ndërtimore (truallin), regjistrohet nga ZVRPP në një kartelë tjetër pasurie nga ajo e truallit, duke bërë shënimet përkatëse në kartelë. Heqja e shënimeve në kartelë dhe regjistrimi i pronësisë mbi parcelën ndërtimore, për lejen e regjistruar do të kryhet nga ZVRPP menjëherë, me hyrjen në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave që miraton kalimin e të drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore dhe kompensimin e pronarëve.

Gjithashtu, ZVRPP do të bëjë edhe regjistrimin e hipotekës ligjore. Regjistrimi i hipotekës ligjore bëhet në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë së legalizuar. Për ndërtimet që posedohen nga më shumë se një subjekt, në rast mospagese të pjesës takuese të detyrimit për parcelën ndërtimore, hipoteka ligjore vendoset për pjesën takuese të pasurisë së legalizuar.Fshirja e hipotekës ligjore do të kryhet nga ZVRPP jo më vonë se 5 ditë, nga data e njoftimit të ALUIZNI-t për shlyerjen e pagesave, njoftim që shoqërohet nga dokumentacioni provues.

Kur aplikuesi është pronar i truallit

Leja e legalizimit, e lëshuar për ndërtime për të cilat subjekti disponon të drejtën e pronësisë mbi parcelën ndërtimore (truallin), do të regjistrohet nga ZVRPP në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Personat e interesuar që do të përfitojnë lejen e legalizimit, do të duhet të dorëzojnë pranë ALUIZNI-t dokumentin që provon regjimin e veçantë martesor, i cili përcillet pranë ZVRPP. Në të kundërt, regjistrimi kryhet sipas regjimit të bashkësisë ligjore.

Subjektet përfitues të lejeve të legalizimit, që konfirmohet se kanë shlyer pagesat e furnizimit me energji elektrike, gjatë një viti nga momenti i njoftimit të pagesës së parcelës ndërtimore, përfitojnë faljen e 10% të vlerës. Për subjektet debitor, ALUIZNI i kërkon ZVRPP vendosjen e kufizimit mbi pasurinë e legalizuar.

Për shtesat në pallate ekzistuese

Për regjistrimin e shtesës informale në lartësi, në pallatet me leje, ZVRPP procedon sipas këtij vendimi. Për këtë qëllim, ZVRPP do të kryejë shënimet përkatëse në regjistrin e pasurive të paluajtshme për rishpërndarjen e kuotave të pjesëmarrjes mbi truallin e ndërtesës ekzistuese, si dhe mbi hapësirën e përbashkët (në bashkëpronësi të detyrueshme).

Leja e legalizimit, e lëshuar për projeksionin e soletës ose të volumit të mbështetur vetëm në një krah (konsolës), do të regjistrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme.

Dokumentacioni

Kërkesa për regjistrim, paraqitet në ZVRPP nga ALUIZNI, brenda 5 ditëve nga data e miratimit të lejes së legalizimit dhe shoqërohet nga dokumentacioni i mëposhtëm:

  1. a) Leje legalizimi;
  2. b) GENPLAN i pasurisë së legalizuar, si fragment i hartës vektoriale të bllokut kadastral;
  3. c) Planimetri të ndërtimit informal (për çdo kat);

ç)            Kopja e Çertifikatës së gjendjes familjare të poseduesit, që disponon ALUIZNI, nga momenti i aplikimit për legalizim;

Maturantët protestë para Kryeministrisë

Posted: 07 Sep 2016 01:59 AM PDT

Kandidatët për studentë që nuk kanë rezultuar fitues në listat paraprake të Universiteteve protestuan sot para Kryeministrisë, të mbështetur dhe nga Lëvizja e Studentëve për Universitetin

Ata kundërshtojnë formulën e pranimit në universitete dhe reformën në arsimit, pasi sipas tyre ka shkaktuar përjashtimin e shumë maturantëve, megjithëse me mesatare të lartë.

Sipas maturantëve, fitues në fazën e parë janë shpallur maturantë të cilët nuk kanë rezultate të larta, ndërkohë që maturantët që kanë pasur nota të mira ende nuk janë shpallur fitues në asnjë degë.

Ata janë shprehur kundër mënyrës së përzgjedhjes së kandidatëve për në universitete. Nga ana tjetër, ka reaguar edhe Ministria e Arsimit, e cila ka sqaruar se lista përfundimtare vetëm për fazën e parë do të publikohet më datë 20 Shtator nga çdo universitet.

"Konkurrenca në fazën e parë është shumë e lartë pasi maturantët me rezultatet më të larta mund të jenë fitues deri edhe në 10 programe. Ndaj me zgjedhjen e vetëm një programi që një aplikant do të vendosë të ndjek, të 9-ta programet e tjera për të cilat është fitues, do të mbeten në dispozicion të raundit të dytë. Jeni të lutur të ndiqni me vëmendje udhëzimet nga universitetet", njofton MAS.

Tefta Radi: Intervista ime me Nënë Terezën që nuk u transmetua kurrë

Posted: 07 Sep 2016 01:57 AM PDT

 

Entela Resuli – DITA

Me një zë kumbues, të pangatërrueshëm, artikulim të qartë dhe çdo fjalie i jep peshën e duhur. Tefta Radi, zonja me flokë të bardha sot nuk është më spikerja kryesore e edicionit informativ në TVSh, por nuk është larguar nga ky institucion, ku vazhdon të punojë në fushën e dokumentarëve.

Sot, 65-vjeçarja, e cila nuk e ka problem ta përmendë moshën, pasi për të është fisnikëri dhe çdo moshë ka bukurinë e vet, është një gjyshe e lumtur.

E kujdesshme për pamjen, e thjeshtë në komunikim të jep përshtypjen e një gruaje zonjë, ashtu siç shumë e kanë njohur nëpërmjet ekranit.

Në këto ditë, kur e gjithë bota ka folur për Nënë Terezën, edhe Tefta Radi ka një moment të rëndësishëm për të kujtuar në marrëdhënie me të.

Në gushtin e vitit 1989 kur Nënë Tereza vizitoi Shqipërinë për herë të parë, Radi u caktua gazetarja që do i bënte intervistën, gruas që në ato momente, njihej si bamirëse dhe kishte marrë çmimin Nobel për paqe në botë, por që deri atëherë kishte patur një marrëdhënie të komplikuar me Tiranën zyrtare, thënë ndryshe shtetin e parë atetist në botë.

Gazetarja ikonë e Televizionit Shqiptar më kënaqësi pranon ftesën e Dita-s për të rrëfyer për ne vizitën e Nënë Terezës në vendin tonë dhe intervistën që realizoi me të, një intervistë që nuk u transmetua kurrë.

 

-Zonja Radi, këto ditë Nënë Tereza është shpallur e shenjtë, dhe ky lajm ka pushtuar botën, por dua të kthehem 27 vite pas, kur Nënë Tereza vizitoi për herë të parë Shqipërinë. Ju atëherë keni qenë gazetare e rëndësishme e Televizionit Shqiptar, na tregoni, si e pritët këtë lajm dhe çfarë thuhej në korridoret e televizionit?

Në kohën e diktaturës nuk ishte e lehtë që gjërat të fliteshin apo përfliteshin korridoreve. Edhe muret kanë vesh – thotë populli. Aq me tepër për një figurë si Nënë Tereza, sot Shën Tereza, që na ka bërë ne shqiptarëve të ndihemi krenarë për misionin e saj të madh, të përbotshëm, postulatet e arta sërish të saj, prej të cilave kemi vend të tërë për të mësuar e vepruar në dobi të paqes e të dashurisë njerëzore. Në veçanti ne shqiptarët, edhe pse patëm fatin t'i japim globit një figurë kaq të madhe bamirësie. Ndoshta shkollimi i saj jashtë trojeve tona, zemra e saj e çelur deri në infinit ndaj dhembjes dhe skamjes, jetëve njerëzore i dha Nënë Terezës përmasat e shenjtit, përmasat e gruas më në zë në botë.

-E mbani mend atë ditë, mund të na e përshkruani?

Natyrisht që po, më shumë emocion dhe pse historia e vizitës së nobelistes, Shën Terezës në vitet e diktaturës, gjatë këtyre viteve është anashkaluar për arsye nga më të ndryshmet. Ishe mesgushti i 1989-s. Data 15, një ditë e nxehtë vere. Një mbrëmje më parë na thirrën në drejtori, ne gazetarët e operatorët që do të mbulonim vizitën e saj. Si operatorë u caktuan Gazmir Shtino e Bujar Kore. Për herë të parë ne gazetarët morëm informacion për bamirësen e madhe. Ishte një vizitë 7 ditore, një vizitë krejt private e Nënë Terezës për të kujtuar e për të vënë përmallshëm një buqetë me lule në varrin e nënës dhe motrës së saj të dashur, për të folur me to e për t'u thënë atyre ato që nuk mundi t'ua thoshte dot kur ishin gjallë. Dhe jo për faj të saj, por të regjimit. Ka dhe nga ata që sot dalin heronj, por të mos harrojmë se çdo gjë është e dokumentuar në foto e imazh televiziv. Mandej dhe në një sërë ekspozitash muzeale apo albume kushtuar shenjtores, me aq sa unë kam parë, çuditërisht asnjë nga ato foto nuk figuron. Me sa duket dhe në 26 vjet demokraci kemi frikë dhe historinë e shohim bardh e zi. Ky është misioni i gazetarisë. E kam pohuar dhe herë të tjera, por sërish e vërteta e vizitës së Shën Terezës në diktaturë vazhdon të mos e gjejë pasqyrimin e vërtetë.

 

Tefta Radi.  (Foto nga Fadil Berisha)

Tefta Radi. (Foto nga Fadil Berisha)

-E kujtoni konkretisht apo në vija të përgjithshme se çfarë ka thënë Nënë Tereza në atë mini-intervistë?

27 vjet mbrapa unë nuk mund të pretendoj të mbaj mend çdo fjalë të cituar prej saj në intervistë. Në vija të përgjithshme në anglisht Nënë Tereza falënderonte Zotin që ëndrrën e saj për të vizituar Shqipërinë tashmë e kishte bërë realitet. Bamirësja e madhe ndihej e gëzuar që vizitonte këtë vend të paqtë e të bukur, vendin ku jetuan familjarët e saj. Ajo ju lut Zotit që popullit të saj, popullit shqiptar, t’i dhuronte mirësi e begati.

-Ju çfarë dinit deri në ato momente për Nënë Terezën?

Natyrisht në një Shqipëri të mbyllur e me një media të fortkontrolluar ne nuk dinim asgjë. Të paktë ishin prej nesh ata që shfletonin ndonjëherë atë që quhej "buletin i verdhë".

-Fakti që pushteti i asaj kohe nuk e kishte pranuar atë, sa ndikoi te ju, për t'u treguar më e përmbajtur? Sa në siklet ishit dhe sa frikë kishit?

Këto janë fakte që dolën në kohën e demokracisë. Në diktaturën komuniste nuk kishte media të hapur ku të publikoheshin të tilla informacione, pra kërkesat e bëra nga Nënë Tereza për të vizituar Shqipërinë, apo përgjigjet e qeverisë ndaj këtyre kërkesave. Nuk kishim frikë, përkundrazi u ndjemë të privilegjuar që do të bëheshim pjesë e pasqyrimit të këtij aktiviteti.

-Si u caktuat ju gazetarja që do të priste dhe intervistonte Nënë Terezën? Sa keni qëndruar me të dhe çfarë biseduat?

7

Tefta Radi duke intervistuar Nënë Terezën në Vilën 31. Intervista nuk u transmetua kurrë

Unë nuk isha e vetmja gazetare që do të mbuloja vizitën e Nënë Terezës. Pjesa ime ishte intervista e cila u realizua në një nga mjediset e vilës 31 në Tiranë, me kamerën e mjeshtrit Gazmir Shtino, për të cilin shfrytëzoj rastin t'i përcjell përshëndetje në Amerikën e largët ku ai jeton për mbi 2 dekada. Ishin momente vërtet emocionuese. Përballë thjeshtësisë së saj, u ndjeva e penduar për veshjen e asaj dite. Një fustan krem, me ngjyrë rozë në lejla të lehtë, një fustan luks për kohën e që e jepja borxh për këdo nga shoqet e mia që mund të kishin ndonjë eveniment. Ndoshta edhe me grimin e kisha tepruar pak. Diçka kjo jashtë natyrës sime si gazetare terreni. Ajo shoqërohej nga motër Maria dhe shkrimtarja australiane Xheni, e cila e shoqëronte në çdo aktivitet e vizitë të saj kudo në botë, pasi shkruante biografinë e Shën Terezës, shqiptares së madhe. Ajo qëndroi në krahun tim të majtë. Duken në foto çanta e vendosur në tokë dhe pjesë e fustanit të saj. Ishte ajo që fliste dhe jepte informacion për misionarët, motrat e nënë Terezës dhe punën e tyre me të vobektit, të sëmurët me lebrozë në Kalkutë të Indisë e më gjerë. Ishte një intervistë e shkurtër. Jo më shumë se 4-5 fjali. Shën Tereza foli në anglisht duke iu falur Zotit që ja mundësoi më në fund vizitën në Shqipëri. Sërish iu lut Zotit për mirëqenie të popullit shqiptar. Duke qenë se gjatë gjithë fjalës së saj shenjtorja i drejtohej Zotit, intervista nuk u transmetua. Ne ishim shtet laik. Diktatura prishi kisha e xhamia e masakroi krerët e besimeve fetare. Në këto kushte dhe pse ishte fundi i sistemit, qeveritarët tanë, nuk patën guximin ta transmetonin atë. U bë një përpjekje për ta hequr fjalën Zot, por ishte e pamundur, pasi u përdor shpesh prej njeriut të Zotit, e fjalia nuk qëndronte. E kam vuajtur shumë mostransmetimin e intervistës dhe jam ndjerë në faj.

-A gjendet intervista sot në arkivat e TVSH, a është ruajtur si material?

Nga kërkimet që kam bërë unë, nuk është. Ndoshta është e paskeduar, në ato materialet që nuk transmetoheshin. Në to, është gati e pamundur të gjendet.

-Më shumë se sa fjalë, çfarë ndjesie morët nga qëndrimi me të dhe biseda?

Sikurse e shihni edhe në fotografi, jam befasuar prej portretit të qetë që shprehte veç mirësi me buzëqeshjen që nuk iu nda gjatë gjithë kohës që ne realizuam intervistën apo bisedës paraprake. Me thjeshtësinë e saj, shtatin e mpakët e këmbët e zbathura në sandalet tipike të motrave, këmbë që nuk u lodhën kurrë gjatë tërë jetës së saj e që shpërfillën makinat luksoze. Dora e saj vendosur së fundmi mbi ballin tona përcolli bekim, një dorë e lehtë, e ngrohtë. Jam e lumtur që kam qëndruar aq pranë saj e që në kujtim kam këtë foto të mrekullueshme.

New Image-E mbani mend itinerarin e asaj vizite, çfarë bëri Nënë Tereza, ku shkoi?

Mbërritja e Nënë Terezës në aeroportin e Rinasit u përcoll nga kameramani i mirënjohur Bujar Kore. Për ta pritur kishin dalë e ndjera artiste Marie Kraja, personaliteti i mjekësisë në fushën e onkologjisë dr. Adelina Mazreku, Natasha Haznedari si përkthyese dhe i ati i saj, mos gaboj prokuror në atë kohë. Po ashtu nga përkthyesja tjetër Diana Kristo, kryetari i marrëdhënieve me jashtë në KQ të partisë, emrin e të cilit s'e kujtoj e ndonjë tjetër. Shoqërohej nga motër Maria, një tjetër motër kosovare dhe shkrimtarja Xheni. Gjatë qëndrimit në Shqipëri me sa kujtoj nga transmetimi lajmeve, si folëse që isha, u prit nga kryetarja e Frontit Demokratik, Nexhmije Hoxha dhe e bija, Pranvera, në vilën e tyre. Shkoi në shtëpinë ku jetuan nëna dhe motra. Vizitoi dhe vendosi buqeta me lule veç varrezave ku preheshin njerëzit e saj në Sharrë, edhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe në varrin e diktatorit Hoxha. Vizitoi një kopsht fëmije, ku drejtoreshë ishte znj. Gambeta, vizitoi spitalin onkologjik, ku drejtoreshë ishte dr. Adelina Mazreku, sanatoriumin, një shtëpi fëmijësh, një azil pleqsh, sot shtëpi e të moshuarve. Por gjithsesi nga kjo vizitë ajo nuk mundi të marrë atë që edhe e kërkoi në një farë mënyre, ngritjen e një misioni të motrave të saj. Gjithsesi ekziston dokumentacioni i kohës për të qenë ju më të saktë. Nënë Tereza u akomodua në vilën përballë godinës së informatikës atëherë.

-Gjëja që të ka lënë më shumë mbresa nga ajo ditë?

Portreti dhe qetësia e saj e jashtëzakonshme. Dëgjonte dhe fliste pak, por buzëqeshja e saj fliste më shumë se sa fjalët.

-Sa i rëndësishëm ka qenë për ju ai moment në karrierën tuaj?

Nuk e kam matur asnjëherë karrierën time me intervistat e realizuara me shumë personalitete, por me faktin se sa kam arritur me punën time, të krijoj individualitetin tim të besueshëm si gazetare e folëse njëherazi, përballë teleshikuesve, sa e vërtetë kam qenë në atë që kam transmetuar.

-Meqë ju kemi në këtë bisedë, zonja Tefta, me çfarë po merreni tani? Ju mungon televizioni?

Aspak nuk më mungon. Jam atje pothuajse çdo ditë. Punoj me dokumentarin. Tashmë kam në proces dy njëherazi, kushtuar kritikut të mirënjohur Prof. Adratik Kallulli si dhe një tjetër kushtuar intelektualëve të viteve 1930, cilësuar edhe si periudhë e artë e intelektualëve shqiptarë.

ne aeroport

Nënë Tereza në aeroportin e Rinasit

-Teksa shihni tani spikeret e reja, çfarë mendoni?

Çdo kohë ka prurjet e veta. Ndryshojnë rrethanat historike, ndryshojnë kohët, mentalitetet e brezave, teknologjitë e bashkë me to si në çdo fushë edhe në gazetari ka risi. Ka edhe sot gazetarë shumë të zotë e po ashtu edhe folëse.

-Sa e vështirë ka qenë puna atëherë duke e krahasuar më këtë tani?

Ka qenë më e lodhshme. Çdo ditë përpara televizionit uturinin zhurmat e motorëve e të makinave që niseshin me grupet e xhirimit në të gjithë Shqipërinë. Sot vërtitet pjesa më e madhe e informacionit vetëm brenda unazës së Kryeqytetit. Por gjithsesi informacioni nuk mungon, pasi teknologjia e zgjidh problemin tashmë në kohë e në hapësirë.

-Ruani miqësi me kolegët apo koleget tuaja të atëhershme?

Natyrisht, dhe është një miqësi e fortë, e vlerësuar edhe nga të rinjtë e sotëm. Shumë herë ata nuk ngurrojnë të na e vënë në dukje këtë fakt.

-E ndjeni dashurinë e njerëzve, kur ecni rrugës, në aktivitet, udhëtime?

Tefta Radi duke dhënë edicionin informativ në TVSH

Tefta Radi duke dhënë edicionin informativ në TVSH

Me modesti do të thosha po, mandej dhe nga të rinjtë që ndoshta nuk më kanë arritur, por kanë dëgjuar nga familjarët e tyre.

-Ju jeni nënë apo jo, zonja Tefta, dhe mesa di jeni edhe gjyshe, na tregoni pak më shumë për këtë ndjesi? Si i kaloni ditët?

Ditët e mia janë të ngjeshura me punë. Punoj jo vetëm me dokumentarin, por edhe administratore në një aktivitet. Veç kësaj jam një gjyshe e lumtur me mbesë e nip që flasin shqip edhe pse jetojnë në Gjermani. I marr çdo verë në Tiranë, e së bashku me bashkëshortin, Françeskun, rrethuar prej dashurisë së tyre e marrëzisë sonë, i shëtisim në plazhet e vendet më të bukura. Ata e adhurojnë Tiranën e mezi presin pushimet që të vijnë.

Alarm në Greqi, viktima dhe dëme nga përmbytjet

Posted: 07 Sep 2016 01:54 AM PDT

Shirat me intensitet të lartë nuk kanë përfshirë vetëm Shqipërinë, por gjithë rajonin. Gjysma e Greqisë është prekur nga koha e keqe, duke shkaktuar veç dëmeve materiale edhe viktima. Tri persona raportohen të zhdukur në Mesinia dhe Selanik.

Sipas "eleftheriaonline.gr", një grua me aftësi të kufizuara ka humbur jetën në Kalamata. Ajo ndodhej në oborrin e shtëpisë së saj kur vërshuan ujërat, që në disa vende mbërriti deri në 2 metra lartësi.

Kryebashkiaku i Kalamatës tha se është gjetur i pajetë edhe një burrë 80 vjeç dhe gruaja që kujdesej për të. Në të njëjtin rajon është gjetur edhe një tjetër trup i pajetë, ende i paidentifikuar.

Përsa i përket të zhdukurve në Selanik, bëhet fjalë për një 60-vjeçar, i cili nuk përgjigjej në telefon mëngjesin e sotëm.

Edhe ishujt e Greqisë janë prekur nga erëra të forta dhe një tornado që ka kaluar Qefalonjanë dhe Zakinthosin.

Basha: Kushtet që duhet të përmbushë Meta për t’u rikthyer

Posted: 07 Sep 2016 01:35 AM PDT

Intervistoi: Eni Vasili

…Të ndalemi te fushata zgjedhore në Dibër. Çfarë i konsideroni këto zgjedhje, një lakmues për zgjedhjet e ardhshme?

Këto zgjedhje janë zgjedhjet e dibranëve në radhë të parë. Kam parë një situatë shumë të rëndë atje. Një varfëri e tejskajshme. Aty përballen dy modele. Modeli i pushtetarëve, i të pasurve, të cilët duan të zgjedhin një kukull për të vazhduar të qeverisë krimi, për të marrë tenderë si Sadri Abazi. Këto janë zgjedhjet sot në Dibër.

Bëhet fjalë për dy koncepte se si do të jetë nesër jo vetëm Dibra, por mbarë Shqipëria. Por sot kam një lajm të mirë që dibranët duan të votojnë kandidatin që do të jetë në shërbim të tyre dhe ata e kanë pritur shumë mirë z. Sherefedin Shehun. Edhe të majtët po i bashkohen PD-së dhe fushatës së z. Shehu. Socialistët dibranë nuk duan që t'ia dorëzojnë vendin e tyre bandave dhe krimit.

Unë i pyeta socialistët se pse e bëjnë këtë gjë dhe më thanë: urrejtja. Pushteti në Dibër është në duar të njerëzve të krimit, të korrupsionit ndaj ka dhe të pakënaqur edhe nga vetë PS-ja. Socialistët e ndershëm, të cilët rropaten për një ideal nuk e durojnë më këtë gjendje ndaj iu bashkuan PD-së. I gënjeu për Rrugën e Arbrit. U nis puna, por Rama gënjeu pasi tregon një përçmim për popullin.

Ju jeni impenjuar në këtë fushatë dhe duket se po merrni përgjegjësinë, por nëse humbisni zgjedhjet çfarë ndodh?

Dibranët sot janë në gjendje shumë të vështirë dhe ata janë para dy zgjedhjesh, pushtetit të krimit dhe korrupsionit apo të trokasin në derën e profesorit që di t'iu shërbejë dhe t'u qëndrojë pranë atyre me problemet që kanë.

Flasim për votimin e fundit në parlament, votimin për vettingun, një moment që prishi konsensusin e madh të 140 votave. Çfarë do të bëni me këtë ligj, do ta çoni në Kushtetuese?

Ne jemi jashtëzakonisht të lumtur që kemi një produkt që iu shërben shqiptarëve, Reforma në Drejtësi. Tani ky proces që vazhdon nuk është politik, por legjislativ dhe kushtetues. Ne këmbëngulëm për procesin politik, standardet.

Që Edi Rama të mos ketë mundësi të intimidojë gjyqësorin. Plani ishte që gjithçka të ishte në dorë të kryeministrit. Dy herë ky plan ra. Në fund patëm një produkt dhe pavarësisht procesit traumatik, produkti rezultoi një produkt për shqiptarët dhe Shqipërinë dhe u përshëndet gjerësisht.

Ndonëse mazhoranca është zotuar të punojë me konsensus, ne punuam me intensitet gjatë verës, argumentet u hodhën poshtë, pra komprometuan procesin. Ndaj kësaj ne reaguam me qëndrimin tonë. Pjesa tjetër do vijojë në rrugë normale.

PD-ja është shprehur pro vettingut, SPAK-ut, BKH-së, thelbit të reformës. Po nuk mund të pranojmë që të marrë me votat e Armando Prengës me shok atë që i ndalon Kushtetuta. Ne do të ndjekim të gjithë rrugët kushtetuese që çdo ligj të jetë në përputhje me Kushtetutën.

A do të shkoni në komision?

Ne do të bëjmë punën tonë edhe me partnerët.

A do të preket politika zoti Basha. Trembeni për veten tuaja? Se ju kanë akuzuar për Rrugën e Kombit, apo 21 janarin…

Politikisht do ta quaja dështim total nëse politika nuk preket. Ne sot kemi ardhur për shkak të krizës, pasi elita ka tradhtuar interesat e njeriut të thjeshtë. Kjo qeveri flet në fasadë çdo ditë për demokraci, por punon kundër dinjitetit. Flet për lirinë e fjalës, dhe shtyp lirinë e fjalës. Flet për luftë kundër krimit, kriminalizohet çdo ditë.

I keni rikuperuar marrëdhëniet me ambasadorin Donald Lu?

Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Ai është një diplomat i shkëlqyer, unë një politikan karriere. Nuk kam pse të amnistohem unë. Jam rivendikuar. Më është dhënë të drejtë. PD-së dhe Lulzim Bashës, dhe gjithë qëndrimeve që kemi mbajtur…

Ka patur momente të tensionuara?

Ka patur shumë momente të tensionuara. Por marrëdhëniet personale me ambasadorin amerikan janë të shkëlqyera. Nuk pranova asgjë që nuk do ta pranonin amerikanët. Kjo çoi në një produkt me 140 vota. Atëherë nuk ka vlerë të merresh si arritëm këtu.

A jeni të zhgënjyer nga disa zëra kundër në grup?

Përkundrazi, kam mirënjohje për grupin parlamentar. Situata ka qenë jashtëzakonisht dinamike për shkak të planit të Ramës për të sabotuar konsensusin. Ne përballeshim çdo orë me ndryshime qëndrimesh dhe me truke. Sfida ishte të mbanim të informuar grupin parlamentar. Shpreh mirënjohjen për grupin parlamentar. Kemi pasur debate shumë të nxehta por në fund të çdo debati vendimet kanë qenë unanime.

Vettingu u miratua vetëm me votat e mazhorancës, Meta nuk foli më pas asaj dite për konsensus. Mendoni se ju tradhtoi Meta?

Meta s'ka se si ta tradhtojë PD-në. Është aleat i Ramës. E përshëndeta pasi mbajti një qëndrim të arsyeshëm për t'iu dhënë shqiptarëve një reformë me bashkëpunimin e të gjitha partive politike. Nuk i bëri një shërbim PD-së, por i bëri një shërbim Shqipërisë. Edhe në këtë moment ka qenë aleat i koalicionit qeverisës.

Pas takimit me Ilir Metën në Rinas…

S'e kam takuar zotin Meta në Rinas, jemi gjendur në një sallë. Takimi i fundit ka qenë më 12 qershor.

A keni lënë ndonjë bisedë të hapur me zotin Meta?

Jo nuk kam lënë ndonjë bisedë të hapur. Çfarë doni të thoni?

Ju nuk e përdorni në diskursin politik, "Rama-Meta"…

Unë kam një objeksion ndaj kësaj pyetjeje sepse në këtë mënyrë media po i bën një shërbim të madh keqqeverisjes së vendit. Këtu ka një teatër…

Do të bëni koalicion me Metën?

Koalicioni i PD-së duhet të përmbushë dy vlera, që t'i përballet alternativës sonë, të dhënies pushtet qytetarit, përmes rritjes së përgjegjësisë dhe transparencës së partive politike…Të një sërë çështjesh që do të jenë objekt i diskutimit. Pyetja është a është Meta me krimin dhe korrupsionin? Por ai qeveris me Ramën. Duhet të përmbushë kushtet tona. Duhet të kthejë besim dhe shpresë te qytetarët, por e kanë humbur.

A do të bashkëpunoni me Ilir Metën, këtë duan të dinë shqiptarët?

Nuk duan të dinë shqiptarët këtë. Por a kanë shans të qeverisen nga njerëz të përgjegjshëm, si i zgjidhin problemet e tyre, se si t'ua bëjnë jetën më të lehtë dhe jo t'ua vështirësojnë atë. Ata kanë vrarë shpresën e tyre.

Dilema jonë është çfarë mund të bëjmë për qytetarët dhe jo për të vjedhur dhe zhvatur qytetarët. Nuk është kjo telenovelë turke. Duhet tejkaluar telenovela turke dhe t'u jepet zgjidhje qytetarëve shqiptarë. Misioni ynë është t'u shërbejmë qytetarëve. Janë lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Kush bashkohet me këtë, është i mirëpritur në koalicion me Lulzim Bashën. Nuk kanë rëndësi numrat, por vlerat.

Kanë rëndësi dhe numrat…

Jo nuk kanë rëndësi. Unë po flas për vlerat. Po flas për një qeveri që dhunon qytetarët, i zhvat ata, i rrjep ata. Dhe pyetja e madhe është si mund t'i japim fund kësaj gjendje. Nuk është çështje emrash dhe mbiemrash, por çështje vlerash. Kushdo që i bashkohet kësaj është i mirëpritur te ne. PD dhe Lulzim Basha po ndërton një koalicion vlerash.

…Ju nuk e mirëpritni Ilir Metën?

Ajo që kërkon Shqipëria është koalicion vlerash. Kërkojmë të fuqizojmë pushtetin e qytetarëve dhe jo atë të zullumqarëve. Kjo vlen për çdo parti duke përfshirë edhe Ilir Metën meqenëse e përmendët. Nuk duhet të ketë lidhje me krimin. Ne jemi për qytetarët dhe jo për pushtetin e drogës.

A do të vazhdoni ju të kërkoni një qeveri teknike dhe si do ta arrini këtë pasi Ilir Meta e tejkaloi këtë?

E kam kërkuar unë dhe i qëndrojmë sërish sepse Tahiri me Ramën nuk janë dhe nuk do të jenë në gjendje të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo pasi ata janë vet të lidhur me krimin. Ndaj e kemi kërkuar një qeveri teknike që të zbatojë ligjin për dekriminalizimin, zbatimin e ligjit elektoral.

Përse dy parti politike të spektrit të majtë PS dhe LSI duhet të lëshojnë pushtetin dhe t'u lejojnë ju…?

Thirrjen e kam bërë në kushtet e një situate të vështirë që është e vetmja mënyrë për të ruajtur ashtin e demokracisë, ajo është krijimi i një qeverie teknike. Rast pas rasti kjo qeveri jo vetëm që është treguar jo e gatshme për zgjedhje të lira por përkundrazi i ka dhunuar ato. Duke përfituar nga bojkoti i opozitës amnistuan ata që vodhën votat në Korçë. Ndaj është elementare që të kërkojmë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nëse nuk ka qeveri teknike do të hyni në zgjedhje?

Unë nuk flas me nëse. Përgjigja që dhashë ishte e qartë. Unë besoj që shqiptarët do të bashkohen rreth nevojës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qëllimi i Edi Ramës është të drogojë Shqipërinë e shqiptarët. Ka rrënuar ekonominë e vendit.

Ka mbrojtur banditët e vendit. Ndaj detyra jonë është të bashkojmë shqiptarët për zgjedhje të lira me çdo kusht dhe me çdo çmim. Ne do të kemi mbështetjen SHBA-së, BE, Gjermanisë. Dhe çështja e zgjedhjeve të lira nuk është e dorës së dytë. Është çështje e dorës së parë.

Ju do të hyni në zgjedhjet e 2017-s?

Ne do të realizojmë koalicionin më të madh. Çdo shqiptar që ndihet i kërcënuar, do të jetë në krah të opozitës. Unë po flas për gjendje reale. Kemi një Shqipëri të shqetësuar për fëmijët e tyre. Shqiptarët e kuptojnë këtë ndaj roli i opozitës është që t'i ndërgjegjësojë shqiptarët që kjo nuk është rastësi por është produkt i kësaj qeverie.

Ndaj duhet të ngrihemi edhe me protesta pasi është çështje e stabilitetit në vend. E ka thënë John Kerry: Kush nuk lejon ndryshimin paqësor, hap rrugë për ndryshim të dhunshëm. Shqipëria nuk ka qenë kurrë më e kultivuar me kanabis dhe ky është produkt i Edi Ramës.

Cili do të jetë aksioni opozitar? Do të mjaftoni me largimin e një ministri?

Po pse çështja është për largimin e Tahirit? Ai është një levë e Ramës. Zgjedhjet e lira janë në rrezik. Aksioni më i rëndësishëm i opozitës dhe shqiptarëve janë zgjedhjet e lira dhe dekriminalizimi.

Ç'po bëhet me dekriminalizimin?

Ligji nuk po zbatohet. Shteti ligjor ka rënë. Është një shtet i inkriminuar në palcë. Nga ta fillojmë? Unë them se duhet ta fillojmë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo do të thotë që fuqinë do ta kenë qytetarët shqiptarë, të cilët nuk do të votojnë për krimin dhe drogën. Imperative janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Marrë me shkurtime nga emisioni "Studio e Hapur"

Bashkia nis punimet në sheshin Skënderbej

Posted: 07 Sep 2016 01:32 AM PDT

Bashkia e Tiranës njofton se nga dita e sotme ka nisur faza e parë e punimeve për zbatimit e projektit të "Rikualifikimit Urban të Sheshit Skënderbej".

Në këtë fazë përfshihen punimet për kompletimin e sistemit të kanalizimit të ujrave të shiut, si dhe atë të shatërvaneve, dhe më pas do të vazhdohet me nënshtresat dhe shtresën përfundimtare të gurëve nga gjitha trevat shqiptare. Punimet e kësaj faze do të zgjasin 12 muaj.

Punimet fillojnë nga zona e Muzeut Kombëtar ku do të bëhet rikonstruksioni total i xhokolit të ndërtesës, rikonstruksioni i shkallëve hyrëse në Muzeun Kombëtar, si dhe do të punohet në lulishtet përreth Muzeut, të cilat do të shndërrohen në kopësht botanik.

Gjithashtu, do të punohet edhe për realizimin e sistemit të ndriçimit të jashtëm të Muzeut Kombëtar dhe kopshteve përreth tij. Puna do të vijojë me rikonstruksionin e shkallëve të Pallatit të Kulturës dhe platformave hyrëse të Teatrit të Operas dhe Bibliotekës Kombëtare.

Kjo fazë do të ndiqet nga zbatimi i punimeve të projektit të parkimit nëntokësor, që do të fillojë në fund të muajit tetor, projekt i cili do të realizohet në një afat 7 mujor. Zbatimi i fazës së dytë do të realizohet në një afat 12 mujor dhe do të kompletojë projektin e Sheshit Skënderbej me punimet që do të kryen në kopshtet përreth tij.

Të gjitha këto zona punimesh janë të ndara në segmente të ndryshme kantieresh të vogla, për të bërë të mundur qarkullimin e qytetarëve.

Ndërkaq, Bashkia e Tiranës publikon edhe hartën e devijimit të trafikut i cili po ashtu do të kryhet në faza, deri në përfundimin total të punimeve në unazën e vogël.

faza 1

Kur flet Spahiu i Kreshnikëve

Posted: 07 Sep 2016 01:30 AM PDT

 

Nga Veledin Durmishi

Të gjithë e mbajnë mend atë skenë kur Kreshnik Spahiu kërcënueshëm tundi gishtin tregues te dera e sallës në mbledhjen e fundit të K.L.D.-së, nënkryetar i së cilës ishte vetë. Dera u përplas, por ai e pa që ajo derë nuk u mbyll plotësisht. Kurrë nuk duhet thënë kurrë! Kush e di, mund të hynte sërish aty te ajo parti e cila dikur e kishte vënë në krye të organit më të lartë të drejtësisë sonë, por që tani e nxori jashtë rradhëve të saj.

Dhe rendi udhëve të politikës Kreshnik Spahiu duke krijuar një parti të re, duke kërkuar të prekë atë nerv të ndjeshëm të shqiptarëve siç është krenaria, simbolet e kombit, himnin kombëtar, tokësoren dhe hyjnoren e shqiptarëve e kështu, pasi bëri pronë të partisë të tij ç'kanë të ndjeshme dhe të vyer shqiptarët, kërkoi të bëhet një zëi ri në politikën tonë. Kështu u krijua ideja për këdo dhe ai mblodhi rreth partisë së tij jo pak intelektualë të shquar, të pastër. U "shpalli luftë" të gjithëve, majtas e djathtas e diku-diku atij i dukej vetja si në një luftë individuale që kriminelët hajdutët, të korruptuarit ai do t'i nxjerrë jashtë politikës. Duart i kryqëzonte në gjoks e ai rendte ekran pas ekrani, mikrofon pas mikrofoni, podium më podium duke shpalosur edhe programin e tij.

Por për pak kohë. Anija e tij futi ujë që në ditët e para në ujërat e politikës shqiptare. Shumë shpejt u dallua qartazi se ai ishte një karikaturë e modelit të politikanit shqiptar, sjellja e tij politike erdhi erë shpejt; sa shumë shpejt ai u braktis nga të gjitha strukturat e partisë së tij! U afrua te e majta, aty kërkoi jastëk e shilte, por e lanë pas dere. Bënte thirrje për protesta popullore masive, uragane popullore, shkulme çmendurake, përmbysje të rendit kushtetues, fillimi i lojës politike nga e para se kështu thoshte zemërimi popullor e ai qeknësh interpret i këtij zëri. Baballarët e politikës shqiptare, që herët e morën seriozisht dukjen e tij, shpejt përveshën llërët, sepse bënte shqiponjën në kraharor. Por askush nuk u mallëngjye nga shfaqjet e tij deri në ekstazë përpara flamurit. Shumëkujt iu neverit pamja e tij aq rudimentare.

Të gjithë e kanë mirëpritur modelin e ri të një politikani me tjetër fytyrë, por kurrsesi një sjellje politike si ajo e Kreshnikut që shumë më shpejt sa e mendonin edhe më optimistët e saj, u vetëshkatërrua. Në gjithë paraqitjen politike të tij ka sunduar sindroma neurotike e helmatisur, ku vreri e ka zhytur mërinë inatçore deri në asgjësimin e tjetrit. Partia e tij mund të gjente një kauzë në vakumin që ka ndërtuar politika jonë në 25 vite. Por pikënisjet ishin të gabuara; një ligjërim shterpë, populizmi rrëshqiti deri në provincialitet. Hiqej si Martin Luter Kingu, ndonjëherë i dukej vetja si Benerxhiu i Kalkutës, deklaratat nacionaliste e çonin atë tej Branko Merxhanit, por urrejtja, idhësia, linçimi i tjetrit, pak nga pak e bjerrën këtë parti e cila në fund të fundit vetëm rriti dozën e ndotjes morale në Shqipëri.

Ai dëshmoi qartazi se nuk ishte aspak ndryshe në asnjë shfaqje të tij. Ishte një surrogat politik që u krijua në një çast të përshtatshëm, por që u shpërdorua. Ishte një shfaqje e rradhës siç kemi parë me dhjetra të tjera, ishte një dështim i rradhës, madje edhe më i turpshëm. Ai kërkoi të luajë me simbolet tona kombëtare, duke shpresuar se kishte gjetur e prekur atë nerv ndjeshmërie te shqiptarët, atë nerv që vetëm ai diti ta prekë. Dhe sillej si një dragua i cfilitur; në Greqi anigrek, në Kosovë antiserb, kyçi derën e bashkisë së Tiranës, deputetet tona i quante kuçka, se ai paska patur një fat të madh se tri ditë rresht ka dëgjuar ca përgjime e një video me orgji nga ministrat e Ramës e se ai do t'i bëjë ato publike… Se ai, kreshniku i spahinjve, së bashku me Lulzim Bashën do ta përzënë kandidatin e majtë për bashkinë e Dibrës se ai është kurvar, se mjeku i Dibrës ka marrë para nga pacientët e tij, kreshniku i maleve tona paska sharë ndotur nënën e çdo shqiptari që do të guxojë të takojë Ilir Hoxhën se ai, pra, kreshniku i spahinjve paska marrë një "Qyetetar nderi" në Nju Jork (lajm i fabrikuar nga kuzhina "Kuq e zi",) se në Dibër janë krijuar rradhë të gjata për të pritur Kreshnikun për zgjedhjet e 11 shtatorit e se në Dibër është ngritur një këngë: o heeeeej poooo vjeeeeen Kreeeeshniku, paska baaa flamuuur brekët e Shuuukriuuuut…

E thagmat nuk kanë të sosur. Dhe më brilantja ishte e një nate, në një intervistë aty nga maji i këtij viti. Ky pra, kreshniku i spahinjve, deklaroi tërë siguri e seriozitet se shumë shpejt ai do të bënte publike një video. Protagonistja e videos ishte një zonjë e cila kishte kërkuar strehë në Gjermani. Kishte braktisur Shqipërinë nga frika e Edi Ramës. Se zonja në fjalë kishte punuar në shtëpinë e Kryeministrit për disa vite. Kishte patur një punë specifike: ajo stivoste paratë e Edi Ramës deri në tavan!!! Një dhomë plot me lekë kishte mbledhur Kryeministri!!! Kështu mund të ishte! E tha Kreshniku, dhe ai nuk flet kot!

Alibeaj e ka quajtur një delirant politik që nëpërkëmb kartën e identitetit, Vangjel Dule e quan një sharlatan politik shqiptar, një populist që gjithnjë hedh baltë mbi kundërshtarët… Pra ata që sot i ka në krah?! Kështu u bë i famshëm spahiu i kreshnikëve. Të paktën votuesit e dinë mirë kush është ky fare sokoli dhe do të dinë t'i përgjigjen, ndoshta edhe më datën 11 shtator, atje në Dibër. Ai e krijoi profilin e vet politik dhe sigurisht sjellja e tij, veshja e tij kuq e zi, duart e kryqëzuara me imazhin e shpendit tonë fisnik, nuk e fisnikëroi aspak këtë partizë e këtë lloj kreshniku. Shumëkush do t'ja hedhë fajin kësaj vere të nxehtë, por gjithsesi vera iku, e unë shpresoj se  ulja e temperaturave do të kthjellojë edhe kreshnikun e spahinjve të maleve tona të Jutbinës. Dëshpërohesh thellë çdo indi kur ndjen erën e kësaj kalbësie, e cila ndihet aq sunduese në ugarin e politikës sonë që prej 25 vjetësh.

Eshtë një sherrnajë 25 vjeçare që ka helmuar krejt shoqërinë e për pasojë gjithkush ndjen në ajër një urrejtje ndaj klasës politike e fatkeqësia më e madhe është kur edhe brezi i dytë del një pseudoshpresë si rasti ai i Kreshnik Spahiut, që ndjek gjurmë pas gjurme, hap pas hapi tutorin e vet, baltosësin më të madh të pluralizmit tonë, figurën më kontraverse, më të padenjë, fejzbukistin e thekur të qytetarit dixhital, e këta janë kopjet më të shëmtuara të tyre, që herë sillen si reformatorë që shoqëria mezi i paskish pritur… Por harrojnë, shpejt heqin maskën dhe mbeten lakuriq në bëmat e të thënat e tyre.

Por koha di ta bëjë vettingun e saj, dhe kjo gjykatëse nuk mund të korruptohet. Ajo të nxjerr si je dhe Kreshniku është simbolikisht shembëlltyra e kësaj kohe, është hipokrizia që e mban të ndotur prej kohësh dhe, si duken bathët, kjo frymë do të jetojë gjatë mes nesh. Aq sa do të zgjohemi edhe ne e do të dimë t'u heqim maskat një ditë votimi. Dhe unë, kur shoh këtë njeri në televizion, kujtoj atë thënien brilante sado të stërthënë: "Nacionalizmi është streha e fundit e maskarait politik".

 

Asgjësohen 3100 bimë kanabisi në Krujë

Posted: 07 Sep 2016 01:25 AM PDT

Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Krujë, në zbatim të plan­operacioneve për goditjen dhe parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, asgjësun 3 100 bimë kanabisi jatë kontrollit të ushtruar në fshatrat Borizane, Thumane, Qerek dhe Shelqet. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Punonjësit e TAP në protestë: Na kanë ulur pagat!

Posted: 07 Sep 2016 01:23 AM PDT

Rreth 200 punonjës të gazsjellësit TAP në Durrës kanë ndërprerë punën mëngjesin e sotëm, dhe kanë dalë në protestë në Shënvlash. Shkak për këtë protestë, sipas tyre, është bërë ulja e pagave dhe moszbatimi i kontratave të punës.

Ata thonë se pagat e tyre janë minimale dhe se nuk paguhen për punën jashtë orarit. Punonjësit thonë se i janë drejtuar përfaqësuesve të TAP për t'i shprehur shqetësimet e tyre, por nuk kanë marrë asnjë sqarim.

"Nuk na janë paguar orët jashtë orarit. Jemi punësuar me kontratë 3-mujore. U punësuam me paga 30 mijë lekë të reja në muaj. Muajt e fundit kjo kontratë nuk është respektuar. Për muajin gusht jemi paguar vetëm 200 euro. Përfaqësues të TAP nuk na japin asnjë sqarim", shprehjen protestuesit.

Morata: Shqipëria dhe Italia, ndeshjet më të vështira që kemi

Posted: 07 Sep 2016 01:22 AM PDT

Alvaro Morata, qendërsulmuesi i kombëtares spanjolle dhe Realit të Madridit, ka deklaruar se ndeshjet në transfertë ndaj Shqipërisë dhe Italisë do të jenë më të vështirat për iberikët.

"Ndeshjet që do të luajmë jashtë ndaj Shqipërisë dhe Italisë janë më të vështirat që kemi në grup dhe duhen fituar me patjetër", u shpreh Morata në një intervistë për gazetën spanjolle "AS".

Ndeshja Shqipëri-Spanjë do të luhet në datën 9 tetor të këtij viti.

Shqipëria ndodhet në grupin G të eliminatoreve të Botërorit 2018, së bashku me Spanjën, Italinë, Izraelin, Maqedoninë dhe Lihtenshtejnin. Pas ndeshjeve të para të grupit, Shqipëria, Italia dhe Spanja kryesojnë me 3 pikë, pasi fituan respektivisht ndaj Maqedonisë, Izraelit dhe Lihtenshtejnit.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more