Skip to main content

Legjenda - Besa e Konstandinit

Legjenda -  Besa e Konstandinit

Ish një herë e një mot një mëmë shumë e mirë e kish dymbëdhjetë bij të
hijshëm. Të trembëdhjetën kish një bijë të bukur mbi të gjitha shoqet, që i
thoshin Doruntinë.
Vasha u rrit e u bë për t’u martuar.
Mirëpo nga bujarët e atij vendi asnjë nuk e gëzoi.
Të gjithë e dëshironin, askush s’guxonte ta zërë nuse, sepse nuk e ndiente
veten të zotin ta merrte për shoqe.
Atëhere na vjen një trim i largët: i mirë, i hijshëm, i fisëm dhe nis dërgon
shkesë dallëndyshen që ta kërkojë Doruntinën nuse. E ëma dhe të njëmbë -
dhjetë vëllezërit e mëdhenj nuk donin t’ja jepnin, sepse trimi, ndonëse i mirë,
ishte nga një vend shumë i largët. Vetëm i vogli, Konstandini, donte.
- T’ja japim, zonja mëmë, - thosh ai, - se trimi është i mirë. Më ka hyrë në zemër.
- Konstandin, biri im, ç’po më thua ti kështu? – ia kthente e ëma. – Aqë
larg do ti që të ma shpiesh Doruntinën time? Se, në e daça për gëzim, për
gëzim nuk do ta kem; se, në e daça për helm, për helm nuk do ta kem.
- Të jap besën, zonja mëmë, se kur ta duash ti Doruntinën, qoftë për gaz,
qoftë për helm, vete unë e ta sjell.
Mëma edhe të njëmbëdhjetët u bindën: e fejuan dhe e martuan
Doruntinën me trimin e largët. Bënë dasmë nëntë ditë. Të dhjetën trimi mori
nusen e shkoi te dheu i tij i largët. Mëma e vasha qanë me lot kur u ndanë..
… Shumë luftëra u luftuan atë mot te dheu ynë, se kish ardhur i huaji ta
shkelte e ta pushtonte. Të dymbëdhjetë vëllezërit dolën të luftojnë për vendin
e tyre dhe u vranë një, pas një, të gjithë.
Kur iu vra djali i parë, mëma shërëmtiu e tha:
- Biri im, unë nuk kam helm e nuk do të të qaj, sepse ti re për dheun tënd
e më mbeten njëmbëdhjetë bij të tjerë për luftë.
Kur ju vranë gjashtë, që të gjashtë trima e të dashur… ajo derdhi
vetëm nga një lot për secilin e bëri vetëm nga një vajtim. Po kur nisën t’i
vriten edhe të tjerët, mëmës iu këput zemra dhe lëshoi një shërëmtimë të
madhe sa uturoi tërë vendi:
- Mjerë unë, ç’helm i madh të mos e kem Doruntinën pranë në këtë zi, që
më mbuloi shtëpinë!
Kur u vra djali i fundit, Konstandini, mëma shkuli leshrat e bardha e thirri:
- Bobo, vdekje, e nëmosura vdekje! Ti më more dymbëdhjetë bij e tani
kush mund ta dijë a s’ma ke marrë edhe bijën time të vetme, bijën time të
dëshëruar!
Kur u gdhi e shtuna e të vdekurve, mëma vajti te varret e të bijve.
Dymbëdhjetë djem kish pasur, dymbëdhjetë varre kish tani… Mbi çdo varr
bëri nga një vajtim, po mbi varr të Konstandinit bëri dy vajtime, qau me
ngashërim e thirri tri herë:
- O biri im! O biri im! O biri im! …
Edhe tri herë të tjera:
- O Konstandin! O Konstandin! O Konstandin!
Pastaj u shemb përdhe, pushtoi gurin e varrit e u trua:
- Konstandin, o biri im, ku është besa që më dhe, se do të ma sillje
Doruntinën, tët motër? Besa jote vdiq bashkë me ty e kalbet në varr të zi!
Kështu tha dhe e lau gurin me lotët e syve.
Në mesnatë Konstandini u ngrit nga varri. Guri i varrit u bë kalë i zi si
nata. Edhe dheu i zi u bë shalë e zezë si nata. Rrotulla që mbante gurin, u bë
fre i argjendtë. Trimi i hipi kalit, u përkul përpara, uli kryet dhe i ra me
shporet. Kaptoi si frymë male e fusha, hodhi lumenj e përrenj, la prapa
katunde, kodra, pyje…
Konstandini arriti te shtëpia e së motrës, kur kish dalë dielli. Ajo ditë
ndodhi ditë e kremte. Në shesh, përpara shtëpisë, gjeti të bijtë e së motrës,
nipërit e tij, që loznin e vraponin pas dallëndysheve. I pyeti:
- Bij të zemrës, ku është zonja mëma e juaj?
- Konstandin, o zoti lalë, - i thanë ata, - mëma jonë po hedh valle në fshat,
atje tek bëhet dasmë.
Konstandini shkoi shpejt te vallja e parë, pa një luzmë vashash të bukura
tek këndonin e vallonin dhe tha me vete: “Të bukura jini, moj vasha, po për
mua nuk jini, sepse unë s’jam nga kjo botë…” Dhe u afrua t’i pyesë:
- Gëzuash, o vasha të bardha! A është me ju Doruntina, motra ime?
- Shko përpara, trim, se do ta gjesh tek kërcen e hareshme veshur me petk
të ndritur kadifeje.
Konstandini vajti tek vallja e dytë dhe u mat të pyesë përsëri, po
Doruntina e pa vetë e i thirri:
- Konstandin, o im vëlla!
Dhe Doruntina iu afrua, e përqafoi.
Konstandini i tha:
- Doruntinë, motra ime! Eja të shkojmë. Të do zonja mëmë në shtëpi!
Më thuaj, vëlla, si të vij unë atje? Po të më dojë për gaz, do të vete të marr
stolitë më të mira, po të më dojë (mos qoftë thënë!) për helm, do të vete të
vishem me të zeza.
- Eja, motër, ashtu si je!
E mori në vithet e kalit. Kali ik si shakullimë. Ata kapërcejnë si në ëndërr
male e fusha, pyje e kodra, lumenj e përrenj. Hëna e yjet kanë shtangur lart e
shikojnë me të drojtur.
Gjatë udhës motra e pyet vëllanë:
- Konstandin, vëllathi im, përse shpatullat e gjera të janë mbuluar me myk.
- Doruntinë, motra ime, shpatullat m’i ka mbuluar tymi i shkluhave në
luftë, se në vendin tonë u bënë luftëra të mëdha, erdhën armiq të na shkelin
dhe ne të gjithë dolëm të luftojmë.
- Konstandin, vëllathi im, përse flokët e dredhura i ke tërë pluhur?
- Doruntinë, motra ime, gjatë udhës kishte shumë pluhur dhe m’i
pluhurosi flokët.
- Konstandin, vëllathi im, përse vëllezërit e mi të bukur si drita s’kanë dalë
përpara të na presin?
- Doruntinë, motra ime, ndofta janë në lodër e s’presin që të vemi sonte.
- Konstandin, vëllathi im, përse dritaret e shtëpisë janë sot mbyllur krejt?
- Doruntinë, motra ime, i kemi mbyllur se fryn nga deti era e fortë e dimrit.
Kur arrinë pranë kishës, Konstandini i tha së motrës:
- Ti shko përpara, se unë dua të hy të përgjunjem.
Konstandini shkoi e hyri prapë në varr të zi. Kali u bë prapë gur, shala u
bë dhe, freri i argjendtë u bë rrotullë. Dhe përsëri rreth e qark zotëroi heshtja
e vdekjes. Ndërkaq Doruntina ngjiti shkallët dhe trokiti gazmend në derë.
- Mëmë, hapma derën!
- Kush je ti që trokëllin aty te dera?
- Hapma, zonja mëmë! Jam unë, bija jote Doruntina!…
- Ik tutje nga ke ardhur, o vdekje e shkretë! Ti m’i more të dymbëdhjetë
djemtë e tani ke ardhur të më marrësh edhe mua që të mos e shoh më
Doruntinën time!
- Ç’po thua ashtu, zonja mëmë? Nuk ma njeh zërin? Besa, zonja mëmë,
jam unë vetë, Doruntina jote.
- Ngul gishtin e vogël te vrima e kyçit: që ta shoh e të ta njoh.
Doruntina nguli gishtin e vogël te vrima e kyçit-atë gisht të hollëz e të
bardhë. Mëma ja njohu sakaq e i hapi derën.
- Kush të solli këtu, o zemra ime?
- Më solli Konstandini, im vëlla.
- Cili Konstandin, moj bijë? Konstandini im ka vdekur bashkë me të
njëmbëdhjetë vëllezërit e tjerë. U vranë në luftë…
Dhe si rrinin të dyja, njëra te pragu e tjetra te dera, plasën si qelqi me verë…
loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more