Skip to main content

“300 nxënës bojkotojnë mësimin në fshatin Kallm i Vogël” plus 9 more - Gazeta Dita

“300 nxënës bojkotojnë mësimin në fshatin Kallm i Vogël” plus 9 more - Gazeta Dita


300 nxënës bojkotojnë mësimin në fshatin Kallm i Vogël

Posted: 13 Sep 2016 02:32 AM PDT

Dita e parë e shkollës është bojkotuar nga 300 nxënës të shkollës 9-vjeçare në fshatin Kallm i Vogël, në Fier. Së bashku me prindërit, fëmijët protestuan për rrugën e pakalueshme.

Banorët kërkojnë asfaltimin e rrugëve që fëmijët të mos humbasin shkollën, duke lënë mënjanë problemet më ujin dhe mbetjet urbane.

Fshati Kallm i Vogël, me 2.000 banorë, ndodhet vetëm disa km nga Mbrostari dhe autostrada Lushnje-Fier.

Zona është pjesë e fushës naftëmbajtëse Patos Marinzë dhe në të kalon edhe gazësjellësi TAP.

Ahmetaj: Rritja ekonomike 2.96 %, mbi mesataren e rajonit

Posted: 13 Sep 2016 02:15 AM PDT

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka zhvilluar këtë të martë një bashkëbisedim me gazetarët në lidhje me performancën e ekonomisë në 8 muajt e vitit.

"Rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit ka qenë 2.96 për qind. Jemi mbi mesataren e rajonit", ka thënë Ahmetaj, sipas të cilit, "të ardhurat kanë patur një rritje të konsiderueshme krahasuar me 8-mujorin e vitit 2015".

"Janë 190 mln dollarë më shumë të ardhura këtë 8-mujor", ka thënë Ahmetaj.

Sa i takon shkallës së papunësisë, ministri ka saktësuar se, ajo u ul në 15.9 për qind. "Lajm i mirë në këtë drejtim është ulja e papunësisë tek të rinjtë", ka theksuar Ahmetaj.

Ai ka thënë se, qeveria mbetet e vendosur në zbatimin e reformave të thella në ekonomi, të cilat do të mundësojnë sipas tij edhe uljen e borxhit.

"Reformat janë platforma ku mbështetet rritja. Kemi ulur borxhin publik falë mirëmenaxhimit dhe kemi paguar detyrimet e prapambetura ndaj biznesit", ka vijuar Ahmetaj.

Ai ka shtuar më tej se, periudha janar-gusht 2016 ka qenë më e mirë me të njëjtën periudhë të një viti më parë sa i takon bizneseve, me 7.943 njësi më shumë.

Një palë zgjedhje lokale dhe disa konkluzione… kombëtare

Posted: 13 Sep 2016 02:14 AM PDT

 

Nga Bedri Islami

 

Zgjedhjet në Dibër përfunduan. Demokratikasit sado që ishin me të gjitha taborret e tyre nuk e pushtuan dot kalanë e Dibrës. Edhe një herë, si më parë, mbetën jashtë, por kësaj rradhe për turpin e të parit të tyre. Për shumëkënd këto ishin votime të zakonshme, në një bashki veriore, ku pas pak gjithçka do të kthehet në normalitet.

Basha e thirri si sfidën e tij themelore. E përcaktoi si vendin nga do të niste revolucionii tij për të përmbysur pushtetin dhe për të riardhur në qeverisje. Ishte zanafilla e lëvizjes së tij politike, e cila, ende pa u mbarsur, dështoi turpërisht.

Mbi 4000 vota të një mjeku, deri para tri javësh i njohur vetëm në bashkinë e tij, ndoshta jo nga të gjithë, mbi të dërguarin e Bashës, i cili, çuditërisht, në pak ditë mësoi se si mund të kanosej edhe ndaj policisë. Kjo do të thotë se ai kurrë nuk kishte mësuar të qeverisë. Do të thotë se sëmundja e tërbimit kalon edhe përmes imitimit.

Basha e zgjodhi Dibrën si fushën e tij të Mejdanit. Disa kohë më parë, kur për turp e faqe të zezë disa komuna në Kosovë e shpallën qytetar nderi, ai ishte kujtuar se ishte drenicak, tani u kujtua se ishte dibran. Një ditë, mbajeni mend, ai do të kujtohet se është hollandez.

Askush nuk ka përfituar deri më tani në politikën shqiptare vetëm nga paraqitja e tij, e cila, nuk dihet se kujt i bëri më shumë përshtypje. Njëkohësisht asnjëherë PD-ja nuk ka humbur më shumë nga koketëria e tij. Boshe, e shtirur, llafamane, pa bosht, pa ide, meskinitet i një njeriu që nuk dihet se kur mund të ketë lexuar një libër për herë të fundit, me banal rrugaç, i fryrë dhe i shfryrë, por i gatshëm kurdoherë që për hatër të Bythës së tij të të bëjë gjëmën. Olldashi mund të ishte një shembull.

Në të vërtetë, që pak ditë pas krijimit, sidomos pas disa deklaratave haluçinante të liderëve të saj për reabilitimin e kriminelëve të luftës, mashtrimi për bashkimin me Kosovën, që e harruan ende pa ardhur në pushtet dhe ia burgosën djemtë kur erdhën në pushtet, kam qenë opozitar i saj. Në të gjitha shkrimet e kam thënë këtë, ashtu si vazhdoj edhe sot e kësaj dite.

Por më vjen keq që është katandisur në këtë ditë halli. Kur edhe e shpartalluar, edhe bishtin përjetë, në mënyrën më bashiane të mundur…

Më vjen keq që një opozitë e tillë është në vendin tim. Jo se pozita shkëlqen, por një opozitë e tillë, ku më shumë është vajmedet se sa mend, është mjerim i gjithë politikës.

Një opozitë mentare i nxjerr punë qeverisë, e bën të djersijë, të mos mund të fshehë të vërtetën.

Një opozitë të tillë nuk e kemi, e si duket, nën këtë lider, kurrë nuk do ta kemi.

Një opozitë të shpartalluar kështu, që shkon duke i thelluar humbjet edhe në bastionet e saj, që nuk voton as për vendasit e nuk e votojnë as ku ka lindur, pasi të dy, Basha e ai tjetri, kandidati opozitar, na ishin dibran… një opozitë e tillë është mjerim i politikës.

Opozita ka vetëm një rrugë shpëtimi. Të shkëputet nga 2B-ja, hallkat e saj, dërdëllisja boshe, kërcënimi, fjalët plot vrer, që e kanë bërë politikën tonë si një vërdallosje të turpshme.

Nëse ka një njeri që duhet të ikë nga politika ai është Basha.

Por ai nuk do të ikë, nëse nuk e heqin.

Ai e ka ende mendjen tek ajo që vjen më pas, pas largimit.

Një Gjykatë Speciale i duket si fantazmë.

Harron se duke qenë peshk i madh, kapet më shpejt.

Nëse ai nuk ikën, mos u ankoni nëse e majta, sëbashku, do të qeverisë edhe për më shumë se një dekadë.

 

***

Në foton kryesore: Kopertina e sotme e DITA-s ku analizohet fitorja e së majtës në Dibër me mbi 4 mijë vota para. Akuzat e PD-së dhe deklarata e Lulzim Bashës. Pse kandidatit Shehu iu rrënua fushata nga partia e vet. Pse rezultati është dëshpërues për të gjithë. Cili ishte testi i Dibrës dhe çfarë i thotë ky test Bashës…

Dita e parë e shkollës, trafiku në Tiranë brenda normalitetit

Posted: 13 Sep 2016 02:10 AM PDT

Pavarësisht fluksit të lëvizjeve që vijnë zakonisht me nisjen e vitit të ri shkollorë, Tirana ka ofruar sot një qarkullim normal të makinave dhe qytetarëve, krahasuar me vitet e kaluara. Falë një shërbimi të shtuar të forcave të policisë rrugore dhe asaj bashkiake, akset kryesore rrugore të kryeqytetit nuk kanë pasur trafik të shtuar veç atij me të cilin Tirana ofron normalisht.

Madje situata ka qenë edhe përkundër pritshmërive që specialistët e trafikut dhe policisë rrugore kishin për këtë ditë të parë të shkollës, ku prindërit dhe fëmijët e tyre nxitojnë për të kapur orën e parë të këtij viti arsimor.

Ajo që ra në sy ishte edhe situata krejt normale edhe në Sheshin "Skënderbej", i cili pavarësisht punimeve që po kryhen dhe ndalimit të lëvizjes së mjeteve në disa drejtime, nuk ka patur trafik. Këtu duket se ka ndikuar edhe puna e Bashkisë së Tiranës dhe Policisë Rrugore për të informuar qytetarët që të evitojnë në maksimum lëvizjet drejt këtij sheshi.

Si e kujtoj Rrapo Seranin

Posted: 13 Sep 2016 02:06 AM PDT

Nga Eqerem Kajo

 

Është fatkeqësi që shumë njerëz me kontribute të mëdha deri në flijimin e jetës së tyre për atdheun, t'i mbulojë pluhuri i harresës. Është detyra jonë t'u kthehemi t'i kujtojmë e t'i "rilindim" për atë që kanë bërë në interes të atdheut! E një nga këta është edhe Rrapo Serani  nga Selenica e Pishës, lindur më 24 shtator 1919, në një familje me tradita atdhetare, që në situata të vështira i është përgjigjur thirjeve të atdheut.

Babai i Rrapos, Lamja ishte një patriot i dëgjuar në zonën e Kolonjës dhe kishte marrë pjesë në çetat e Gani e Sali Butkës. Ai shtëpinë e tij e ktheu në vitet 1942- 44 në një qendër të formacioneve partizane. Dhe vetë plaku Lame bashkë me Rrapon e çetën e Selenicës dhe Psarit, mori pjesë në aksionin e shpartallimit të disa bashibozukëve ballistë në tetor 1943 që donin të bënin raprezalje në Katundin Selenicë e Pishës.

Hakmarrja nga ballistët e Kolonjës karshi familjes Lame Serani u realizua më 29 Nëntor 1943 kur ballistët të mbështetur edhe nga gjermanët, dogjën fshatin dhe shtëpinë e Lames e rrafshuan përtokë. Ata maskruan familjen Serani, 3 femra (Habibe 38 vjeç, Sabrija 22 vjeç shtatzanë dhe djali i saj 2 vjeç, Xhemalie 15 vjeç). Kjo familje ngeli pa asnjë femër, ndërsa në total u vranë 11 fshatarë.

 

Rrapua u rrit në një familje me të ardhura jo të mjaftueshme, shkollën fillore nuk e përfundoi dot për shkak se iu nënshtrua punëve të rënda për të mbajtur familjen duke punuar në pyllin e Selenicës me përpunimin e lëndës drusore, në blegtori e bujqësi.

Rrapo bënte pjesë tek ajo rini që ishte kundra shtypjes e shfrytëzimit. Shpesh herë ai kundërshtonte taksidarët që vinin në fshat e numëronin edhe pulat sa vezë bënin. Krahas punëve të rënda që bënte në fshat, mundi që të futej edhe në punë për mirëmbajtjen e rrugës Korçë-Ersekë, ku u lidh fort me punëtorët që kundërshtonin pushtuesit fashistë.

Ashtu si gjithë djemtë e vajzat e Selenicës ju përgjegj thirrjes për të marrë pjesë në rreshtat e formacionet partizane. Mori pjesë në aksionet e Barmashit, kundër forcave gjermane, në  korrik 1943, në sulmin për çlirimin e Leskovikut, më pas në Kuqal të Përmetit, në pritat në majat e Qarrit, Dukës, në aksin e rrugës Korçë-Ersekë, në aksionin për likuidimin e xhandarmërisë në postën e Qesarakës, Frashërit etj. Kudo e kurdoherë u tregua i guximshëm,  i vendosur dhe organizator i mire.

Në prag të çlirimit ai kaloi efektiv në Brigadën e 4 Sulmuese ku si gjithmonë u dallua për guximin e trimërinë. Në kongresin e Përmetit maj 1944, Rrapua mori titullin e oficerit.

Pas çlirimit të atdheut ai shërbeu në rradhët e ushtrisë si oficer aktiv me detyra të ndryshme deri në Zv/ komandant batalioni. Shërbeu në disa zona, qytete e rrethe.

 

Në vitin 1952 ai transferohet në Degën e Punëve të Brendshme Ersekë, kryesisht në armën e policisë. Në atë armë të policisë do të komandonte e drejtonte punët për mbrojtjen e rendit, për ruajtjen e qetësisë dhe luftën kunder keqbërsve e shkelësve të ligjit. Përherë i gatshëm, në ballë të çdo detyre duke prirë me shëmbullin e vet. Marrëdhëniet me vartësit, ashtu dhe me eprorët i kishte të përsosura. Si në kohën e luftës edhe në jetën paqësore, Rrapua i fshatit tim, tashmë familjar e me fëmijë ishte po ai.

Më 16 shkurt 1958, një bandë kriminale po tentonte të kalonte kufirin shtetëror në zonën midis Radat-Pobickës dhe Sarandaporit. Detyrë iu ngarkua Rrapos me një togë policësh të kapnin këtë bandë të rrezikshme. Rapo Serani në krye të këtyre forcave, u vu në ndjekje të kësaj bande, e pas disa përpjekjeve, në një pyll të dendur mundi që t'i afrohej kapjes së tyre, por në befasi nga një vend i fshehtë qëllohet për vdekje nga kriminelët.

Sipas një dëshmitari të këtyre ngjarjeve, "Rrapua u bëri thirrje, "dorëzohuni se do t'u falim jetën", por ata donin të vriteshim ne".

Ai Rrapo që u pat shpëtuar sa e sa breshërive të plumbave të gjermanëve, goditet për vdekje. Kjo ishte një dhimbje e madhe për familjen Serani, për shoqërinë e për bashkëfshatarët e Selenicës.

 

Por në kujtimet e mia dua të tregoj një episode. Një vit përpara se ai të binte në krye të detyrës, unë së bashku me nënën time shkuam për një rast në Kolonjë. Sa zbritëm nga autobusi në qendër të Ersekës, përballë takojmë Rrapon. Unë nuk e njoha sepse kisha kohë pa e parë, por ai njohu Haken dhe e përqafoi:

-Hë moj Hake ku je?

-Në Tiranë, i thotë ajo, me djemtë.

-Po ky zabit kush është?

-Djali, i thotë, Eqeremi.

-Ah! Qekua (kështu më përkdhelnin në fshat) është ai që qante gjith natën, i tha nënës, po ai është qenka bëre alamet djali.

Më pyeti për çfarë arme kam mbaruar shkollën.

-Për mjete të mekanizuara, i them.

-Shumë mirë, thotë, ju tani jeni kuadro me shkollë, por ne disa kemi ngelur pa shkollë, për aresye të ndryshme, mua  më mundon shumë mungesa e shkollës dhe oficerat e rinj na shikojnë me sy jo të mirë, nuk pyesin se ne luftuam për ta…

-Unë nuk e kam këtë mendje, i them, ju që na sualltë lirinë duhet të jeni shumë të vlerësuar. P

Pas kësaj bisede dashamirëse na ftoi për në shtëpi. Unë i thashë se na duhet të shkojmë në Selenicë se na presin, na duhet të shohim për ndonjë makinë.

-Prisni se ja u gjej unë… nuk vonoi dhe na solli një makinë që shkonte në sharrat e Ballbanovës.

Por nga ky takim unë ngela i habitur se ai nënës sime thoshte Hake, mua Qeko, afrimiteti i tij për familjet në Selenicë ishte e madhe.

Nëna ime, kur ai ra në krye të detyrës, filloi të qante dhe kujtonte takimin që ne kishim bërë një vit më parë. Rapua ishte nga një familje që kishind erdhur gjakun e pafund. Më 29 nëntor 1943 iu vranë të afërmit.

 

Sot Selenica, vendlindja e Rrapos është braktisur, kanë ngelur vetëm si dëshmi dy lapidarë, ai  i të rënëve gjatë luftës dhe ai i Petro Nini Luarasit; të cilët janë zhveshur e mezi i dallohen gërmat. Po harrohen kontributet e atyre që dhanë jetën për vendin.

Një shoku i tij i jetës, Rrapo Seranin e krahasonte me Rrapo Hekalin:

Hajde mor Rrapo Serani, Kur  thërret e tundet mali./ Hajde mor Rrapo o'Lule/ Lum si ti bilbil që zure…

Nuk ka gjë më të bukur, kur kujton gjyshërit, babën, vëllanë që kanë qëndruar si burrat dhe jetën e tyre e dhanë për atdheun. Unë jam në moshë, dhe këto ishin disa nga kujtimet e pakta që unë ruaj në kujtesën time. Por duke qenë larg vendlindjes sime, nuk kam mundur të takoj fëmijët e tij dhe për këtë më vjen shumë keq, Atyre do t'u thosha kështu nga larg: Të jeni krenar për babanë tuaj!

 

Sikletet e Tiranës

Posted: 13 Sep 2016 02:03 AM PDT

Nga Vjosa Musliu

Vendimi i Milot Rashicës për të luajtur për përfaqësuesen kosovare të futbollit riktheu edhe njëherë diskutimet gjithsesi të nevojshme për identitetet shqiptare dhe kosovare. Në periudhë vere, kur thatësia prek jo vetëm lexuesin, por edhe klikuesin si kategori të portaleve online, mediat tiranase u kujdesën të vënë zjarr në debatin e përhershëm të marrëdhënieve shqiptaro-kosovare dhe të identitetit të shqiptarëve të Kosovës.

Debati që pasoi para se gjithash nxori në pah problemet e identitetit të shqiptarëve në Shqipëri dhe të Shqipërisë, se sa të vetë shqiptarëve të Kosovës. Rëndësia e këtij debati brenda për brenda Kosovës, ia vlenë të shtjellohet veçmas një herë tjetër.

Fillimisht duhet thënë se ajo çfarë ka përfituar futbolli shqiptar dhe shteti shqiptar në përgjithësi nga pjesëmarrja e madhe e lojtarëve nga Kosova nuk lidhet vetëm me sukseset në futboll. Në këto dhjetë vitet e fundit, Shqipëria ka përdorur Kosovën dhe simbolikën e Kosovës si nënvetëdijen e saj nacionaliste e patriotike. Të paktën në stadiume futbolli. Të paktën për 90 minuta lojë! Dhe kjo jo se është bërë si rezultat i ndonjë plani të menduar mirë, por në mungesë të agjentëve të saj të brendshëm për të krijuar dhe fabrikuar krenari kombëtare, Shqipëria politike e gjeti dhe e përdori këtë në Kosovë.

Prania gjithëpërfshirëse e shqiptarëve në ekipin e kombëtares shqiptare, krijoi një përshkallëzim tjetër të nacionlizmit organik duke e kodifikuar atë si mbarëshqiptar, gjithëpërfshirës e mbi të gjitha të koncentruar në Tiranë! Sllogani «Një komb, një kombëtare» gllabëroi njëtrajtshëm të gjithë shqiptarët e kudondodhur rreth një subjekti të vetëm kombëtar. Ata që mbetën jashtë «kombëtares» mbetën edhe jashtë «kombit». Rrjedhimisht këtu nuk kishte vend për ata që do të imagjinonin kombëtaren e Kosovës në ngjyrat verdh e kaltër!

Politikisht kjo gjë i dha Shqipërisë politike një spirancë të munguar të krenarisë kombëtare dhe histerisë nacionaliste, e cila nuk materializohet askund më mirë se sa në stadiume futbolli. Lojtarët dhe tifozët shqiptarë të Kosovës mbushën vakuumin e krenarisë kombëtare në Shqipëri. Vetë historia e Kosovës, tragjedia e saj përgjatë viteve të '90, dashuria dhe vëllazëria e saj e patjetërsueshme ndaj Shqipërisë i dhanë peshë politike kësaj dinamike. Me këtë njësim nëpër fusha futbolli, Shqipëria politike mori hise dhe u bë edhe vetë subjekt i historisë së Kosovës. Dukej se Reçaku, Meja, Prekazi, lufta për pavarësi ishin bërë kujtesë dhe pikë referimi në histori njejtë si për pejanët ashtu edhe për vlonjatët dhe durrsakët. Rrjedhimisht, edhe armiku ishte bërë një. Serbia do të fitonte të njëjtën fytyrë mizore për sarandiotët, gjakovarët e kukësianët. Gjatë 90 minutave do të brohoritej për një komb gjithëpërfshirës imagjinar, për një histori të përbashkët imagjinare, e për një vëllazëri e cila paskësh ekzistuar e pandërprerë në kohë.

Një dinamikë e tillë abstrahoi faktin se përkundër pavarësisë së saj të gjymtë, në një të ardhme të afërt a të largët, Kosova do të vazhdonte t'i jepte kuptim shtetësisë së saj, edhe duke formuar përfaqësueset e veta sportive, edhe duke mbajtur flamurin e Ahtisaarit, e edhe duke bërë «mëkatin e madh» – braktisjen e Shqipërisë!

Për ata që e njohin Shqipërinë politike edhe para vitit 2010, e sidomos para se platformat mediatike të bënin punën e tyre, është e pamundur të mos vihet në pah ky ndryshim i formuar në stadiume futbolli. Duke mos qenë pjesë e Jugosllavisë dhe duke qenë e mbyllur përgjatë komunizmit, që prej fillimit të viteve të '90 Shqipëria e gjeti veten të rrethuar me shtete të cilat po shpërbëheshin e po ribëheshin si rezultat i etno-nacionalizmit. Në këtë konstalacion historik, Shqipëria, fatmirësisht, kishte ngelur jashtë konflikteve të drejtpërdrejta etnike. Kjo i krijoi edhe mundësinë e ruajtjes së njëfarë distance karshi fqinjëve.

Mirëpo, më tepër se sa distancë politikisht e artikuluar, deri nga mesi i viteve 2000 në Shqipëri kishte më tepër injorancë kundrejt fqinjëve. Kjo shoqërohej me një dozë inferioriteti e simpatie për muzikën popullore serbe të cilën e kishin njohur përmes antenave private të paligjshme gjatë periudhës komuniste. Ndoshta nuk është e tepërt të thuhet se në dekadën e parë të viteve 2000, në klubet më «in» të Tiranës lëshohej muzikë serbe, bullgare e malazeze, e cila edhe për trendet e asokohshme në këto vende përkatëse ishte tërësisht e tejkaluar. Megjithatë duhet kuptuar. Shqipëria ende ishte në hapat e saj të socializimit me atë që në Tiranë i referohej rëndom si «muzikë e jashtme».

Në këtë përhumbje njohurish, opinioni publik në Shqipëri jo vetëm që nuk ishte pjesë e marrëdhënieve të tendosura me Serbinë, por mbi të gjitha, nuk kishte as njohuri për nivelin e konfliktit gjithëpërshirës shqiptaro-serb. Tek në vitin 2006, pas reagimeve për koncertin e Goran Bregoviqit në Tiranë, filloi interesimi dhe debati në mediat shqiptare të Tiranës.

Nga dorëzimi i çelësit për Goran Bregoviqin në vitin 2006, Shqipëria do të përfundonte duke dirixhuar drone me mesazhe nacionaliste për pan-shqiptarizëm në Beograd në vitin 2014. Do të ishte një shtetas shqiptar që do të drejtonte një dron me një flamur politikisht irredentist në zemër të Beogradit. Kjo ngjarje e ridefinoi konfliktin shqiptaro-serb, por tanimë me një ndryshim të madh – si konflikt edhe të shtetit shqiptar me atë serb. Në ndërkohë, personazhi i dronit do të defilonte si hero i shekullit të ri të shqiptarëve pikërisht nëpër platformat televizive të cilat e kishin paketuar dhe shitur flamurin si konsum.

Së këndejmi, largimi potencial i shokëve të Milotit nga përfaqësuesja shqiptare e futbollit, dhe krijimi i një tifozerie tjetër me «bijë të Kosovës» simbolikisht rrezikon ta lërë «kombin» cullak në stadiume futbolli. Në kuptimin politik kjo do t'ia humbte Shqipërisë spirancën e krenarisë. Për çfarë krenarie do të brohoritet këtej e tutje? Çfarë do të ndodhë me paketat dixhitale të cilat kombëtaren mbarëshqiptare e paketuan dhe e shitën të pataksuar nëpër diasporë dhe viset shqiptare përtej «Shqipërisë londineze»? E mbi të gjitha, cili do të jetë nacionalizmi i Tiranës pa Kosovën në të? Cilën krenari kombëtare do ta përqafojë Shqipëria në stadiume futbolli? Platformën politike në tentativë të Kreshnik Spahiut? Ndoshta! Por ky nuk është problem i Milotit e as i të tjerëve që do të vendosin të shkëputen nga «kombi» organik për ndonjë komb a organizim tjetër politik, çfarëdo që të jetë ai.

Dëshmori jetim kërkon një varr

Posted: 13 Sep 2016 02:00 AM PDT

 

Nga Prof.Asoc.Dr.Zaho Golemi & Trifon Golemi

 

Jeta 20 vjeçare e Tajar Prodës ngeli në memorie të kombit sepse u vra për truallin shqiptar. Por kalvari i tij më i rëndë është pasvdekja, ku për mbi 70 vjet ka ngelur jashtë varrezave të dëshmorëve në fshatin Geghysen të Tropojës. Tajar Proda lindi më 2 qershor 1924 në Fushëbardhë të Gjirokastrës. Në moshën 6 vjeçare ngeli jetim dhe të afërmit e morën në Tiranë, ku kreu dhe arsimimin fillor e shkollën amerikane "Harry Fultz". Pas shkolle kreu një kurs për radiotelegrafist dhe shërbeu për pak kohë në qytetin e Kukësit. U bashkua vulletarisht me forcat e Br 5 Sulmuese dhe pas çlirimit të qyteteve dhe fshatrave shqiptare bashkë me forcat e tjera të UNÇSH, me urdhër të Komandantit suprem të Luftës Nacionalçlirimtare kapërceu kufijtë për çlirimin e tokës shqiptare të Kosovës. Gjatë luftimeve në jugperëndim të Kosovës u plagos rëndë dhe shokët e çuan në spitalin partizan Geghysen të Tropojës. Por nga plagët e marra nuk mundi të mbijetonte. Ai u shua pas çlirimit të Shqipërisë, në pragun e kalimit të viteve 1944-1945, me fjalët në buzë "…jam nga Fushëbardha", dhe ngeli përjetësisht "Dëshmor i Atdheut". Eshtrat e tij prehen pranë ish-spitalit partizan në Geghysen të Tropojës, në Alpet e Shqipërisë, ku historia i përkund në një djep legjendat, kreshnikët dhe dëshmorët. Detyrimi institucional shtetëror e ligjor është që eshtrat e tij të prehen në varrezat e dëshmorëve të Atdheut, një amanet i "harruar" për shtatë dekada.

 

Jetimi që u burrërua para kohe

Tajar Shemsi Proda erdhi në jetë në fshatin Fushëbardhë të rrethit Gjirokastër. Fëmijëria e tij ishte mjaft e vështirë. Në moshën 6 vjeçare i vdes nëna dhe së bashku me vëllanë më të vogël Luman Proda ngelën jetimë, nën përkrahjen e njerëzve të afërm. Ndërkohë në vitet 30 babai i tyre martohet dhe fillon një jetë të re. Në këto rrethana Tajarin 7 vjeçar, e merr nën kujdestari tezja në Tiranë, Tahireja, që ishte gruaja e Kamber Prodës. Kamberi ishte ndër bijtë e Fushëbardhës, që ishte nëpunës i mbretërisë në Tiranë. Kështu me mbështetjen e tij në Tiranë në vitet e Mbretërisë, Tajari mundi që të arsimohej në arsimimin fillestar, më pas dhe në shkollën amerikane të njohur "Harry Fultz", ku u shqua për rezultate të larta në mësime, për mençuri si dhe mori një kulturë formuese të përgjithshme.

 

Kundërshtar i fashizmit

Në vitet e rënda të pushtimit edhe pse në moshë të vogël mundi të kryente një kurs për "Radio-telegrafist". Falë njohjes së bashkëfshatarëve dhe tezes së tij, gjeti punë dhe u angazhua në shërbimet e komunikimit dhe postave në qarkun e Kukësit. Fushëbardha e lindi, Tirana e mësoi, Kukësi e burrëroi dhe e mësoi në rrugën e vështirë të jetës. Në Kukës, shpejt zuri miq ndjehej si zot shtëpie, sepse shtëpia e jetimit është gjithmonë aty ku ka miq e shokë të mirë. Puna në Kukës, ishte provizore. Ajo i shërbeu djaloshit fushëbardhas, deri sa qëndrimi i tij atje u bë i pamundur. Ai kishte kohë që kishte hedhur vështrimin drejt luftëtarëve. U bashkua me formacionin luftarak të Br.5 Sulmuese, që u shpall pas luftë "Hero i Popullit".

 

Radiotelegrafist i brigadës

Brigadës 5 nga dita e themelimit deri në përfundim të luftës ju bashkuan rreth 1300 luftëtarë. Brigada, në bashkëveprim me forcat e Zonës I-rë Operative, përballoi me sukses operacionet e forcave naziste gjermane Bergkessel (kazani malor), Sturm (stuhia), "Horridoh" dhe "Und demnosh", ("Dhe prapë se prapë") në kuadër të mësymjes e përgjithshme gjermane të dimrit 1943-1944 në zonën Kurvelesh-Mesaplik-Bregdet, mbrojti punimet e Kongresit të Parë ANÇ të Përmetit (maj 1944), në përbërje të Divizionit të Parë Sulmues, kreu luftime të ashpra për përballimin e mësymjes së dytë gjermane, atë të qershorit 1944 në zonën e Tomorricës. Br.V në të cilën Tajar Proda u bashkua vullnetarisht dhe shërbeu në detyrën e radiotelegrafistit, kreu detyra luftarake në zonën e Matit, Dibrës, Kukësit, Prizrenit. Më 1 tetor deri në fund të muajit nëntor 1944, brigada 5, ajo 3 dhe Brigada e 4-t kosovare, duke krijuar një shtab të përbashkët me komandant Shefqet Peçin, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm i zhvendosi veprimet luftarake jashtë kufirit shtetëror, duke çliruar nga pushtuesit nazistë Kosovën Perëndimore. Gjatë veprimeve luftarake në Kosovë brigada shtoi efektivin e saj me luftëtarë kosovarë, duke arritur në mbi 2.000 partizanë. Më 25 nëntor 1944, ajo hyri në përbërje të Divizionit të 5-të Sulmues dhe vijoi luftimet në ndjekje të forcave gjermane për çlirimin e krahinës së Sanxhakut dhe të qyteteve të saj, Senicë, Priepolje e Priboj, duke bashkëvepruar edhe me Brigadën e 12-të të Divizionit 37-të të ushtrisë partizane jugosllave. Nga radhët e brigadës ranë 386 dëshmorë. Sipas Historikut të Brigadës, Tajar Proda është plagosur më 5.12.1944, gjashtë ditë pasi ishte çliruar Shqipëria, bashkë me Mehmet Meshanin nga Dibra dhe Milto Likoka nga Himara edhe ata dëshmorë të Atdheut. Në të njëjtën datë në zonën e Gradicës dhe Zhelivodës pranë malit të Çiçavicës është vrarë dhe partizani Shefqet Seferi nga Gjilan i Kosovës si dhe u plagosën dy mirtalierë italianë Vinçenco Renato dhe Xhuzepe Rapa të cilët u dërguan në spitalin e Prizrenit, por ndërruan jetë dhe sot janë dëshmorë të rënë për Shqipërinë. Ndërkohë që Historiku thotë se Tajari ka ndërruar jetë në Geghysen më 20.3.1945, pra 105 ditë pas plagosjes në Gradicë. Ai është dëshmori i 341-të i Brigadës nga 363 dëshmorë që ka gjithsej brigada dhe është shpallur "Dëshmor", me Vendim nr.127 datë 30.05.1985, të Komitetit Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Gjirokastrës.

 

Dëshmorit që i është "mohuar" varri dhe enigma 70 vjeçare

Djali jetim nga Fushëbardha plagoset rëndë në rrethinat e Prizrenit, por nuk tërhiqet. Mjekohet në betejë dhe vazhdon luftën. Por ai urdhrohet nga komanda e Brigadës që me të plagosurit e tjerë të çohej në Gjakovë dhe prej andej në rajonin e Tropojës. Kështu me plagë të rënda dërgohet në spitalin partizan në fshatin Geghysen të Bujanit të Tropojës. Tajar Proda ishte pjesë e luftëtarëve antifashistë që çliruan Tropojën më 16 tetor 1944 dhe që vazhdoi luftimet drejt tokave shqiptare në Kosovë. Atje në Alpe në Geghysen nuk mundi të shijonte ditët e lirisë, atje dha frymën e fundit me fjalët në buzë "…jam nga Fushëbardha", por ngeli përjetësisht "dëshmor i atdheut". Në mungesë të të dhënave të plota në librin "Historiku i Brigadës V Sulmuese", publikim i vitit 1989, faqe  428 thuhet se, Dëshmor Tajar Proda u vra (fillimisht u plagos rëndë) në luftimet në Prizren më 20 mars 1945, ndërkohë që shumë dokumente të tjera përkojnë me dhjetorin e vitit 1944. Fakt është se sipas Resul Bedos tek "Yje të pashuar, vëllimi XVII, faqe 252-254: "Vrasja e Tajarit, vëllait të Lumanit, duke qenë jetim mbeti disa vite enigmë, për vendin e plagosjes dhe se si mbylli sytë. Por në prag të çlirimit, Kryetari i Këshillit të fshatit Fushëbardhë, Neshat Çarçani kishte marrë një telegram ku shkruhej: "Partizani Tajar Proda ishte vrarë në luftime". Ndërsa në librin e Fero Golemit "Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore" të publikuar më 2015, në faqen 41 shkruhet: "Tajar Proda është një ndër 14 dëshmorët e Fushëbardhës dhe ka ndërruar jetë nga plagët e rënda në Tropojë në vitin 1945". Diku flitej se fushëbardhasi Tajar Proda ishet plagosur rëndë në breg të Drinit të Bardhë që rrjedh nga Kosova. Referenca kryesore ishin kuadrot partizanë zv/komisari i Brigadës Veledin Zeneli dhe zv/komandanti i batalionit Dalip Haxhiu, nga infermjere që kishin shërbyer në spitalin partizan dhe nga relacioni i dërguar për Komitetin Ekzekutiv të rrethit të Gjirokastrës.

 

 "Më jepni një varr të prehem"

Është rast i veçantë dhe duhet trajtuar si i tillë. Ka dhjetra dokumente që vërtetojnë se partizani Tajar Proda u shua në  Geghysen në ish-komunën e Bujanit në Tropojë. Këtë e vërteton edhe ish mësuesi dhe historiani Elez Qerimi, Mësues i Merituar, një nga personalitetet më të njohura të Tropojës, i cili në vitin 2010, një grupi nga fshati Fushëbardhë, ju ka treguar tre partizanët e varrosur në Geghysen, dy prej të cilëve janë çvarrosur në vitet '70-të nga të afërm të tyre nga Gjirokastra si dhe atje ka ngelur vetëm varri i Tajar Prodës. Për fushëbardhasit Nefo Ahmeti Proda (mbesa e dëshmorit), Balil Proda (nipi), Antoneta Proda (nusja e nipit); historiani Elez Qerimi, i cili i shoqëroi para 6 vjetësh në Geghysen ishte zbulimi i enigmës themelore 70 vjeçare, se ku gjendej në të vërtetë varri i dëshmorit Tajar Proda. Historiani Elez Qerimi kishte qenë një ndër bashkëpuntorët historian dhe shkencor i Institutit të Historisë dhe i Akademisë së Shkecave të Republikës së Shqipërisë. Deri tani eshtrat e dëshmorit Tajar Proda prehen në varrezat e fshatit Geghysen, që është një fshat malor dhe me shtrirje vertikale 350-850 m mbi nivelin e detit dhe nga lindja në perëndim nga Shkalla e Grisë e deri në Qafën e Kolçit, ku bën dimër i ashpër me dëborë të madhe e temperatura të ulëta. Geghyseni fillon nga brigjet e Valbonës deri në shpatet jugore të Majës së Hekurave.

Apeli që eshtrat e Dëshmorit fushëbardhës bëjnë nga fshati Gegysen është përherë aktual, që bazohet fort në ligj: "më jepni një varr të prehem". Nisma e ndërmarrë para 6 vjetësh u ndërpre, për shkak se në nëntor 2011 ndërroi jetë në Tiranë historiani Elez Qerimi. Vetë ditët e fundit eshtrat e Tajar Prodës u morën nga Geghyseni, por eshtë koha që ato të prehen në varrezat e dëshmorëve, sepse Tajar Proda nuk është më jetim. Ai është në altarin e ndritur të kombit shqiptar me titullin e madh "Dëshmor i Atdheut", nën kujdesin e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Për këtë arsye bazuar në ndarjen administrative në Ligjin Nr. 8607, datë 27.04.2000, "Statusi i Dëshmorit të Atdheut", kërkesa e SHKA "Fushëbardha", për institucionet përgjegjëse Këshillin e Qarkut Gjirokastër e Kukës, prefekturën Gjirokastër dhe bashkitë Gjirokastër dhe Tropojë, të hartuar më 4.4.2016, me 14 dokumente të argumentuara është kuptimplotë: "Eshtrat e dëshmorit të Atdheut Dëshmori i Atdheut Tajar Shemsi Proda i plagosur për vdekje në luftimet në kufirin midis Tropojës dhe tokës kosovare, në ish–Jugosllavi në dimrin e vitit 1944-1945 si dhe i vdekur dhe varrosur në fshatin Geghysenaj të Tropojës, të varrosen sipas kritereve ligjore për të rënët e kombit shqiptar, në Varrezat e Dëshmorëve të Gjirokastrës".

 

 

Sterepotipet e vjetra në Policinë e Shtetit

Posted: 13 Sep 2016 01:56 AM PDT

-Me shkas nga libri i sapobotuar i Gjeneral Bilbil Memajt-

 

Nga Dr. Zihni Goxhaj

 

Bilbil Memaj, një nga personaletetet e policisë shqiptare me një përvojë më shumë se 30-vjeçare mbi supe, mbrojti doktoraturën dhe më pas botoi librin e tij "Lidershipi në policinë e shtetit". Në këtë vepër, autori bën një paraqitje historike dhe akuale të drejtimit të Policisë së Shtetit (PSH), sipas operacioneve që janë kryer dhe rast pas rasti si është vepruar e drejtuar. Kështu, janë dhënë disa raste studimore, për të parë se si u veprua, si u zgjidh një situatë, por veçanërisht si drejtoi lidershipi i PSH. Po kështu historikisht cilët kanë qenë në krye dhe si ka ecur PSH.

Tërheq vëmendjen qëllimi që i ka vënë vetes autori me pyetjet që ai drejton e ngre, që janë shqetësim për lidershipin e lartë politik, pyetje të cilave ai i pergjigjet në punimin që ka bërë nisur nga përvoja e tij e gjatë në këtë shërbim shumë të rëndësishëm:

  1. Sa i rëndësishëm është lidershipi në organizatën e PSH?
  2. A ndikon stili dhe metoda e lidershipit në performancën e PSH?
  3. A duhet të jetë i pa varur lidershipi nga politika?

Keto tre pyetje nuk janë vetëm objekt për studim shkencor, por edhe tërheqje vemendje për lidershipin shtetëror dhe politik të PSH.

 

Autori nënvizon se kur lidershipi është mjaft i rëndësishëm, vendimmarrësit duhet të mendohen mirë kur bëhet caktimi i tyre në detyrë. Për emërimin e tyre duhet të analizohet thellë se sa mirë apo sa dëm i bëhet PSH, por njëkohësisht edhe vetë politikës së lartë. Këtu në radhë të parë është fjala për lidershipin strategjik, por dhe nivelet e tjera më poshtë. Rastet studimore dhe drejtimi i lidershipit të PSH tregojnë vetë se sa serioz e i aftë ka qene ai në vite, apo si mbetet në histori emri i liderit të mirë, të përkushtuar, me pervojë dhe që e do shtetin dhe popullin. Sot edhe sipas anketimeve, dominon emërimi me njohje, me miq apo për interesa të tjera. Jo vetëm personeli policor por edhe ai civil e qytetar, e di vetë dhe në mundësitë e veta bën vlerësimet për drejtuesit e policisë. Qytetarët nuk i dallojnë drejtuesit e policisë nga gradat apo detyrat, por nga puna dhe sjellja. Psh. kush është nga Kuçova kujton shprehjen "Barkas shtriu, se erdhi polic Fetiu!", ndërkohë që shumë nuk e njohin Fetiun. Ose "Burreli ka rënë në qetësi, se ka ardhur Sh. Stërmasi" e raste të tjera pafund.

Po sot a zgjidhen emra e specialistë të tillë? Vihet re se gjatë fushatave bëhen aktivizime e përdorime të personelit policor dhe më pas emërime të tyre. Por emri i tyre nuk tërheq e motivon trupën policore, qytetarët, të cilët e shohin shtetin te polici, shprehin emocionet apo kënaqësitë e para. Lidershipi duke qenë i rëndësishëm për strukturën e PSH, jo vetëm tërheq vëmendjen, por dhe ndikon mbi qytetarët dhe kulturën shtetërore të shoqërisë.

Autori Bilbil Memaj, duke e shtrirë studimin në 100 vjet dhe duke kujtuar se mungon një doktrinë për lidershipin e policisë, formulon përkufizime, por edhe bën apel, se sa i rëndësishëm është lidershipi në PSH. Ky apel i drejtohet në radhë të parë lidershipit të lartë politik, që emëron lidershipin policor, por dhe atyre të emëruar, që duhet të vlerësojnë rolin dhe funksionin e tyre. Ketu tërhiqet vemendja e të dy niveleve, të cilët duhet të kenë parasysh rritjen e performances së PSH, por dhe reagimin qytetar. Në menyrë relative kur kemi të bëjmë me një dështim në emërimin e një drejtuesi, veçanërisht të lartë në PSH, duhet të analizohet rekomanduesi dhe të mbajë ai një lloj përgjegjësie. Sot titullari apo rekomanduesi duket se është jashtë kësaj përgjegjësie dhe nuk i kërkon kush llogari. Kështu shkallë-shkallë bie rëndësia e një emërimi, bie autoriteti i detyrës dhe i funksionit.

 

Për ta ngritur atë duhet mund dhe një personel i ri, i cili në radhë të parë të ndryshojë opinionin e mëparshëm, e më pas të ngrejë rëndësinë e detyrës së funksionit që mban. Shpesh përdoret shprehja si është lidershipi, është dhe organizata, ose si është i zoti i shtëpisë është dhe shtëpia. Këto fjalë i dinë të gjithë dhe mund t'i artikulojnë më mirë, por a evidentohen dështimet dhe mbahet përgjegjësi, analizohen dhe vlerësohen ato, a nxirret mësim, apo vazhdohet më keq. Sa emërohet një drejtues i lartë, ka raste që shkarkohet shpejt ai, por dhe ai që vjen më pas nuk e ngre performancën. Sot ka struktura vertikale të pergatitjes së ligjeve për emërimet por dhe të kontrollit të tyre. Dëgjohen shprehje se ka drejtues në qarqe që jane lidhur me drejtuesit e lartë politikë, apo deputetë dhe nuk duan të dinë për drejtuesit nga strukturat qendrore, psh.nga drejtoria e përgjithshme. Në tërësi kjo praktikë që deri diku është familjarizuar me këtë gjendje, është studiuar me referenca dhe studime konkrete e të shtrirë në vite.

Së dyti stili dhe metoda e lidershipit, jo vetem ndikon dhe rrit performancën e PSH, por dhe ndikon në kulturën shtetërore dhe të shoqërisë në tërësi. Shoqëria për t'u drejtuar dhe qenë e sigurtë ka nevojë për drejtues me performancë të kohës. Në këtë performancë ka rëndësi drejtimi me mision dhe jo vetëm ai me urdhra. Jo çdo punë dhe proces do ta realizojë lidershipi kryesor, por dhe ai i gjithë niveleve. Autori thekson se fuqia e vërtetë e lidershipit nuk i atribuohet vetëm udhëheqësit, por vjen edhe nga sinergjia e njerëzve dhe vartësve që punojnë së bashku drejt një objektivi të përbashkët. Drejtuesi i sotëm jep direktivën si lider, por për të udhëhequr nuk udhëheq vetëm ai. Duke menduar se udhëheq vetëm shefi, sot në praktikë të tjerët bëjnë sehir, presin ndonjë urdhër, e zbatojnë urdhrin pa u thelluar dhe e kuptuar. Kjo situatë sjell pasivizëm dhe mungesë inteligjence, pse jo dhe indiferentizëm. Ngjarjet shtohen, krimi nuk parandalohet se nuk ka urdhër nga eprori, nga lart për ndërhyrje. Ndërkohe qytetari shikon jo vetëm ngjarjen, por dhe mosndërhyrjen dhe pastaj fillojnë komentet.

 

Pse ndodh kjo? Sepse kemi përqendrim të kompetencave dhe pushteteve. Kemi liderë me stil dhe metoda jo të kohës, por autokratë. Kjo duket te punësimet, kur një drejtues i një niveli të caktuar nuk merr dot në punë një civil të thjeshtë. Kjo duket te raporti që ka në praktikë DP me ato të qarqeve, për çështje të ndryshme të drejtimit dhe kërkesës së llogarisë. Midis hallkave të drejtimit mund të ketë humbur besimi, ose kemi përqendrim të qëllimshëm. Përqendrimi i kompetencave bën sot në realitet, që të kemi shumë drejtues autoritarë (autokratë), që i motivojnë vartësit nëpërmjet frikës dhe jo delegimit të detyrave, apo siç quhet drejtimit me mision. Kjo përveç qëllimit për abuzim, sjell paaftësi, frikë, panik dhe nënvleftësim të profesionalizmit. Një pjesë e drejtuesve poshtë i zbatojnë urdhrat vetëm se thotë eprori, por pa u bindur dhe me frikë. Për ta patur mirë me lidershipin politik, drejtues të niveleve të ndryshme, anashkalojnë dhe eprorin direkt. Pasojat dihen, kemi ndëshkime penale, administrative, disiplinore dhe vetëm se duhet ta kenë mirë me eprorin lart. Ata që shërbejnë apo kanë shërbyer në PSH dinë dhe flasin për shumë raste dhe emra konkretë. Prandaj me të drejtë autori Bilbil Memaj bën apel për më shumë profesionalizëm, stil dhe metodë profesionale në drejtim në të gjitha nivelet, sidomos në nivelin e lartë të lidershipit strategjik.

Në lidhje me stilin e lidershipit, në realitetin tonë ka perceptime aktuale. Kështu nga një intervistim dhe një pyetësor i strukturuar mbi punonjësit e Policisë së Shtetit rreth pyetjes se: "Si do ta përcaktoni stilin e punës së liderit / drejtuesit tuaj: demokratik, autokratik, apo neglizhent / liberal?", u morën rreth 318 përgjigje të ndryshme. Nga këta dhanë mendim se 15% , pra 48 veta u përgjigjën se janë autokratë. Në dukje shifra është jo shqetësuese, e vogël , por po të  vlerësojmë jo 318 por 11000 personel, që ka PSH, kjo shifër bëhet e madhe e shqetësuese dhe vete në 1700. Bëhet shqetësuese po të kemi parasysh se hallka drejtimi, liderë, janë pak; më shumë janë punonjës e specialistë. Ky tip lidershipi bie në sy sot dashje e padashje në qendër e në periferi, në rrethe, bile këtu më shumë. Në disa qytete drejtori i Qarkut apo shefi i komisariatit është i gjithëfuqishëm dhe mban lidhje të qendërsuara, me ministra e deputetë, e neglizhon në radhë të parë vartësit poshtë e deri diku edhe ata lartë në DPPSH. Ndoshta kjo jo gjithmonë është shqetësuese, por dhe pak të jetë pengon procesin e drejtimit dhe marrëdhëniet me komunitetin e për pasojë zbehet e nuk kuptohet koncepti i policimit në komunitet.

 

Kjo shtohet më shumë po të shohim përgjigjen tjetër për pyetjen se: "A vendos vetë drejtuesi se ç'duhet bërë dhe si"?, ku në masën 33.02% janë se vendos shumë. Po kështu shqetësuese është edhe përgjigja se nën stres, pra nen trysninë e eprorëve evidentohen 23.58% të punonjësve. Të gjitha këto anketime të bëra nga zoti Memaj, tregojnë se duhet punuar shumë për rritjen e performancës së personelit të policisë.

Shqetësuese është edhe pyetja që ngrihet se "A duhet të jetë i pavarur lidershipi nga politika". Autori me të drejtë thotë se, megjithëse kanë kaluar 25 vjet nga përmbysja e sistemit totalitar  dhe praktikave të policimit autokrat të sistemit të vjetër, ende vërehen steriotipe në stilin e vjetër të punës së lidershipit policor, mungesë integriteti, ndikimet politike, çka e bën problematik. Lidershipi policor shqiptar ka qenë i ndikuar nga politika dhe nepotizmi, qoftë në mënyrë direkte ose indirekte në emërimin e personelit në funksione të larta dhe të mesme drejtuese. Megjithë përmirësimin e menaxhimit krahasuar me të kaluarën, trajtimi dhe motivimi i punonjësve të policisë, nga disa drejtues duket se nuk bazohet në vlerat e tyre dhe rezultatet e punës individuale të gjithësejcilit, por sipas 60% të të anketuarve, motivimi bëhet më tepër nga miqësia me eprorin dhe 40% nga formalizimi në detyrë. Kjo bën që punonjësit e policisë të humbasin shpesh besimin te eprori dhe të jenë skeptikë. Colin Pauell theksonte se: "Ditën që ushtarakët nuk paraqesin më shqetësimet e tyre  te ju, kjo është dhe dita që ju nuk i drejtoni më ata, sepse kanë humbur besimin që ju mund t'i ndihmoni ose kanë arritur në përfundimin se ju nuk shqetësoheni për ta.Të dyja rastet përfaqësojnë dështim të drejtimit."

 

Autori bën apel se në nivelin strategjik ndikon politika, por ky ndikim nuk duhet të prekë nivelet e ulta sepse këtu kërkohet më shumë të spikasë ana profesionale. Të zbatohen kritere të rrepta ligjore për promovimin në nivelet e larta drejtuese, menaxhuese e komanduese punonjës me integritet të lartë moral e professional. Në këtë apel që bën zoti Memaj, shtron si emergjente:

Së pari, hartimin dhe zhvillimin e një doktrine të zhvillimit të lidershipit policor (ose të një dokumenti bazë, ku të përcaktohen kriteret ligjore për përzgjedhjen dhe përgatitjen e tyre).

Së dyti, të zbatohen procedurat standarde të veprimit, si në emërime dhe në rregullat e punës  (SOP). Natyrisht, këto janë përcaktuar edhe në polici, por a zbatohen dhe a kontrollohen ato nga struktura të caktuara të administratës shtetërore si të Ministrisë së Brendshme apo dhe më lart?

 

Turqia i kërkon zyrtarisht SHBA arrestimin e Gulenit

Posted: 13 Sep 2016 01:55 AM PDT

Ministria turke e Drejtësisë i kërkoi formalisht SHBA-së një arrestim paraprak të klerikut islamik, Fethullah Gulen, të cilin qeveria e Ankarasë e konsideron si organizatorin e grushtit të shtetit të dështuar të 15 korrikut, njoftoi sot agjencia zyrtare e lajmeve Anadoll.

Turqia ka kërkuar edhe më parë ekstradimin e Gulenit dhe ka nxitur SHBA-në ta arrestojë atë. Guleni jeton në SHBA që prej vitit 1999.

Uashingtoni deklaroi nga ana e tij se "kërkon të shohë prova konkrete që kleriku është i përfshirë në puçin e 15 korrikut"

Luksemburgu kërkon dëbimin e Hungarisë nga BE

Posted: 13 Sep 2016 01:54 AM PDT

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn ka sulmuar hapur qeverinë e Viktor Orban, në një intervistë për "Die Welt", duke u shprehur pro daljes së Hungarisë nga BE.

"Brukseli nuk mund të pranojë që vlerat e tij themelore të shkelen hapur. Ato vende si Hungaria, që ndërton barriera kundër refugjatëve të luftës, apo shkel lirinë e shtypit dhe atë të gjyqësorit, duhet të pezullohet përkohësisht ose në mënyrë të përhershme", ka deklaruar Asselborn.

Shefi i diplomacisë së Luksemburgut ka folur për një modifikim të traktateve të BE-së, në mënyrë që një opsion i tillë të bëhet i mundur.

Më herët, kryeministri hungarez Viktor Orban kishte akuzuar Asselborn se kishte diskretituar ndërkombëtarisht Hungarinë.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more