Skip to main content

Fillimet e shkrimit të gjuhës shqipe

Shqipja është një nga gjuhët e lashta të Ballkanit, por e dokumentuar me shkrim mjaft vonë, në shekullin XV, ashtu si rumanishtja.
Dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe, është ai që quhet “Formula e pagëzimit”, e vitit 1462. Është një fjali e shkurtër në gjuhën shqipe “Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”, që gjendet në një qarkore të shkruar në latinisht nga Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut.

Pal Engjëlli, gjatë një vizite në Mat, vuri re çrregullime në punë të ushtrimit të fesë dhe me këtë rast, ai la me shkrim disa porosi dhe udhëzime për klerin katolik, ndër të cilat edhe formulën e mësipërme, të cilën mund ta përdornin prindërit për të pagëzuar fëmijët e tyre, në rastet kur nuk kishin mundësi t’i dërgonin në kishë, ose kur nuk kishte prift. Formula është shkruar me alfabetin latin dhe në dialektin e veriut (gegërisht).

“Formula e pagëzimit” është gjetur në Bibliotekën Laurentiana të Milanos nga historiani i njohur rumun Nikolla Jorga dhe është botuar prej tij në vitin 1915 në “Notes et extraits pour servir l’histoire des croisades au XV siecle IV, 1915”.

Më pas, një botim filologjik të këtij dokumenti, bashkë me riprodhimin fotografik të tij, e bëri filologu francez Mario Rognes në “Recherches sur les anciens textes albanais”, Paris 1932.

Dokumenti i dytë, i shkruar në gjuhën shqipe është Fjalorthi i Arnold von Harfit, i vitit 1496. Udhëtari gjerman Arnold von harf, nga fshati i Këlnit, në vjeshtë të vitit 1496, ndërmori një udhëtim pelegrinazhi për në “vendet e shenjta”. Gjatë udhëtimit kaloi edhe nëpër vendin tonë, gjatë bregdetit, duke u ndalur në Ulqin, Durrës e Sazan dhe për nevoja praktike të rrugës shënoi 26 fjalë, 8 shprehje dhe numërorët 1 deri më 10 dhe 100 e 1000, duke i shoqëruar me përkthimin gjermanisht. Ky Fjalorth u botua për herë të parë më 1860 në Këln, nga E.von Grote.

I fundit të shekullit XV ose i fillimit të shekullit XV është edhe një tekst tjetër i shkruar në gjuhën shqipe dhe i gjendur brenda një dorëshkrimi grek të shekullit XIV në Bibliotekën Ambrosiana të Milanos. Teksti përmban pjesë të përkthyera nga Ungjilli i Shën Mateut, etj. Ai është shkruar në dialektin e jugut dhe me alfabet grek. Ky tekst i shqipes i shkruar, njihet në literaturën shqiptare me emrin “Ungjilli i Pashkëve”.

Këto dokumente nuk kanë ndonjë vlerë letrare, por paraqesin interes për historinë e gjuhës së shkruar shqipe. Shqipja, që në fillimet e shkrimit të saj, dëshmohet e shkruar në të dy dialektet, në dialektin e veriut (gegërisht) dhe në alfabetin e jugut (toskërisht), si dhe me dy alfabete, me alfabetin latin dhe me alfabetin grek, gjë që tregon se kultura shqiptare ishte njëkohësisht nën ndikimin e kulturës latine dhe të kulturës greko-bizantine.

Libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe, që njohim deri më sot, është “Meshari” i Gjon Buzukut, i vitit 1555, i cili shënon edhe fillimin e letërsisë së vjetër shqiptare. Nga ky libër, na ka arritur vetëm një kopje, që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit. Libri përmban 220 faqe, të shkruara në dy shtylla. “Meshari” i Gjon Buzukut është përkthimi në shqip i pjesëve kryesore të liturgjisë katolike, ai përmban meshet e të kremteve kryesore të vitit, komente të librit të lutjeve, copa nga Ungjilli dhe pjesë të ritualit dhe të katekizmit. Pra, ai përmban pjesët që i duheshin meshtarit në praktikën e përditshme të shërbimeve fetare. Duket qartë, se kemi të bëjmë me një nismë të autorit, me një përpjekje të tij, për të futur gjuhën shqipe në shërbimet fetare katolike. Pra, edhe për gjuhën shqipe, ashtu si për shumë gjuhë të tjera, periudha letrare e saj nis me përkthime tekstesh fetare.

Libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut, u zbulua për herë të parë në Romë nga njeri prej shkrimtarëve të veriut, Gjon Nikollë Kazazi. Por libri humbi përsëri dhe u rizbulua më 1909 nga peshkopi Pal Skeroi, gjurmues dhe studiues i teksteve të vjetra. Në vitin 1930, studiuesi nga Shkodra Jystin rrota vajti në Romë, bëri tri fotokopje të librit dhe i solli në Shqipëri. Në vitin 1968 libri u botua i transliteruar dhe i transkriptuar, i pajisur me shënime kritike dhe me një studim të gjerë hyrës nga gjuhëtari i shquar, prof. E. Çabej. Në mënyrë të pavarur, tekstin e Buzukut, e pati transkriptuar edhe studiuesi N. Resuli.

"Meshari” i Gjon Buzukut është shkruar në gegërishten veriore (veriperëndimore), me alfabet latin, të plotësuar me disa shkronja të veçanta. Libri ka një fjalor relativisht të pasur dhe ortografi e forma gramatikore përgjithësisht të stabilizuara, çka dëshmon për ekzistencën e një tradite të mëparshme të të shkruarit të shqipes.

Prof. Eqrem Çabej, që ishte marrë gjerësisht me veprën e Gjon Buzukut, ka arritur në përfundimin, se gjuha e saj “nuk është një arë fare e papunuar”. “Duke e shkruar me një vështrim më objektiv këtë tekst – pohon ai – nga gjuha e rrjedhshme që e përshkon fund e majë atë dhe nga mënyra, me gjithë lëkundjet e shpeshta, mjaft konsekuente e shkrimit, arrin të bindet njeriu, se në Shqipëri ka qenë formuar që më parë, së paku që në mesjetën e vonë, një traditë letrare me shkrime liturgjike”. Kjo tezë, sipas autorit, gjen mbështetje edhe nga gjendja kulturore e Shqipërisë mesjetare; “shkalla e kulturës së popullit shqiptar në atë kohë nuk ka qenë ndryshe nga ajo e vendeve përreth, sidomos e atyre të brigjeve të Adriatikut”.

Për një traditë të shkrimit të shqipes para shekullit XV, flasin edhe disa dëshmi të tjera të tërthorta. Kleriku francez Gurllaume Adae (1270-1341), i cili shërbeu për shumë kohë (1324-1341), si Kryepeshkopi i Tivarit dhe pati mundësi t’i njihte mirë shqiptarët, në një relacion me titull “Directorium ad passagium faciendum ad terrom sanctam”, dërguar mbretit të Francës Filipit VI, Valua, studiuan ndër të tjera: “Sado që shqiptarët kanë një gjuhë të ndryshme nga latinishtja, prapëseprapë, ata kanë në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre shkronjën latine”. Pra, ky autor flet për libra në gjuhën e shqiptarëve, duke dhënë kështu një dëshmi se shqipja ka qenë shkruar para shekullit XV.

Edhe humanisti i shquar Marin Barleti, në veprën e tij “De obsi dione scodrensi” (Mbi rrethimin shkodran), botuar në Venedik, më 1504, duke folur për qytetin e Shkodrës, bën fjalë për fragmente të shkruara in vernacula lingua, d.m.th. në gjuhën e vendit, të cilat flasin për rindërtimin e qytetit të Shkodrës.

Këto dëshmi të G.Adae dhe të M.Barletit, dy njohës të mirë të shqiptarëve dhe të vendit të tyre, janë në pajtim edhe me të dhënat historike për këtë periudhë, të cilat flasin për një nivel ekonomik e kulturor të zhvilluar të viseve shqiptare në shekullin XIV dhe në fillim të shekullit XV. Në atë periudhë, në veri dhe në jug të Shqipërisë, lulëzuan ekonomikisht Durrësi, Kruja, Berati, Vlora, të cilat u bënë qendra të rëndësishme tregtare, zejtare dhe kulturore.

Këto janë dëshmi që e bëjnë të besueshme ekzistencën e një tradite më të hershme shkrimi të shqipes, megjithatë, deri sa kërkimet të mos kenë nxjerre në dritë ndonjë libër tjetër, “Meshari” i Gjon Buzukut do të vijojë të mbetet libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe dhe vepra e parë e letërsisë shqiptare.

Në shekullin XVI i ka fillimet edhe letërsia në gjuhën shqipe te arbëreshët e Italisë. Vepra e parë e letërsisë arbëreshe në gjuhën shqipe dhe vepra e dytë për nga vjetërsia, pas asaj të Buzukut, është ajo e priftit arbëresh Lekë Matrenga “E mbesuame e krishterë….”, e botuar në vitin 1592. Është një libër i vogël me 28 faqe, përkthim i një katekizmi. Libri është shkruar në dialektin e jugut, me alfabet latin, plotësuar me disa shkronja të veçanta për të paraqitur ato tinguj të shqipes, që nuk i ka latinishtja.

Një zhvillim më të madh njohu lëvrimi i gjuhës shqipe në shekullin XVII, nën penën e një vargu autorësh, si Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, të cilët nuk bënë vetëm përkthime, por shkruan edhe vepra origjinale,

Frang Bardhi, në vitin 1635, hartoi të parin fjalor, “Fjalorin latinisht-shqip”, me të cilin mund të thuhet, se zë fill shkenca gjuhësore shqiptare. Gjatë Rilindjes Kombëtare, në shekullin XIX, në kushte të reja historike, lëvrimi dhe përparimi i gjuhës shqipe hyri në një etapë të re. Në këtë periudhë u bënë përpjekje të vetëdijshme për të ndërtuar një gjuhë letrare kombëtare, standardizimi i së cilës u arrit në shekullin XX.
loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more