Skip to main content

“Agolli: Fitorja, fati ndihmon më të mirët” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

“Agolli: Fitorja, fati ndihmon më të mirët” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Agolli: Fitorja, fati ndihmon më të mirët

Posted: 08 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: Erl Murati
Pas tërheqjes së Lorik
Canës nga Kombëtar
ja, një tjetër mbrojtës, Ansi Agolli, trashëgoi shiritin e kapitenit të ekipit. “Privilegj që më motivon më shumë”, komenton Agolli në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”. Ai e quan diçka surreale faktin që ndeshja u ndërpre nga stuhia dhe pranon se të gjithë ishin në stres për mënyrën si do shkonte ndeshja. Kur pyetet për objektivat në eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”, ai përgjigjet: “Të ruajmë emrin e respektuar”.
Ansi, një fitore në Shkodër në minutën e fundit. Ishte fati që u kthye me ne, apo kishit vërtet shpresa për arritjen e fitores në 15 minuta?
E kisha thënë edhe para ndeshjes, nuk do të ishte e lehtë, por kaq të vështirë nuk e kisha imagjinuar, sidomos pas golit të barazimit nga ekipi kundërshtar. Mendoj se ishte këmbëngulja deri në fund nga ana jonë duke nxjerrë edhe një herë në pah karakterin e kësaj skuadre, duke vënë zemrën në ato minuta që kishin ngelur, që u konkretizua me atë kros perfekt të Memushajt dhe me atë goditje po aq perfekte të Balajt, që e çoi trupin në rrjetë. Nuk diskutohet që edhe fati ka rolin e vet dhe fati ndihmoi ekipin më të mirë, sepse realisht ishim më lart se ekipi maqedonas.
A kishit një plan apo taktikë konkrete për të arritur tek goli?
As që diskutohet që kishim detyra nga trajneri, të cilat u munduam t’i zbatonim për aq minuta sa u luajt ndeshja. Pastaj qëlloi që goli të vinte nga një goditje standard, por edhe kjo është pjesë e lojës.
Si u ndjeve si kapiten i Shqipërisë në këtë start eliminatoresh të Botërorit?
Çdo ndeshje me Kombëtaren është një emocion më vete. Të jesh kapiten është një privilegj i madh, që më jep shtysë të punoj akoma më shumë dhe me përulësi.
Siç e përmende edhe vetë në intervistat pas ndeshjes, ishte i rëndësishëm përqendrimi psikologjik. Si e përjetuat natën deri në vazhdimin e ndeshjes?
Ishte diçka surreale që s’kishte ndodhur më parë dhe kjo nuk ishte në dorë të askujt. Pasi u ndërpre loja, nuk e kishim të qartë a do të fillonte, apo kur do të fillonte sërish. Duhet të ishim vigjilentë dhe të gatshëm për çfarëdo lloj vendimi. Pasi u vendos të luhej të nesërmen në orën 2, filluam të motivonim veten dhe shokët, sepse të jesh afër shokëve dhe bashkë në ato momente është gjëja më e rëndësishme, nëse kërkon të arrish synimin, që për ne ishte marrja e 3 pikëve. Përqendrimi në të tilla situata është mjaft i rëndësishëm.
Trajneri De Biasi tha se kishte fjetur vetëm 4-5 orë gjatë natës, pasi u përpoq të kuptonte si mund të arrihej tek goli. Çfarë ju tha ‘misteri’ para vazhdimit të ndeshjes?
E kuptoj plotësisht trajnerin. Të gjithë ishim pak në stres, sepse në lojë ishin pikë mjaft të rëndësishme, të cilat ne duhet t’i merrnim, aq më tepër që luanim në fushën tonë. De Biasi na tha fjalë motivuese dhe në ato momente kishim shumë nevojë.
A pati festë në dhomat e zhveshjes pas fitores? Çfarë mesazhesh morët nga Duka dhe De Biasi?
Më shumë do të thosha që ishte një çlirim i atij tensioni dhe frymëmarrje e lirshme. Emocion për fitoren, emocione që i përjeton vetëm me Kombëtaren shqiptare dhe askund tjetër.
A i keni vendosur vetes një objektiv në këto eliminatore? Do të kënaqeshit me vendin e tretë?
Kjo ndeshje është një kapitull i mbyllur tashmë. Ne morëm atë që dëshironim, por mund të bënim akoma më mirë. Në fund të fundit bëmë punën tonë. Duhet të përmirësohemi akoma më shumë, të punojmë akoma më shumë duke ia lehtësuar punën trajnerit me disiplinë dhe profesionalizëm. Përpara na presin ndeshje akoma më të vështira se kjo dhe ne duhet të jemi gati për çfarëdo lloj situate. Objektivi kryesor është që Kombëtarja shqiptare të ruajë emrin e respektuar që ka krijuar në nivele të larta. Në futboll çdo gjë është e mundur dhe këtë gjë e provoi mjaft mirë edhe pjesëmarrja jonë në EURO 2016.
(d.d/GSH/BalkanWeb)

Nikolla përballet me maturantët: Keni shans të dytë në 20 shtator

Posted: 08 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: Ermelinda Hoxhaj
Pas protestës së mat
urantëve, është zhvil
luar një ballafaqim i tyre me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, zv. ministren Nora Malaj dhe rektorin e Universit etit të Tiranës, Mynyr Koni. Në një kohë që maturantët kërkonin llogari se si ka mundësi që ata kanë mbetur jashtë dyerve të universiteteve, edhe pse janë me mesatare të lartë, ministrja Nikolla i ka sqaruar se: “Ende nuk janë shpallur listat përfundimtare. Në datën 20 shtator do ketë një mundësi të dytë për ju, pasi do shpallen kuotat e lira. Sot ka maturantë që kanë fituar në shumë degë, 5 apo dhe 10 degë, por ata do zgjedhin vetëm një prej tyre; automatikisht, të gjitha vendet e tjera që ka zënë përkohësisht në listën fituese, do të lirohen për shpalljen e fituesve të tjerë. Ndaj në fazën tjetër edhe ju do fitoni, sepse do ketë kuota të paplotësuara”. Gjatë diskutimeve dhe pyetjeve të maturantëve, ministrja Nikolla ia ka ndërprerë fjalën një maturanteje ekselente, e cila e përlotur e pyeste dhe i kërkonte një sqarim logjik se përse nuk ka fituar asnjë nga 10 degët ku kishte aplikuar edhe pse ka mesatare 9.7. Përgjigjja e ministres ishte: “Ndiqni mirë udhëzimet”, dhe më tej ajo u ka thënë maturantëve se, “po ndërtoni këtu situata që nuk kanë asnjë lidhje me realen”.
Procedurat
Rektori i UT-së, Mynyr Koni u ka bërë apel maturantëve që të ndjekin procedurat dhe afatet e regjistrimit, pasi në të kundërt u digjet e drejta e studimit. “Pasi të mbarojë procesi i ankimimit, në datën 11 shtator 2016 del lista përfundimtare e fituesve, e cila ka afatin e parashikuar të regjistrimit nga data 13 deri në datën 20 shtator 2016. Theksoj se regjistrimi bëhet online në portalin e Maturës Shtetërore dhe fizikisht pranë fakulteteve ku ndodhet program i studimit”, -theksoi rektori i UT-së, Mynyr Koni. Më tej ai ka dhënë disa detaje për aplikimin në Universitetin e Tiranës. “Aplikimet në UT kanë qenë të një cilësie shumë të lartë. Natyrisht, kjo ishte një gjë që pritej, por kur realizohet, është një kënaqësi më e madhe. Nga ana tjetër dua të vë në dukje që në UT ka pasur rreth 90.000 aplikime, nga të cilat, në qoftë se do t’i identifikojmë në numër studentësh janë rreth 19.000 studentë, mesatarisht 5 aplikime për një student”, – tha rektori Koni. Por në UT mundësi të fitojnë një program studimi kanë vetëm 5.378 maturantë. Më tej rektori Koni u ka thënë folur maturantëve për hapat që do ndiqen për raundin e dytë: “Maturantët e tjerë që nuk e shohin veten në listat e para jopërfundimtare të fituesve, të jenë të qetë dhe të shpresojnë se do ketë zbritje dhe do të krijohet mundësia në mënyrë të vijueshme sipas raundit të dytë, që do fillojë menjëherë pas datës 20. Në datën 20 shtator 2016 do japim informacionet mbi kuotat e mbetura, të cilat do t’i raportojmë në Agjencinë Kombëtare të Provimeve. Do fillojmë raundin e dytë, që është identik me të parin, ku secili nga kandidatët ka të drejtë përsëri të bëjë aplikimin dhe të zgjedhë 10 degë është e njëjta procedurë si e para”.

Rama: Teatri Kombëtar shembet, rindërtohet ku është

Posted: 08 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: Fatmira Nikolli
Projekti i rikonstruksionit të
Teatrit Kombëtar të Operës
dhe Baletit e Ansamblit Popullor si dhe projekti i kthimit të ish-Laboratorit të Hidroteknikës në Qendër Arti ‘Skena e Re'(Turbina)- me dy salla teatri- janë prezantuar dje në këtë të fundit nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Kostoja totale kap shifrën e 12 milionë eurove, e ndërsa punimet e TKOB zgjasin 2-3 vjet, ato të “Turbinës” pothuaj 12 muaj.
PËRGJIGJE NDRENIKËS DHE KOKALLAT E TK
Fjalën e hapjes e mbajti ministrja, duke e nisur me 7 shtatorin e 1956-ës, kur me një vendim të Këshillit të Ministrave të kohës u krijua Teatri Lirik i Operës dhe Baletit- 60 vjet më parë.
Mandej, ajo kujtoi se kjo skenë ka nxjerrë yje të artit shqiptar e atij botëror, duke përmendur në këtë lami, emra që nisën “prej baritonit të jashtëzakonshëm Lukë Kaçaj, që iku nga kjo botë me jetën copëtuar prej diktaturës por me romancën e Fieskos nga Simone Boccanegra e Verdit në gojë), apo Skënder Selimi, për të kaluar tek Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Vikena Kamenica, Gëzim Myshketa, Josif Gjipali, Eva Golemi, Armando Kllogjri, Eno Peçi, Tedi Papavrami, Shkëlzen Doli…”
Mandej Kumbaro iu kthye Teatrit Kombëtar; “ndërtesa e famshme e vjetër e italianëve të Luftës së Dytë Botërore e Teatrit Kombëtar mezi mbahet në këmbë, i kërcasin kokallat, kontraston me rininë e aktorëve që luajnë në të”.
Në këtë pikë, ministrja iu përgjigj shqetësimit të Robert Ndrenikës, i cili nuk ishte i pranishëm, por që kish ‘kërcënuar’ se do ta ruante me trupin e tij godinën e Teatrit nga shembja. “Dua t’i them edhe një herë Bert Ndrenikës, të cilin e ftova të vinte sot, tek darkonim bashkë në Ibë dy net më parë e tek i shpjegoja projektet e reja të teatrove, që s’ka nevojë të shtrihet te dera e Teatrit për të mbrojtur tokën, se do i duhet të ngjitet në skenën e teatrit të ri për të luajtur mrekullueshëm rolin e tij të radhës”.
Kumbaro bëri me dije edhe kostot: për TKOB më shumë se 8 milionë e gjysmë euro dhe ndërtimi i një Teatri të ri multifunksional që do shërbejë si ambient për Teatrin Kombëtar me vlerë investimi 3 milionë e 300 mijë euro.
Në këtë pikë Kumbaro foli për projekte të vështira, me pretendime për cilësi akustike, kushte shërbimi cilësore, teknologji bashkëkohore, konfort dhe trajtim dinjitoz të publikut etj.- dhe e gjitha kjo nga tri studio- “Ttas”, e specializuar vetëm në ndërtim teatrosh, studioja shqiptare “Atelier4” dhe “Khale Akustic”, që renditet në krye të ekspertizës së akustikës skenike europiane.
PREMTIME PËR RROGA
E TEATRIN NË QENDËR
Mandej, fjalën e mori kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili foli në fillim për gjendjen e gjetur dhe synimin për të rindërtuar atë çka ishte braktisur.
Duke cituar Kadri Roshin, i cili u thoshte studentëve se ‘nuk bëhesh aktor pa u bërë pluhur në skenë’, Rama vërejti se, “po të qe për nga pluhuri, ne do ishim qendra e botës në art, porse ne pluhurin e kemi të viteve të harresës”.
Në vazhdë të fjalës së mbajtur, ai iu rikthye viteve kur ishte ministër i Kulturës dhe debatit të kohës me aktorët, që patën kundërshtuar shembjen e Teatrit Kombëtar. “Ata që e kundërshtonin atë kohë, po e shohin sot të shembet vetë dhe mund të jetë skena e një tragjedie të vërtetë joantike. Uroj të mos ndodhë”, tha Rama, duke nënkuptuar gjendjen në të cilën ndodhet godina e Teatrit Kombëtar. “Do rindërtojmë Teatrin Kombëtar sepse është në vend kyç dhe është mirë të mbetet aty, por duke u zhveshur nga paragjykimet e së shkuarës. Ëndrra për të pasur një teatër të dramës e komedisë do bëhet realitet”, nënvizoi shefi i qeverisë.
Ai shtoi se ka shumë njerëz që e harrojnë vlerën e këtyre investimeve dhe reagojnë ndaj projekteve e thonë se ‘s’kemi bukë, ç’na duhet teatri, muzeu e stadiumi’. Sipas tij, e vërteta është se asnjë vend ku s’ka teatër, muze, stadium e jetë kulturore nuk ka as bukë. Kryeministri shtoi se: “Do ishte bisedë e gjatë nëse e sjell arti bukën, apo buka artin, por s’ka dyshim që investimet në art, kulturë e sport janë patjetër investime edhe në ekonomi e mirëqenien shpirtërore e materiale. Të thuash ‘i lëmë këto se ka njerëz që mezi sigurojnë bukën e gojës’, do të thotë që ata t’i lësh gjithë jetën e në jetë të jetëve në atë gjendje”. Ai theksoi se këto investime janë edhe investime në ekonomi dhe se nëse teatri, muzeu e stadiumi shkojnë pranë komuniteteve, vështirësitë lehtësohen me afat të mesëm dhe lehtësohen së tepërmi në afat të gjatë. Në këtë pikë, ai premtoi më shumë se kaq kur tha se “përtej transformimit të infrastrukturës, do jemi të vëmendshëm për të rritur kapacitete të brendshme të financimit të drejtpërdrejtë të punonjësve, duke u përpjekur të rrisim pagat e shpërblimet dhe infrastrukturën mbështetëse që nuk është në ditët më të mira. Qoftë duke rritur mundësinë për më shumë ndërveprim mes nesh e të tjerëve, duke përfituar nga programet e BE-së”.
Më pas, duke iu referuar teatrit të ri “Turbina” me dy salla, 150 dhe 400-vendëshe, kryeministri tha se “nuk do e zëvendësojnë TK, por do ketë kushte si asnjëherë më parë”. Në këtë pikë, ai përmendi investimet që po bëhen në Liceun Artistik, Shkollën e Baletit, Teatrin e Korçës, atë të Shkodrës etj. “Po shkruajmë një kapitull të ri në marrëdhëniet mes qeverisë e njerëzve të artit e kulturës dhe institucioneve të tij. Do ishin dashur 50 vjet për të bërë çka kemi bërë ne në 3 vjet”.

Sheshi “Skënderbej”, nis faza e parë e punimeve për kthimin e tij në pedonal

Posted: 08 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: Ermelinda Hoxhaj
Nis faza e parë e puni
meve për zbatimin e
projektit të “Rikualifikimit Urban të Sheshit Skënderbej”, i cili në përfundim të tij do të jetë një shesh pedonal. Faza e parë e punimeve ka nisur te zona e Muzeut Kombëtar, dhe do të zgjasë 12 muaj. Në tabelën bashkëngjitur është plani i qarkullimit të automjeteve në sheshin “Skënderbej” dhe rrugët lidhëse me të. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili gjatë pasdites vizitoi kantierin që sapo ka nisur nga puna, u shpreh i kënaqur që, pas një kohe të gjatë, u mundësua nisja e punës për ta shndërruar she-shin “Skënderbej” në një hapësirë pedonale, e cila do të shërbejë edhe si një mushkëri për qytetin. “U kemi dhënë mundësi qytetarëve të shprehen, ta pasurojnë projektin, dhe sot kemi një projekt edhe më të mirë se projekti fillestar. 50% i të gjithë territorit të sheshit ‘Skënderbej’ do të jetë i gjelbëruar, i mbushur me pemë, me shkurre dekorative, ndërsa 50% me pllaka guri që janë marrë nga të gjitha trevat shqiptare”, – tha kryebashkiaku Veliaj. Ai vlerësoi se ky projekt do t’i japë sheshit qendror të qytetit një hapësirë që respekton së pari njerëzit. Mandej u shpreh i bindur se, pavarësisht debatit që shkakton çdo punë e bashkisë, në fund edhe ky projekt, ashtu si çdo projekt tjetër, do të pëlqehet nga qytetarët.
Punimet
Faza e parë e punimeve të zbatimit të projektit të “Rikualifikimit Urban të Sheshit Skënderbej” përfshin punime në sheshin kryesor, ku do të fillohet me kompletimin e sistemit të kanalizimit të ujërave të shiut si dhe atë të shatërvanëve, dhe më pas do të vazhdohet me nënshtresat dhe shtresën përfundimtare të gurëve nga gjithë trevat shqiptare. Gjithashtu, do të punohet edhe në zona të tjera që janë të përfshira në këtë fazë, si ajo rreth Muzeut Kombëtar, nga ku dhe do të fillojnë punimet, ajo përpara Pallatit të Kulturës, si dhe përpara Bankës së Shqipërisë. Në zonën e Muzeut Kombëtar do të bëhet rikonstruksioni total i xhokolit të ndërtesës, rikonstruksioni i shkallëve hyrëse në Muzeun Kombëtar, si dhe do të punohet në lulishtet përreth muzeut, të cilat do të shndërrohen në kopsht botanik. Puna do të vazhdojë me rikonstruksionin e shkallëve të Pallatit të Kulturës dhe platformave hyrëse të Teatrit të Operës dhe Bibliotekës Kombëtare. Kjo fazë do të ndiqet nga zbatimi i punimeve të projektit të parkimit nëntokësor, që do të fillojë në fund të muajit tjetër. “Sot po fillojmë me pjesën qendrore, e cila kryesisht është e shtruar me pllakë dhe gurë dekorativë nga gjithë trevat shqiptare. Në vjeshtë do të nisim parkimin nëntokësor, me kapacitet për 300 makina”, – u shpreh Veliaj. Ai ka njoftuar se zbatimi i këtij projekti mbron çdo pemë ekzistuese në shesh, e cila do të zhvendoset në sheshin e ri. Po ashtu, ai ka sqaruar edhe në lidhje me Unazën e Vogël, duke thënë se: “Brenda 5 ditëve do të fillojmë zhvendosjen e nënstacionit, në bashkëpunim me OSHEE-në, dhe pastaj Unaza e Vogël do të jetë totalisht në dispozicion të atyre që kanë punë në qendër”.

Roli i Ombudsmanëve gjatë flukseve migratore

Posted: 08 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: IGLI TOTOZANI
Të nderuar pjesëmarrës,
ndihem i nderuar dhe kam
kënaqësinë, që në cilësinë e Avokatit
të Popullit të Shqipërisë dhe
të Presidentit
… të Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut, t’ju mirëpres në Tiranë për Konferencën e Nivelit të Lartë, “Sfidat e institucioneve të Ombudsmanit përballë flukseve të përziera migratore”.
Ky aktivitet shumë i rëndësishëm, jo vetëm për veprimtarinë tonë të përditshme dhe strategjike si Ombudsmanë dhe Mediatorë, nuk është një event i rastësishëm, por një zhvillim i natyrshëm i angazhimit në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, në kuadër të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në kushtet e flukseve të përziera migratore.
Bashkëpunimi ynë i ngushtë rajonal dhe më gjerë në këtë fushë është paraprirë nga aktivitete në të cilat janë përvijuar qëndrime të përbashkëta sikurse, Deklarata e AOM-it për Krizën e Migracionit; Plani i Veprimit i Selanikut; Deklarata e Beogradit për Migracionin; Konkluzionet e Konferencës së Barcelonës, si edhe Deklarata e Parisit për Fëmijët dhe Krizën e Migracionit.
Kjo tregon se ne Ombudsmanët dhe Mediatorët e vendeve të ndryshme të botës, anëtarë të Shoqatës së Ombudsmanëve dhe Mediatorëve të Mesdheut, Shoqatës së Ombudsmanëve dhe Mediatorëve të Frankofonisë, Federatës së Ombudsmanëve të vendeve Ibero-Amerikane, si dhe Institutit Ndërkombëtar të Ombudsmanit, kemi një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces dhe se kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi aktivë dhe proaktivë, për çështje që në thelb prekin respektimin e dinjitetit njerëzor.
Sikurse mund të konstatohet nga axhenda e konferencës, qëllimi i saj mbetet efektiviteti i punës sonë, në kushtet e trajtimit të krizës së refugjatëve dhe migrantëve sot në Europë, qofshin vendet prej nga ne vijmë, vende origjine, tranziti apo destinacioni të flukseve migratore të përziera.
Trajtimi i kësaj krize do të jetë jo thjesht si çështje e një raportimi formal të aktivitetit, por si një çështje e të drejtave të njeriut, që duhet të përshkojë në mënyrë tërësore politikat shtetërore të vendeve pritëse apo të tranzitit, si dhe të atyre vendeve që ka gjasa të preken prej saj.
Kriza aktuale e migracionit, lidhet me cenimin e rëndë të të drejtave të njeriut në rajone të përfshira nga konfliktet e armatosura dhe të pllakosura nga varfëria. Ndaj, solidariteti dhe partneriteti, konsideroj se janë vlerat dhe udhërrëfyesit e një ndërveprimi sa individual, aq edhe të përbashkët, për menaxhimin e krizës dhe garantimin e të drejtave të refugjatëve, azilkërkuesve dhe migrantëve të parregullt.
Kjo krizë, e cila kërkon një përgjigje dhe ndërveprim global, paraqet sfida komplekse, imediate dhe afatgjata, për veprimtarinë e institucioneve të Ombudsmanëve dhe Mediatorëve. Përballë saj, këndvështrimi i zgjeruar i problematikës, i vendos institucionet tona në kushtet e një ndërveprimi të nevojshëm në rajon e më gjerë.
Institucionet tona, sot, kanë një rol të dyfishtë, në mbrojtjen e të drejtave dhe promovimin e së drejtës për mirëqeverisje, të lidhur ngushtë me pjesëmarrjen në vendimmarrje, orientimin drejt konsensusit, besueshmërisë, transparencës, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe efiçencës, mirëqeverisjes së drejtë dhe gjithëpërfshirëse dhe respektimit të shtetit të së drejtës.
Ky rol kërkon një shterim adekuat të mjeteve ligjore, në funksion të mandatit dhe përmbushjes së detyrave tona. Gjithashtu, kërkon një aktivitet ngushtësisht bashkëpunues me shoqërinë civile, median, si dhe me partnerët ndërkombëtarë.
Detyrimi i respektimit të të drejtave të njeriut nuk mund të shmanget, modifikohet, pezullohet, apo të shtyhet në kohë. Ai bëhet akoma më i domosdoshëm në kohë krize, ndaj edhe këto të drejta nuk duhet të cenohen dhe anashkalohen. Thelbi ynë i punës dhe prioriteti përcaktues në këtë drejtim, lidhet në mënyrë të veçantë me mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të shtresave të cenueshme dhe komuniteteve në risk. Kjo krizë ka bërë të nevojshme bashkëpunimin mes nesh, si në rrafshin kombëtar ashtu edhe në atë rajonal e më gjerë, si dhe angazhimin në një rol solidar, institucional, të koordinuar, për përballjen me sfidat që ofron kjo situatë.
– Sfiduese është përballja me një valë në rritje të ksenofobisë, që vjen edhe prej frikës e pasigurisë nga kriza ekonomike. Trajtimi humanitar i refugjatëve dhe migrantëve është detyrim për çdo vend, po aq sa ç’është edhe njohja e të drejtave që u takojnë, bazuar në aktet përkatëse ndërkombëtare. Qasja dhe përgjigja ndaj kësaj krize duhet të bazohet në respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe në ofrimin e garancisë se këto standarde nuk do të cenohen, qoftë nga pozitat e një vendi tranziti, apo destinacioni.
-Autoritetet shtetërore përgjegjëse duhet të ndjekin dhe paraprijnë ritmin dhe zhvillimet dinamike të krizës së flukseve të përziera migratore.
Po kështu, është e nevojshme të sigurohet një ndërveprim shumëplanësh për të kundërvepruar ndaj gjuhës së urrejtjes, racizmit dhe ksenofobisë, e cila ka pasoja për situatën e të drejtave të emigrantëve dhe në të njëjtën kohë shkakton edhe erozion të vlerave dhe parimeve themeltare të diversitetit, tolerancës dhe bashkëjetesës në shoqëritë demokratike.
– Qoftë në situata normale, e sidomos në kontekstin e krizave të thella shoqërore apo konflikteve të armatosura, si Ombudsmanë, ne përballemi me sfidën e ngahershme të efikasitetit, në kontekstin institucional vendas, ndërkohë që kriza migratore na përball me dimensionin transnacional. Rritja e efikasitetit tonë kërkon një komunikim dinamik, bashkëpunim të qëndrueshëm mes njëri-tjetrit, ndarje të informacionit, shkëmbimin e praktikave të mira dhe eksperiencave të punës sonë në terren.
– Sot të gjithë ne përballemi me një krizë të paprecedentë të migracionit, e cila na paraqet sfida komplekse, si në kontekstin aktual imediat, ashtu dhe në planin afatgjatë. Në kontekstin imediat, duhet të adresojmë krizën humanitare dhe të garantojmë të drejtat bazike të emigrantëve, që mbërrijnë në brigjet dhe territoret e lakmuara të Europës. Një përgjigje adekuate kërkon koordinim dinamik të aktorëve në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar, me qëllim mobilizimin e burimeve financiare, logjistike e njerëzore të duhura për t’u ardhur në ndihmë, të gjithë atyre që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.
– Shqetësim tepër i madh është profilizimi i refugjatëve bazuar te nacionaliteti dhe mosgarantimi i të drejtës së aksesit ndaj procedurave të azilit pa diskriminim. Dështimi në zbatimin e legjislacionit ndërkombëtar ka prekur gjerësisht grupet vulnerabël, duke përfshirë këtu fëmijët, gratë, të moshuarit, viktima të torturës, personat me aftësi të kufizuar, LGBTI etj. Një udhërrëfyes tepër i vlefshëm për veprimtarinë tonë është Rekomandimi nr.16, i adoptuar nga ana e Komisionit Europian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), në 16 mars 2016, i cili thekson se, të gjithë migrantët, përfshirë migrantët aktualë të parregullt kanë të drejta, përshirë këtu ato civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore; duke kujtuar se e drejta ndërkombëtare vendos standarde-minimum në këtë kuptim, që duhet të garantohen pa diskriminim nga ana e shteteve.
– Angazhimi i Ombudsmanëve dhe Mediatorëve është jetësor për monitorimin e situatës së të drejtave të njeriut, hetimin e praktikave abuzive dhe parandalimin e tyre, ndërgjegjësimin e autoriteteve për zbatimin e standardeve dhe obligimeve në fushën e të drejtave të njeriut, si edhe kontributin në dialogun ndërinstitucional dhe ligjërimin publik për të kundërvepruar ndaj gjuhës së urrejtjes, racizmit dhe ksenofobisë.
– Në planin më afatgjatë përballemi me sfidën e integrimit, qoftë ky integrimi i azilantëve në shtëpitë e tyre të reja në vendet që i mirëpresin, qoftë integrimi i shtetasve të kthyer në vendet e tyre të origjinës. Ky proces kërkon angazhim mbarëshoqëror, në frymën e solidaritetit dhe me një vizion largpamës me politika koherence dhe impakt të qëndrueshëm.
Na nevojiten kthjelltësia dhe largpamësia për integrimin e diasporave të reja në vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian, në mënyrë që ato të jenë pjesë produktive e ekonomisë dhe pasuri e shtuar për diversitetin kulturor në shoqëritë që i mirëpresin. Po ashtu nevojitet bashkërendimi i gjerë dhe mbështetja me burime të nevojshme për integrimin e atyre emigrantëve të parregullt që riatdhesohen, duke pasur parasysh që për një pjesë të madhe syresh, kursimet e jetës janë përvetësuar nga trafikantët e qenieve njerëzore, që kanë “kapitalizuar” vuajtjen dhe ëndrrat e tyre.
– Përmasat e krizës së migracionit janë globale dhe përgjigjja adekuate dhe e qëndrueshme mund të jetë veçse globale, bazuar në përqasje përfshirëse të aktorëve lokalë, rajonalë dhe ndërkombëtarë.
– Nuk është aspak e tepërt të thuhet se shtetet dhe aktorët ndërqeveritarë rajonalë e ndërkombëtarë duhet të bëjnë çdo përpjekje, që politikat dhe veprimet e ndërmarra të zbatojnë standardet dhe detyrimet që burojnë nga legjislacioni në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ndërveprojnë me kohezionin social, për të qenë efektivë dhe produktivë në menaxhimin e krizës.
– Referuar krizës së migracionit, krahas të drejtave të njerëzve në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, kemi edhe sfidën e mbrojtjes së të drejtave të vendasve në shtetet e tranzitit apo destinacionit. Vlen të theksohet se për arsye të sigurisë dhe destabilitetit shoqëror nga përshkallëzimi i situatës, në shtetet e tranzitit apo destinacionit ka risqe të shtuara për standardet ekzistuese në sferën e të drejtave dhe lirive themelore. Institucionet tona kanë një rol kaq jetësor për mbrojtjen e këtyre parimeve dhe vlerave themeltare.
* Fjalimi i Avokatit të Popullit në Konferencën e Nivelit të Lartë për Migracionin. Botohet me shkurtime

Rama: Vetëm një numër i vogël jashtë universiteteve

Posted: 08 Sep 2016 05:00 AM PDT

Kreu i PD-së, Lulzim Basha kërkoi sërish dje
dorëheqjen e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla për shkak të krizës së krijuar me maturantët. “Drama dhe lotët e maturantëve sot janë rezultati i një pseudoreforme që ka rënë që në nisje”, – ka deklaruar Basha në një reagim pas protestës së maturantëve. “Kjo është reforma e Edi Ramës, që hedh poshtë mundin, talentin, punën e madhe, studimet e disa viteve, me një të rënë të lapsit”, – thekson Basha. Por kryeministri, Edi Rama konsideroi dje se një nga risitë e reformës në arsim është se, më të mirët zgjedhin të parët. “Po, sigurisht, një maturant i shkëlqyer nuk mund të shkojë në tetë, nëntë apo dhjetë degë, ku shpreh fillimisht preferencën dhe del fitues. Deri në 20 shtator, çdo fitues në më shumë se një degë, do të regjistrohet në degën e vetme që do ndjekë dhe, automatikisht, të gjitha vendet e tjera që ka zënë përkohësisht në listën fituese, do të lirohen për shpalljen e fituesve të tjerë”, – sqaroi Rama. “Janë 25 mijë kuota për 27 mijë e 600 aplikues, kështu që ata që do mbeten jashtë në fund të procesit, do të jenë një numër i kufizuar e me rezultatet më të dobëta ndër gjithë të tjerët. Prandaj, respekt për meritën e secilit dhe durim deri në përfundimin e procesit”, – deklaroi kryeministri Edi Rama.

Kryebashkiakja e LSI: Nikolla, ministrja më e paaftë që kam njohur

Posted: 08 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: Darina Tanushi
Kryetarja e Bashkisë së Përrenjasit, ish-deputetja e LSI-së, Miranda Rira kërkoi dje dorëheqjen e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Rira shkon më tej, kur thotë se koalicioni mes LSI-së e PS-së do të vazhdojë edhe për shumë vite, por kjo nuk përjashton faktin që duhet punuar më mirë në qeveri. Përfaqësuesja e LSI-së në pushtetin vendor, shkroi dje në një status në rrjetin social “Facebook” se: “Më lejo ta them hapur, Lindita Nikolla, se je ministrja më e paaftë që njoh”. Pas shprehjes së pakënaqësive nga dhjetëra studentë në lidhje me problemet që kanë hasur për të hyrë në universitete, Rira është shprehur e revoltuar me aleaten e saj në qeveri. “Rrënimi i përpjekjeve të qindra e dhjetëra maturantëve të dëshpëruar duhet të ketë një fajtor. Është e trishtë që akoma sistemi ynë arsimor bën eksperimente nga një vit në tjetrin, duke përdorur mijëra maturantë si kavie për të kuptuar se çfarë duhet e çfarë jo. Janë me dhjetëra maturantë të Bashkisë Përrenjas, me mesatare mbi 9, që nuk kanë arritur të kapin asnjë degë në Universitetin e Tiranës. Më lejo ta them hapur, Lindita Nikolla, se je ministrja më e paaftë që njoh. Habitesha edhe më shumë nga paaftësia jote kur vije në Komisionin e Arsimit gjatë kohës që isha deputete, nga argumentet e dobëta që jepje, vetëm mëk-mëk-et e tua dëgjoheshin. Habitesha se si mund të ishe ministre e Arsimit dhe e Shkencës, kur minimalisht duhej të kishe gradën ‘doktor’, teksa vendi kishte me qindra profesorë të nderuar me tituj”, – shkruan Rira. “Ke dështuar njësoj si PD-ja, që i qelbi universitetet duke i kthyer në kioska që jepnin diploma. Ke hedhur në kosh ëndrrat e maturantëve dhe djersën e qindra prindërve të ndershëm”, e mbyll komentin e saj, përfaqësuesja e LSI-së. Por më tej, bashkëqytetarët e saj e kanë ngacmuar me pyetje, duke i thënë se a ishte ky mendimi i saj apo i LSI-së. Më tej Rira ka sqaruar se ky është një opinion i saj si kryetare e Bashkisë Përrenjas dhe s’ka lidhje me koalicionin PS-LSI. “Në emër të LSI-së, në lidhje me koalicionin flet zëdhënësja e LSI-së. Unë flas në emër të qytetarëve të Përrenjasit, në emër të maturantëve që po shoh t’u mohohet e drejta për të studiuar! Ne jemi dhe do të vazhdojmë të jemi në koalicion edhe për shumë vite të tjera, por kjo nuk përjashton nevojën që ka koalicioni për të punuar më mirë”, u shpreh Rira. Kryetarja e Bashkisë së Përrenjasit ka qenë edhe pedagoge, ndaj ajo ka ndarë edhe mendimin e saj si e tillë. “Ligjin

Borgesi, Migjeni dhe Greta Garbo

Posted: 08 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: MOIKOM ZEQO
Jorge Luis Borges ka thënë:
"Më kujtohet reklama e bujshme
e bërë për shfaqjen e fi lmit
'Mbretëresha Kristina' të Greta
Garbos… sipas një pjese të Eugene O’Neill. Reklama shënonte ‘Greta tolks’ (‘Greta flet’). Për këtë film ishin ndërtuar posaçërisht – për një kënd më të gjerë – një serë baresh, pastaj kishte edhe brymë, një kalë në brymë dhe së fundi, një grua që vinte nga Suedia dhe që vete në këtë dekor… që ishte Greta Garbo. Ajo hynte në një bar dhe aty ajo shkon drejt një tryeze tepër të gjatë. Ne (spektatorët) prisnim që ajo të fliste – do të dëgjonim më në fund zërin e Greta Garbos – ajo çka ne dëgjuam qe një zë pothuaj i ngjirur që shqiptoi ‘Give me a whisky’, dhe ne zumë të dridheshim të gjithë nga emocioni. Dhe pastaj ajo vazhdoi të flasë dhe ky qe filmi i parë me zë. Tërë brezi im ka qenë i dashuruar me Greta Garbon, mendoj se e tërë bota ka qenë e dashuruar me të. Motra ime, Norah, ka thënë diçka të bukur: ‘Greta Garbo nuk do të jetë kurrë e lënduar’ dhe kjo është e vërtetë; një femër e madhe, me shpatulla të gjëra. Artistet e tjera të asaj kohe qenë të brishta, por jo Greta Garbo; ajo kishte në vetvete një lloj qëndrueshmërie, diçka të mistershme, kështu e quanim ne: ‘Sfinksi suedez'”.
Borgesi bën një apologji elegante, të beftë. Po ai nuk e dinte (o Zot, s’kish si ta dinte!) që shumë përpara tij, në 1936 një tjetër shkrimtar, shqiptari i brishtë dhe rebel Migjeni ka shkruar diçka për këtë motiv, ku dallimi midis së ngjashmes dhe të pangjashmes krijon një subjekt më vete.
Në skicën migjeniane “Urime për 1937” shkruhet: “T’uroj shok i dashtun gjumin e ambël, që të mos dëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barrën e kryqave të vet tue shkue në Golgotha. Të mos dëgjosh as dëshpërimin e të mundurve, as britmën e ngadhnjyesve në këtë jetë. Të mos dëgjosh bubullimën e Spanjës… mbas gjumit tambël, t’uroj – ç’asht dhe e natyrshme – të jesh i gëzuem, gjithmon i gëzuem. Nga gëzimi i madh, në semintalizëm, të puthish drrasat e dhomës dhe shtyllat, si bani Greta Garbo në filmin ‘Mbretëresha Kristina’ kur shijoi dashunin shtazore (desha të them hyjnore, por njësoj asht)”.
Ah, Mbretëresha Kristina! Mbretëresha e çuditshme dhe gati e çmendur e Suedisë. Vajza e mbretit Gustav Adolfit të Suedisë dhe Maria Eleonora e Bradenburgut. Lindi në 1632 në Stokholm dhe vdiq në 1689 në Romë. Shumë e re në moshë u kurorëzua mbretëreshë. Por në moshën 19 vjeç papritur abdikoi nga të drejtat e fronit, duke habitur e lemerisur tërë Europën dhe bashkëkohësit. Natyrë e vrullshme, pasiononte, poliglote dhe jashtëzakonisht e ditur.
Si mbretëreshë ajo u mbiquajt si Minerva e Veriut. Ndërsa Stokholmi u shpall Athina e Veriut. Ajo qe padrone e arteve, filozofisë, muzikës. Ajo e mbrojti filozofin francez René Descarte-in, për t’u shpëtuar censurave feudale të kohës. Në fillim qe protestante dhe luteriane e thekur. Më pas u konvertua në katolicizëm, por gjatë tërë jetës u akuzua për ateizëm të fshehtë. Ajo u lidh me priftin katolik Antonio Macedo – aq shumë sa e kërcënoi, e vuri në provë, e sfidoi virgjërinë seksuale të priftit të shkretë. Ajo u vendos në Romë, për shkak të katolicizmit të saj tashmë pasionant. Kur vdiq 63 vjeçe – salma e saj në një sarkofag të përzishëm u vendos përfundimisht brenda bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan.
Kristina qe një femër krejt e lirë, dinake, autoritare që vishej me shpesh me rroba burri. Jeta e saj seksuale qe pa kufij. Qe lesbike dhe interseksuale. Përherë sfiduese dhe joshëse! I hutonte në biseda dijetarët. I shpërfillte teologët. Abdikimi i saj qe i tmerrtë. Por dhe tepër kalorsiak.
Në 23 dhjetor 1933 Metro-Goldwyn-Mayer shfaqi në Nju Jork filmin “Mbretëresha Kristina” me Greta Garbon e famshme. Këtë film – pikërisht këtë edicion në pelikulë e ka parë Migjeni. Por, edhe Borgesi. Reagimet e tyre janë të ndryshme. Por, edhe plotësuese. Filmi ka sekuenca lesbike (mund të shihet në “You Tube” lehtësisht, mrekullisht paradoksalisht), por dhe skenën skandaloze të seksit që e ka çmerituar Migjenin puritan dhe poet ironik. Në arkivin e Migjenit ruhet ende dhe sot një fotografi e Greta Garbos. Ah, fotografia e Greta Garbos! Hapësirë e vogël e koncentruar. Tek sytë magjikë të Gretës janë edhe sytë e verbër të Borgesit, tek balli i saj edhe balli i Migjenit. Të tre e bëjnë një rastësi sikur i ka mbledhur në fshehtësi një regjizurë. Bie bora e Nju Jorkut, mbretëresha Kristina (ajo në fakt nuk është e katërta!) takon në bar Migjenin (ç’ne Migjeni në Nju Jork?) dhe Migjeni i thotë “Give me a whisky”. Shkrep një vetëtimë si klithma e orgazmës. Pastaj filmi rrotullohet mbrapsht. Një tren vjen mbrapsht në një stacion të panjohur. Borgesi, Greta dhe Migjeni largohen mbrapsht nga njëri- tjetri. Realiteti është dekori i një ëndrre. Tërë njerëzimi lëviz me kryqe në Golgothanë e filmit, lufta e Spanjës rishfaqet përsëri. Dolores Ibarruri nuk është Greta Garbo, por ama del nga Guarnika e Pikasosë. Greta ja vlen të adhurohet. Kjo aktore e jashtëzakonshme në kulmin e suksesit abdikoi nga karriera dhe kaloi në një jetë private, larg syve të famës dhe idhujtarisë botërore. Qe tepër e re, diçka më shumë se sa mosha e Migjenit, që vdiq 27 vjeç.
Vdekja e Migjenit qe e ngjashme me abdikimin e Gretës. Greta vdiq anonime në moshë të madhe, – të njëjtën moshë fizike e arriti dhe Borgesi.
Vdekja e Borgesit nuk qe si e Migjenit. Vdekja e Borgesit s’qe “abdikim”, por natyralitet. Greta Garbo pati famë të paskajshme – Borgesi gjithashtu.
Migjeni pati një fat krejt të përkorë, jashtë famës botërore – por Migjeni është ndër shkrimtarët e zgjedhur që e ka fituar betejën e tij me amëshimin. Ai është në substancën inkandeshente, pulsuese të letërsisë së madhe, pra edhe botërore. Ai skaliti shkurtimisht një fragment ambikuid për Greta Garbon si mbretëresha Kristina e Suedisë. Dhe ky fragment është i vetëmjaftueshëm.
Në mendjen e tij Migjeni kishte diçka më tepër. Shumë më tepër. Po ai s’i pëlqente apoteozat. Asnjë apoteozë! – as për veten e tij! E ç’i dukeshin apoteozat? Ai qe çmitizues i lindur. Çmitizues edhe në pasvdekje. E pra, kjo nuk është asnjëherë pak! Si hije e Hadit, ai ka mundësi të takojë hijen e Borgesit dhe të Greta Garbos për të thënë “të pathënat”. Të tre të ndryshëm, por edhe të ngjashëm. Çdo shkrimtar është aktor i roleve të personazheve të tij. Këtë bëri edhe autorja Greta. Jetuan jo për veten, por për të tjerët. Në përjetësi! Amen!

Ankesat e artistëve, nga teatri ‘spartan’ te përmasat e skenave

Posted: 08 Sep 2016 05:00 AM PDT

Nga: Fatmira Nikolli
Përtej imazhit, shumëçka
mbeti e paqartë, e shumëç
ka mbeti për një herë tjetër. Përtej termave teknikë, artistët ngritën pyetje dhe morën përgjigje që herë i lanë të (pa)kënaqur e herë qenë gjysmake, duke nisur nga hapësira e matur me metra dhe deri te mungesa e luksit.
Në prani të kryeministrit Edi Rama, ministres se Kulturës, Mirela Kumbaro, kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, artistëve të TKOB, TK, Qendrës Kulturore të Fëmijëve dhe artistëve të skenës së pavarur artistike, prezantimin e projekteve të teatrove në detaje e bëri arkitekti Olsi Eftimi, i cili e nisi me lidhjet e familjes së tij me artin dhe teatrot. Mandej, para të pranishmëve në fillim ai paraqiti imazhet e gjendjes së rënduar të TKOB dhe ish-Laboratorit të Hidroteknikës ku do ndërtohet ‘Turbina’. Mandej, tregoi ato që i cilësoi si zgjidhje surprizuese të problemeve të TKOB, nga akustika te hapësirat, riformulimi i tyre për biblioteka, kafene, dhoma veshjeje, kënde për prova, hapësirë për orkestrën e jo vetëm, edhe për vënien në funksion të hapësirave të keqpërdorura apo papërdorura, duke ruajtur kujtesën dhe trashëgiminë e TKOB, por duke e sjellë me kushte bashkëkohore.
Eftimiu, u përqendrua gjatë tek akustika e TKOB, çka ka qenë problem, prej kohës kur ky teatër u vu në funksion së pari, rreth 60 vite më parë.
Ai foli (me terma teknikë dhe me shpejtësi, duke pasur parasysh axhendën e kryeministrit) për rritje të volumit të zërit në sallën e TKOB, me sisteme që mundësojnë rikthimin ose shpërndarjen e zërit në kënde të ndryshme të sallës, foli për reflektorë akustikë primarë dhe dytësorë, për tavan akustik, ballkone që rrisin volumin, për panele absorbuese e reflektuese, që përshtaten për koncerte, opera, balete, dhe madje edhe recitale e muzikale, për risi që kanë të bëjnë me vendosjen e perdeve të automatizura, si edhe për termoizolim të gjithë godinës, rritje dimensionesh në gjerësi e lartësi për të mos futur zhurmat që vijnë nga jashtë, për ngjyrat e ngrohta të imazheve, për panelet e lëvizshme që i vihen në shërbim orkestrës, që bëjnë që zëri të mos humbasë, foli për përplasje të zërit në ballkone dhe shpërndarje të tij në auditor duke krijuar reflektim akustik mjaft të mirë, kryesisht në pjesën e poshtme të auditorit dhe lozhës VIP; foli për panel akustik në gropën e orkestrës, panel akustik në urën e ndriçimit, panel akustik të varur dhe panel akustik të kapur në mbulesë. Ai tha se “ne duam një verbërim 1.8 sekonda që arrihet në salla si ajo e Oslos apo e La Scala-s. Volumi i limituar akustik tani është 5300 m3 dhe do bëhet 8000 m3”. Ajo për të cilën nuk u fol edhe pse pyetjet nuk munguan janë përmasat e skenës: sa metra e lartë, e gjerë, apo e gjatë, ndonëse arkitekti tha se është më e madhe në hapësirë se ç’është aktualja. Më herët, Olsi Eftimi foli edhe për kushtet e vështira të artistëve dhe punonjësve të skenës, që ndryshojnë veshjet e skenës dhe të dyshemesë në kushte të jashtëzakonshme, që mbajnë veshur kanotierë, kuptohet që nuk kanë një sallë zhveshjeje. Ai tregoi imazhet e dhomës së orkestrës, sallën e provave të baletit, garderobën, sallën e provave, foli për sistem elektrik e ngrohjeje.
Sa i takon “Turbinës” ose skenës së re, Olti Eftimi tha se do jetë me dy salla (një me 400 vende e një me 150), me një ambient ekspozimi të hapur e një të mbyllur, se do të konservohen disa pjesë që të shërbejnë si objekte muzeale e artistike- si instalacione. Foli për dysheme të përshtatshme për baletin dhe që aty ka edhe panele për zërin, që nuk ia mbërrijnë kualitetit të TKOB, por që janë në gjendje të mirë, foli për hyrjet dhe një bar e mensë artistësh, me hapësirat ndihmëse të ndara. “Kolona e ‘Turbinës’ do ketë reklama të shfaqjeve sipër dhe sinjale ndriçimi si semafor për tërheqjen e artistëve. Hyrjet i kemi para si salla spartane, jo të luksit- por cilësi e komoditet, dhe nuk kemi shpenzuar në luks”.
PYETJET E ARTISTËVE, PËRGJIGJJA E
ARKITEKTIT
Artistët e Operës
Shqetësimet e artistëve të Operës ishin disa: nga ku do parkojnë makinat, te ku do kenë sallat e provave, ku janë dhomat e zhveshjes, ku do ushtrohen balerinët, cilat do jenë përmasat e skenës, ku do punojë kori etj., etj. Pyetjet u bënë nga tenori Armaldo Kllogjeri apo nga sopranoja Eva Golemi. Ndërsa violinistja Anduena Sula kërkoi me ngulm të dijë se ç’do bëhet me fatin e tyre, ndërsa opera rindërtohet dhe tha se nuk ka nevojë t’i paraqiten problemet e operës, të cilat i “di më mirë se ju, se kam jetuar me to”. Artistët e Operas pyetën minsitren se ku do jenë ata gjatë viteve të rikonstruksionit. Kumbaro tha se po hartohet nje kalendar që do të prezantohet në opera së shpejti.
Arkitekti Olsi Eftimi tha se ndërhyrjet kryesore do të jenë në skenë, në sallat ku do të punojnë kori, balerinët, të cilët për herë të parë do të kenë mundësi që të kenë dhoma, ku mund të ndërrohen gjatë provave. Vëmendje i është dhënë edhe bibliotekës, kafes ku artistët mund të pushojnë me miqtë, por edhe pozicionimit të gardërobës, si edhe ka pasur ndërrime vendesh, është krijuar gropë për orkestrën etj.
Pyetja specifike e Armaldo Kllogjerit për hapësirat e dhomave të solistëve që do të studiojnë, sa do jetë hapësira në metër katror për çdo instrumentist, do mbajë gropa e orkestrës dhe sa është hapësira midis instrumentistëve që do performonjë në këtë gropë, arkitekti iu përgjigj: “Shpresoj t’i kem këtu dimensionet, mbase për këtë lëmë takim tjetër me ju. Skena nuk preket, ndryshon vetëm dalja, e cila dihet që nuk është moderne, organizimi i skenës dhe sallës është ndryshe nga ajo aktuale. Do të shtohen dy xhepat në të majtë dhe të djathtë. E vetmja gjë është që ndryshon komplet është teknologjia e poshtme dhe nuk është teknologjia e skenës. Kemi shtuar dy dhomat e veshjes së balerinëve për femra dhe për meshkuj, që nuk janë aktualisht, dhe dhoma e valltarëve”.
Artistët e Teatrit
Kombëtar
Bujar Asqeriu kërkoi që të ketë skenë lëvizëse dhe vuri në dukje rëndësinë e xhepave për ndërrimin e akteve, e ndërrimin e dekoreve. “Do të hyjnë dhe do të dalin dekoret, por do të hyjnë dhe do të dalin edhe artistët, sepse jo të gjithë artistët mund të dalin njëkohësisht në skenë; artistët që presin duhet menduar, që të rrinë pak si artistë, jo si kuaj”. Arkitekti tha se “në fakt ka xhepa, por ndoshta vizualisht ne i kemi vënë me të njëjtën ngjyrë me skenën. Disa nga zgjedhjet estetike që ne kemi bërë mund të shpjegohen edhe teknikisht me vështirësi, por që do të mundohemi t’jua shpjegojmë. Në të majtë kemi skenën e madhe, në të djathtë kemi skenën e vogël, skena e vogël ka vetëm tre radhë fikse, edhe të gjitha të tjerat palosen. Ndërsa në skenën e madhe, linjat që shihen me të zezë janë perdet, dhe këto krijojnë edhe pjesën e xhepave që janë 6 metra në secilin krah”.
Vasjan Lami
Aktori Vasjan Lami teksa u ndali tek akustika, ngulmoi të ngrinte një shqetësim, atë të përplasjeve midis dy sallave, ku do të interpretojnë trupat e aktorëve (400-150-vendëshe të ‘Turbinës’). Kjo gjë, sipas tij, mund të çojë edhe në dëmtimin e tyre. “Për sa u përket sallave, këtu është quajtur që në fillim skena e re, duke kërkuar vendet që mund të ndërtonim sipërfaqe të reja. Gjithashtu për sa i përket akustikës, mund të plotësohen kërkesat e Teatrit Kombëtar. Për sa i përket dhomës së provave, janë tri zyra, ndërsa provat do të bëhen në skenë”. Në fund, pasi doli nga takimi, ai tha se “u quajt teatër spartan, një teatër provizor që nuk ka kushtet e një teatri vërtet profesionist”.
Sokol Angjeli
Aktori Sokol Angjeli nuk e fshehu gëzimin kur dëgjoi lajmin nga vetë kryeministri i vendit se, TK do të ndërtohet sërish në qendër të Tiranës. “Ky prononcim i jep përgjigje një dileme shumë të madhe tonës, që ka qenë për prishjen e skenës së teatrit”, tha ai. Mendimi që tani Teatri Kombëtar nuk do të ndërtohet nën varësi të ndërtesave të tjera, Angjeli e sheh mbi gjithçka, aq sa mendon se duhet ta pranojë ndërtimin e skenës së re tek ish-Laboratori i Hidroenergjitkës siç është, duke bërë maksimumin edhe përballë mungesave. “Më së fundmi, kryeministri erdhi me konceptin, që Teatri Kombëtar do të jetë një godinë e veçantë në qendër të Tiranës. Ky gëzim është i mrekullueshëm në ambientin teatror”, shtoi ai.
Altin Basha
Regjisori Altin Basha pyeti se si do të jetë marrëdhënia skenë-spektator? Çfarë risie do të sjellin këto projekte? Arkitekti Eftimi iu përgjigj këtij konstatimi, se auditorët e skenave jo vetëm që do t’i kryejnë funksionet siç duhet, por do të kenë edhe hapësira mbajtëse për peshat e ndryshme në skenë.
Hervin Çuli
Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli vërejti se nuk ka xhepa në teatër dhe se xhepat janë të rëndësishëm. Ndërsa arkitekti u shpreh se po punohet edhe për dekorin, duke u marrë mendime nga artistët që punojnë çdo ditë në këto ambiente. Ndërsa xhepat do të jenë pjesë e këtij projekti.
“Në fakt ka xhepa, por ndoshta vizualisht ne i kemi vënë me të njëjtën ngjyrë me skenën. Në skenën e madhe linjat që shihen (gjatë prezantimit me slide për të pranishmit) me të zezë janë perdet, dhe këto krijojnë edhe pjesën e xhepave që janë 6 metra në secilin krah”.

Cungu: Dua ta nisim me fitore para tifozëve

Posted: 08 Sep 2016 05:00 AM PDT

Vllaznia-Kukësi do të
jetë ndeshja e fundit e javës së parë të Kategorisë Superiore, teksa kjo përballje është shtyrë për shkak të motit të keq që pushtoi Shkodrën ditën e hënë dhe që ndërpreu takimin Shqipëri-FYROM, i cili u rikuperua një ditë më pas. Për shkak të kushteve meteorologjike, por edhe për t’i dhënë kohën e nevojshme terrenit që të marrë veten, u vendos që derbi i veriut të luhej të enjten. Vllaznia vjen me një ‘look’ krejt ndryshe nga sezoni i shkuar, ndërsa është përforcuar në çdo repart. Pasi luajtën në fushën sportive “Reshit Rusi”, kuqeblutë do të kenë mundësinë që të luajnë në stadiumin më të mirë të vendit. “Loro Boriçi” është gati të mirëpresë tifozërinë shkodrane, ndërsa për trajnerin Armando Cungu kjo gjë paraqet vështirësi, ndonëse kërkon ta nisë në mënyrën e duhur këtë aventurë. “Shpresoj që stadiumi i ri një farë mbarësie, të na sjellë fat ashtu siç i solli Kombëtares. Nuk mund të pretendojmë që të futemi në fushë për tjetër rezultat përveç fitores. Gjithsesi, duhet të pranojmë çdo rezultat, edhe pse duhet të jemi të fokusuar. Do mundohemi t’ia bëjmë sa më të vështirë kundërshtarit, por nuk e zbuloj strategjinë. Nuk kemi pasur mundësi të marrim një sulmues goli dhe shpresojmë me mundësitë që kemi të kemi të marrim një sulmues të tillë në janar, edhe pse kam besim te grupi i djemve”. Kukësi i Ernest Gjokës ka fituar trofeun e parë të sezonit, duke mposhtur Skënderbeun në finale e Superkupës, ndërsa vjen në këtë sezon me disa brazilianë më pak, por me një Pero Pejiç më shumë, teksa në Shkodër kërkon të japë sinjalin e parë se është një favorite e denjë për titullin kampion. Megjithatë, në këtë javë të parë të Superiores çdo gjë mund të ndodhë, ndërsa takimi që do të nisë në orën 19:00 në “Loro Boriçi” është i gjithi për t’u shijuar.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more